Bukë e krypë e zemër t’kingjit’: Pse ky slogan do t’i përshtatej Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme?

Bukë e krypë e zemër t’kingjit’: Pse ky slogan do t’i përshtatej Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme?

Publicisti, shkrimtari dhe gazetari me ironinë më të mprehtë në historinë e gazetarisë shqiptare, Nonda Bulka, elaboronte më së miri shprehjen ‘bukë e krypë e zemër’. Duke interpretuar djallëzinë e përdorimit të saj nga figura të pushtetshme sa Nonda Bulka jetoi, ai thotë se këtë shprehje, ne, e mendojmë si ‘bukë e krypë e zemër t’kingjit’. Sa zemra e kingjit u hëngër në restorantin e Ridvan Muharremit? Sa copa zemre t’kingjit u hëngrën nga kryeministri Albin Kurti? Me çfarë vaji u fërguan ato copa zemrash kingji? Pse Kurtit i shkon për shtati në fushatën e ardhshme slogani ‘Bukë e krypë e zemër t’kingjit’?

 

Shkruan: Dafina Demaku 

I

Fjalia e urtë popullore shqiptare, ‘bukë e krypë e zemër’ – e reduktuar në vetëm ‘Bukë e zemër’ si emër restoranti për njeriun e afërt të kryeministrit Albin Kurti, Ridvan Muharremi – Ridi, ka një histori domethënëse.

Kjo shprehje popullore, nënkupton traditën shqiptare për pritjen e mysafirit, me çka do që të ka qëllu në sofër.

Në një prej opinioneve të tij të përmbledhura me titull ‘Vepra’, publicisti dhe gazetari shqiptar Nonda Bulka (1906-1972), veç tjerash shkruan për hilenë e kësaj shprehjeje popullore ndër shqiptarë.

Publicisti me ironinë më të mprehur e të këndshme në historinë e gazetarisë shqiptare, Nonda Bulka, elaboron këtë hile duke thënë se ‘shqiptarët janë njerëz aq mikpritës’ me spikamën e kësaj shprehje: bukë e krypë e zemër. Por, sipas Nonda Bulkës, ne e mendojmë që zemra – mundësisht të jetë e kingjit (qengjit).

Bukë e krypë e zemër t’kingjit, ka kuptim shumë më shumë, nënkupton Nonda Bulka. Në restorantin e Ridvan Muharremit, supozohet të jenë hëngër shumë zemra qingjash nga mysafirët, mes tyre, edhe kryeministri Albin Kurti.

I vetmi dallim mes ‘atyre që e kanë rrjepë këtë vend qe 20 vjet’ (diskursi i Kurtit me shokë për qeveritë e kaluara) dhe ‘këtyre që po e rrjepin këtë vend për 4 vjet’, duket në transformimin e sendit dhe objektit ku shqiptarët ushqehen.

Nëse për Glauk Konjufcën, ishin irrituese pamjet e ‘komandantëve me yndyrë, raki e mish’ nëpër tubimet në oda me sofra, po aq irritues sot duket fakti që kryeministri ‘i të varfërve’ është ushqyer te një panhajn. Dallimi: jo në odë, por në një restorant. Bukë e krypë e zemër t’kingjit, qysh do të thoshte më i miri Nonda.

II

Afera e Vajit, ku dyshohet të jetë i përfshirë Ridvan Muharremi – një pronar restoranti në Prishtinë, që merr referencë mes interpretimesh shpesh edhe si ‘kuzhinieri i Albin Kurtit’, çoi në arrestimin e tij.

Lidhja e kryeministrit me këtë figurë gastronomike të kryeqytetit, vazhdon të mbetet e mjegulluar.

Kryeministri Albin Kurti, kritikohet për qasje autoritare në vazhdimësi nga kritikët, duke iu referuar disa prej shembujve brutal që ai dha, sa për t’ia vënë vetes këtë damkë. Mes tyre, fjalimi në Kuvend ku godet sistemin e drejtësisë në Kosovë, pse ka arrestuar Nagip Krasniqin e KEK-ut, mbrojtja që ia bën ambasadorit të dyshuar për shpëlarje parash Martin Berishaj, arsyetimin e komunikimeve me ‘Bosin e Krimit’ Millan Radojçiq, lufta ndaj mediave, tentimi për mbylljen e Klan Kosovës me vendim qeveritar, etj.

Megjithëse sistemi i drejtësisë, goditet për ditë në diskursin e pushtetit aktual, është ‘sistemi’ që arrin t’i mbijetojë luftës së pushtetit politik për ta gërryer demokracinë, i cili e godet m’u në zemër sa herë që i jepet rasti këtë gjenerator të rëndësishëm të funksionimit të demokracisë.

Ndaj pushtetit të Albin Kurtit, janë dy mekanizma që po funksionojnë në mirëmbajtjen e demokracisë – media dhe drejtësia. Dhe janë pikërisht këto dy mekanizma, më të sulmuarat në diskursin dhe veprimet e Albin Kurtit. Baraz me to, supozohet që do të duhej të ishte edhe opozita, por kjo e fundit, është treguar më pak aktive në rolin që i takon.

III

Qeveria e Albin Kurtit i ka edhe një vit jetë. E dërrmuar nga skandalet për brenda, e shpërralluar nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet dhe politikën e gabuar në negociata me Serbinë, falë të cilës ende jemi nën sanksione, pyetja që bëhet sot në shoqërinë tonë, është: kush do ta zëvendësojë Albin Kurtin në qeveri?

Një gajle po na hiqet dalëngadalë: për njerëz për autoritarë, këtu s’funksionon. Se siç deklaronte Albin Kurti: ‘Ti mundesh, po pastaj edhe s’mundesh’.

 

Shpërndaje në: