Bullgaria paralajmëron se do ta rimendojë mbështetjen për anëtarësimin e Serbisë në BE
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka lënë të kuptohet se Sofja mund ta rivlerësojë mbështetjen për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimore në Bashkimin Evropian (BE), posaçërisht kur bëhet fjalë për Serbinë, kryesisht për shkak të mënyrës së trajtimit të pakicës bullgare nga Beogradi.
“Bullgaria është motori kryesor i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse ne jemi të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është ky integrim për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të rajonit, por ne qëndrojmë të vendosur në parimin e meritave tona në këtë proces integrues në mënyrë që ai të jetë i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm”.
“Kriteri kryesor me të cilin do të gjykojmë dhe do t’i japim mbështetje progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është pikërisht gjendja e bashkatdhetarëve tanë në çdo vend – kushtet e tyre për zhvillimin ekonomik dhe social – dhe mbi të gjitha, aftësia e tyre për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe kujtesën historike”, ka shtuar Radev.
Ndryshe, shteti bullgar mbetet në pozicionin e njëjtë edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në qershor të vitit 2022 pranuan “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjen e gjuhës, identitetin dhe dallimet historike, që i referohet përfshirjes së pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.