Bukë, islam, katolicizëm e Jugosllavi

Bukë, islam, katolicizëm e Jugosllavi

Feja u rikthye edhe njëherë me tërë potencën e saj në qendër të zhurmave mbytëse. Po them qëllimisht feja dhe jo vetëm diskutimi mbi xhami, parcela, stile arkitektonike, a  planifikim urbanistik. Kjo sepse këto janë vetëm lustra,  përkatësisht arsyetime bishtnuese në nyjën e   pazgjidhur të të menduarit të fesë tek ne. Mbulonjëse të provokimit dhe afeksionit real shpirtëror, që persiston në pasplanin e kësaj nyjeje, dhe që në fakt e shkakton atë.  Madje mund të shihen edhe si njëfarë kusuri luksoz në mosdiskutimin e paradigmave.  Nuk shoh asnjërin nga ne që realisht ndjen komoditetin e të nënkuptuarit teknik, kur përmendet diçka si ‘parcela për xhami’, ‘katedralja’ etj. Përkundrazi. Pashqitshëm menjëherë nisin spazmat neurotike dhe frustrimet. Kjo nyje e pazgjidhshme natyrisht që pati trasimin/ravijëzimin e vetë historik. Ravijizëm që mbi të gjitha s’besoj se mund të shikohet ndaras nga problemi që Ballkani/një pjesë e tij  ka pasur dhe ka me fenë, në dekadat e fundit.

Kjo për faktin sepse janë të paktën 10 popuj që deri në të 90-at, nisur nga Maqedonia deri në Slloveni, ndanë fatin e njëjtë në të qenit pjesë e shtetit jugosllav. Në një formë apo tjetrën pra ishin/janë gjenerata që ndanë të njëjtin ligjërim publik e politik, të njëjtin shkollim, në mos edhe agjitimin e njëjtë vullnetar a të detyruar në veprimtari. E Jugosllavia ishte shtet që thirrej në përparim. Me fjalë tjera në progresin shkencor që proklamonte marksizmi (në fakt vetëm disa kilometra më lartë se Jugosllavia – në Hungari, Austri e Gjermani pati debate e zhvillime marramendëse për të shpënë marksizmin drejt horizonteve të reja, që nga Giorgi Luckas e deri te shkolla e Frankfurtit, por ç’e do kur Jugosllavia mjaftohej me Kardelin e Gajo Petroviqin), të këtyre popujve të bërë tok së bashku rreth saj.  E kur Jugosllavia ra, ndodhi të mos ketë as edhe një avangardë të vetme, qoftë të diasporës (meqë pandehim që brenda të kenë qenë të rrezikuar nga luftërat), e gatshme dhe e denja t’i dalë në mbrojtje fondamenteve të atij shteti që supozohej se kishte prodhuar besim e identitet tek njerëzit.

Së këndejmi që nga ‘kungimi’ i ushtarëve që vranë në Srebrenicë nga ana e klerikëve orodoksë serb, deklarata e Mlladiqit për ‘hesapitje me turqit’,  tek Ibrahim Rugova e Katedralja; që nga Anton Kçira,  Shefqet Krasniqi e tek Lavdrim Muhaxheri, ka një rrjetë të njëjtë familjare mendësore që është supra-kombëtare e supra-shtetërore: pra që është rajonale, e që gjen mishërim e realizim në atë që sot për sot mund të konsiderohet si përjetim i i fesë jo si devocion shpirtëror vetjak, por si parzmore identitare e besimit të ideologjizuar  e që përçon në projektimin fetar të tjetrit.  Mjafton tua bësh një klikim a shikim kalimthi sajteve ballkanike, faqeve në Youtube apo emisioneve televizive ku diskutohet feja dhe të gjesh familjaritet gati të habitshëm në përqasje.

Nëse ideja për katedralen u ideua si refuzim i islames, otomanes, të kaluarës etj., në emër të një allafrangallëku të përçudnuar katolik dhe vetëorientalizues që nuk reflekton as modernë e as devocion, por kompleks inferiorieti në fatin a fatkeqësinë të të qenit protektorat, përmes  njëfarë  rrahagjokësie gjoja native për ‘te kaluarën katolike’ – e cila matur me kute të ‘progresit’ ishte në fakt edhe më prapanike se ajo otomane –  tani kërkesa për xhami po vije si kërkesë e një komuniteti të hutuar me gjithë çfarë ngjau minimum në 40 vjeçarin e fundit. Tek myslimanët vërehet reaksioni meqë ishin aq pavetëdije politike, kulturore e rrjedhimisht edhe fetare, sa që me dekada jo vetëm që gjetën vetën të pajtuar me strukturat dhe mekanizmat të ish sistemit (Sabri Bajgora ka pasur poezi për Titon), por edhe me ato të ‘Republikës Imagjinare’ duke e aplauduar Rugovën, deri kur ky nuk doli krejt hapur me dellin e tij katolicist.  Njejtë siç e gjejmë sot Tërrnavën shërbëtor më të devotshëm ndaj pushtetit se sa ndaj Zotit. Të njejtë janë edhe ‘aktivistët qytetare’ që gjoja thirren në modernë e ligj. E kur pyetemi se në cilin troll ngjan krejt kjo, përgjigja është në trollin ku ngjau fiaskoja e quajtur sekularizëm. Por pose po i quaj të njejtë? Shumë thjesht: tërë ky gëlim i fesë nuk mund as të imagjinohej në 25 vjeçarin 1965-1990!, ateherë kur feja po ndrydhej e topitej si prapanike. Janë të ndrydhurit fetar ata që kanë shpërthyer me tërë mindsetet e tyre paramoderne, e që përballë vetes po hasin dikë që e merr për të mirëqenë modernizmin opresiv të së kaluarës, në një epokë hibride identitarisht, e që është më e keqja duke qenë pothuajse larg larg trendeve të debateve serioze – intelektuale mbi fenë.

Kësodore edhe  hipnotizimi me katolicizmin, edhe vehabizmi edhe kthimi i sharlatanëve magjistrarë e vizitorëve të tyre supersticioz në lajme mediale, janë një infiltrim reaktiv i ‘sakrales’ së ndrydhur në zbraztësitë e shpjegimit të bankrotuar jugosllav. Prandaj edhe gjejmë kërkesën për xhami gjithnjë SIPAS një shembulli: atij të katedralës, njejtë siç edhe kundërshtimi i xhamisë me arsyetimin e cënimit të rendit urban, është në fakt reaksion antife SIPAS një planifikimi urbanistik që supozohet se na paska qenë në rregull,  anipse nja 46 mijë ndërtime paleje në kryeqytet moti e kanë përdhosur edhe atë planifikim urbanistik të pabehane.

Ne  sot s’kemi përgjigje në pyetjen pse tërë ky gëlim i fesë pas rënies së Jugosllavisë. Nuk kanë as serbët, se si u bë që Akademia e tyrë të bëjë martesë me Kishën Ortodokse dhe Millosheviqin. Një oksimoron me rrënje para-komuniste  që dosido fenë e konsideronte të tejkaluar u rikurorëzua me liderin atesit një partie që qoftë nominalisht akoma ishte socialiste, dhe me Kishën Ortodokse Serbe! Madje jemi të pavetëdijshëm edhe për ato shumësi shtetësish e sistemesh që u ngritën e u përdhosën pa e menduar asnjeherë punën e fesë, laicitetit, sekularitetit etj.  Në më pak se 30 vite ndrruam të paktën katër palë sisteme: fundin e Jugosllavisë, RFJ-në e Millosheviqit, “Insitucionet e Republikës së Kosovës”, UNMIK-un dhe shtetin e dalur nga shpallja e pavarësisë. Përpos në ndërrmarësinë imagjinare të të LDK-së të së 90-tave dhe pak a shumë në këtë 10 vjeçar kur po sundohemi nga pugaçovët më të lodhur e më margjinalë të vendit, ne në asnjë rast tjetër nuk ishim pjesëmarrësit direkt në realizimin tonë. Që nga të menduarit e fesë, shtetit e deri tek arkitektura apo planifikimi urbanistik. Jemi deficitarë në njerëz, por s’na kushton gjë të nisim të mendojmë historikisht.

Shpërndaje në: