Bumi i Rita Orës – ‘Negacion identiteti, pohim identifikimi’
Thuhet se identiteti lind aty ku vetorësia dhe persona e dikujt spostohen në plan të dytë, apo edhe për një kohë pezullohen. Si është e mundur kjo? Si ndodh që vetorësia, në fakt të jetë një ikje (konsistente ose jo) nga identiteti!? Ndodh sepse vetorësia përbën stadin e biologjikes dhe psikosomatikës, pra dy dimensioneve intime e qeniesuese të individit, para se ky të bëj hapin drejt të qenit qenie e detyrës. Kur individi vendos të ndërroj gjini, të deklamoj orientimin seksual, fenë a orientimin shpirtëror, ai paraprakisht hyn në një monologim të jashtëzonshëm me veten.
Ta marrim p.sh. murgun e imagjinuar Bojan nga Patriarkana e Pejës. Edhe emrin ia imagjinuam, meqë në të vërtetë nuk e dimë se a ka ndonjë Bojan murg në Patriarkanë. Por edhe përkundër kësaj, kalimthi dimë se murgjërit çojnë jetë prej asketësh. Pra që në njëfarë forme, harrojnë edhe vetë emrin e tyre me atë tërheqjen e tyre në eternë si panduli i fërfëlluar në pakthim i një ore. Murgjit gjejnë vokacionin e duhur kontemplativ t’i kryejnë strikt lutjet, agjërimet e shpeshta e të rrepta, të ndjekin (ose të paktën mundohen ta ndjekin) gjatë gjithë jetës privacionin seksual, të jenë pak komunikativ me botën që i rrethon etj. Murgjërit, por edhe asketët myslimanë si halvetinjtë sufi p.sh. i përkushtohen rrugës shpirtërore; thjesht duan të njësohen me atë që konsiderojnë për krijues (vahdedi-vucudi dhe fena fillah në sufizëm nënkuptojnë këtë shkrirje me krijuesin). Murgu ortodoks ose halvetiu sufi, janë shënjuesit vetorë të azilit shpirtëror, por me destinacion reverzibil: veten. Ngjashëm siç mund të jetë dhe transgjinori/ja Arlind(a). E brendshmja, jo e jashtmja mbart këtu rëndësi. E jashtmja merr kuptim vetëm aty ku mbaron e para.
Personaliteti në anën tjetër shënon mbretërinë e mesatares. Brumosjen tonë relacionale me dhe në jetën e përditshme. Në normë dhe me normë. Hapjen në çeltinën shoqërore. Social-itetin dhe sociabilitetin. Një lloj marrëdhënieje/trazimi të përditshëm vete-të tjerë. Këtu individi mbart një person, që jo domosdo introspektohet a interpelohet devocionalisht. Me fjalë të tjera individi nuk e përjeton tërë kohën veten e tij veçse si qenie psikosomatike dhe e ngarkuar me/për të përshpirtshmen. Përkundrazi këtu individin e gjejmë të Inkarnuar në njëfarë mediumi të pushteteve që ia përshkojnë qenien, e që mu në këtë shtof shigjetimesh, vetë ka pajtuar dhe konformuar disa shprehi (standardi jetësor, stili i jetesës, angazhimi qytetar etj.). Pra këtu s’hyjnë në punë shumë të menduarit a skemat psikosomatike/ biologjike si tek murgu a transgjnori. Persona/personaliteti buçet atë që konsiderojmë pjekuri, formim normativ. Kush s’është pjekur a s’është formuar, kush s’ka sjellje normale (thuase normat nau dhanë nga ndonjë verdikt hyjnor), konsiderohet labil në karakter, i papërshtatshëm, pabesë, mashtrues, kriminel e çka jo. Një lloj heretiku antisocial.
Së treti: identiteti. Identiteti është investimi i plotë i gjithçfarë nuk jemi. I “ne”-së së diktuar mbi ne së jashtmi që në lindje, dhe që edhe kur shfrytëzojmë mundësitë e zgjedhjes për dalje nga veladoni që na është mveshur, mbesim pothuajse krejt të paaftë të ndikojmë diç më shumë në kushtet e përgjithshme dhe ravijëzimet që jorrallë kanë rrënjë edhe shekullore. Ne mund të zgjedhim të mos jemi nxënës i Shkollës Teknike, por jo edhe të mos jemi fare nxënës. Së paku jo në ato vende ku mbërrin këmba dhe dora e shtetit. Për më tej, kur bëhemi nxënës, rrënjosja shkollare është aq e thellë saqë përjashtimi nga shkolla është prej ngjarjeve më kobzeza që mund të na ngjajë etj. Ndaj edhe identiteti në vete është një ngulim jo edhe aq i shkriftë sa mund të mendohet. Në optimumin tonë ontologjik, identiteti shënjon një dyndje pushtetuese që vështirë i iket. Mund të jesh personalitet shembull i ambientalizmit, por assesi shembull i mirë kur deklamon direkt a indirekt thirrje për tejkalim a braktisje të një identiteti. Për dallim nga personaliteti, ku veprimet e tua mund të jenë shembull i mirë/duhur për ndjekje, plasticiteti i shfaqur në identitet në rastin më të mirë mund të të nxjerrë si retushues që provokon revizionizëm përkatësie. Gjithsesi nëse i takon gjeneratës “fillestare” të retueshueve.
Tani si u bë që desh u mbytëm për flamur tek rrethi, e ishim të njëjtit që u ekzaltuam, masturbuam, e ramë në dalldi, kur Rita pajtoi vallen e Rugovës me repertoarin e saj të këngëve anglisht? Apo si u bë që shajmë Halil Matoshin e nuk na ndien që vetë Rita ka ndërruar mbiemër? Pikërisht nga fakti se harrojmë që relata jonë me identitetin është historikisht e përçudnuar. Ne historikisht s’kemi përjetuar individualizmin që të jap lirinë në daç të jesh murg në daç transgjinor, por një ngatërrim të ripërsëritur – e që i përvertuar siç është – mbi afro 1 shekull tulatet mes tribalizmit dhe identifikimit. E nëse personal is political, atëherë tek ne identifikimi si ngulmim, gjithmonë ka mbipeshuar ndaj identitetit si plazmim. Pra kemi përjetuar jo mpleksje identitare por penetrimie identifikuese. S’kemi qenë proaktivë, por reaktivë (shqiptarë tribalë nën otomanë, nën Kraljevinë, festues se edhe ne tribalët po e forcojmë identitetin në fashizëm!, mbushës sallash të matematikës në UP vetëm pse kanë ardhur TANËT nga Shqipëria etj.). Kësodore në vend se individi si qenie e detyrës (vetorësia) dhe karakteri i normëzuar (personaliteti) të koketojnë me identitetin, ne shohim një shqiptar në boshllëk teksa vëritet të inaugurojë identitet, duke harruar se vetë është produkt identifikimi entnolingual-fisnor. Shqiptarësia e Kosovës asnjëherë s’është përmbyllur jo vetëm gjykuar politikisht, por edhe gjykuar socioologkisht mu për faktin se shqiptarët si organizim i ka mbetur besnik formacionit familjocentrist/fisnorisë, formacion që di të jetë më kokëfortë se kombi (baskët, kurdët, irlandezët, skotlandezët janë vetëm disa nga shembujt e kësaj kokëfortësie).
Dhe pikërisht mospërmbyllja e saj politike e ka pjellur kosovarizmin (a thua do të kishim flitje të kosovarizmit po të ndahej edhe Peja, dhe po të ngelnin ata mijëra serbë në Prishtinë!?). Kosovarizmi gjen optimumin e tij pikërisht në hapësirën që ka krijuar rishqiptarizimi i Kosovës më 1999! E ka pjellur sepse të jetosh me identifikim, do të thotë të jetosh në negacion. Të jetosh duke afirmuar atë çfarë s’je (s’jam serb, s’jam malazez, s’jam Sahatçi etj.).
E shqiptaria e papërmbyllur ka qenë jashtëzakonisht inatçore kur është ndjerë e ndrydhur. Hasan Prishtinës nuk mund t’i gjesh asnjë aktivitet nacionalist më 1907, anipse i bije të ishte 34 vjeçar. Por i gjen menjëherë një vit pas, meqë më 1908 nis koketimi i figurave shqiptare me xhonturqit nga të cilët edhe tradhtohen. E të mos flas këtu edhe për ironinë qe edhe sot familjarët e tij turkofonë në Vushtrri e Mitrovicë e ngatërrojnë ndonjë fjalë në kurriz të shqipes. Në një fotografi të postuar para 2-3 ditësh në një faqe të Facebookut shihen shqiptarë me plisa teksa pozojnë me foton e Josip Brozit, mu në muajt kur partizantët e tij akoma ishin duke bërë kërdi në Kosovë! Vetë prapashtesa “tar” në shqip, që jo rastësisht e mban edhe denominimi ynë etnik është prapashtesë që tregon punë dhe veprim: “ar-tar”, “rrogë-tar”, “zdrukth-tar”, këngë-tare (si Rita) etj, pra kumbon GJINDSHMËRI identifikimi në një rajon të rrethuar me të tjerë.
Ndaj a duhen akoma më shpjegime që investimenti në ndrydhjen e fisnorisë historike përmes tendencës për plazmim të ri vetëm sa shkakton kundërfekt? Nëse kapitalizmi do të jetë i aftë ta krijojë nga brezat e ri kosovarizmin, kjo do të shihet. Unë nuk besoj. Dhe as s’shoh shkëndiza në atë drejtim. Ndaj që ndoshta përjashtimisht Batallies që thotë se erosi përkul edhe murgun para kodoshit, them se më shumë duron murgu Bojan në asketizmin e tij sesa përleshja shqiptar/kosovar. Kjo sepse përpjekjet për plazmim identitar nga jashtë, sidomos në formatin e anonimatit, siç është kosovarizmi, s’bëjnë as sa agjërimi i kalluxherit e sinqeriteti i transgjinorit. Shqiptari pranon mbiemrin Ora, por jo kombësinë e fabrikuar nga zëdhënësi i qeverisë.