Bukë e çmim ndërkombëtar në Biblotekë Kombëtare
Vërtet asokohe Sapunxhiut i fliste manteli, sikur njeriu përnjëmend të ishte qenia pallto-eske e Gogolit. Të paktën Dostojevski e pati pranuar: “të gjithë kemi dalur nga palltoja e Gogolit”. Vetëm ne shqiptarët zemërmëdhenj e harrestarë nuk e pranojmë nga cila pallto ka dalur Kadare, edhe po ta pranojë ai vetë. Ah po, ekziston megjithatë një lidhje e tërthortë e korifeut tonë me Dostojevskin. Kjo nëpërmjet kandidat-dhëndrrit të korifeut tonë. Përderisa shkrimtarin e famshëm e patën ndarë vetëm 30 sekonda nga pushkatimi, por jo edhe nga internimi në Siberi, Renato Rrapin sot e ndajnë mbase ditë nga vdekja, për një faj të vetëm: njëkohë e një vend u pati dashuruar në vajzën e Kadaresë, dhe e pati pësuar keq. Por nejse. Ne njohim vetëm koriefun e letrave. Jo gjirokastritin njeri.
I madh e i vogël, që nga Ministri deri në korierë ishin ngutur aq shumë që pritja të kishte ngjyrim gati matematik autokracie. Pritja doli aq e shpifur, aq funebre dhe me aq kundërmim nënshtrimi, saqë ata 15 minuta të transmetuar drejtpërdrejtë në RTK të gërrdisnin, ta mundonin shpirtin, e të bënin të vjellësh. Zaten edhe muzika që u lëshua ishte funebre, kurse recitimi i zonjë apo zonjushës inteprete ishte krejt komemorativ. Që nga ulja e mysafirëve, tek ajo e pjesëmarrëve e deri tek discilpina që tentohej të imponohej me njëfarë mimikërie policore ishin gazepi vetë.
Nën çatinë e një ndërtese që për kohën kur u ndërtua e merrnim për arkitekturë të përparuar i’u thurr elozhe ngjarjes mesjetare të Betejës së Kosovës, përkatësisht ditiramb koalicionit ballkanik që udhëhiqhej nga një car (për ironi të Zotit vetë emërtimi ‘car’ fillimisht nuk ishte emërtim rus, por emërtim i të sunduarve rus për sundimtarët aziatikë tatarë), përmendorja e të cilit ndodhet nja 12-15 km më në jug të Prishtinës: Në Graçanicë. Është fjala Car Llazarin e Madh të dashur lexues. Epo ç’ti bësh! Zaten 100 metra nga ajo Biblotekë ke një Universitet të quajtur Hasan Prishtina, kurse 200 m më poshtë një rrugicë të quajtur Mbreti Zog. Me gjasë tashmë dihet: ky popull e pranon Llazarin në Graçanicë, por jo edhe Dushanin në veri, meqë dallimin na e ka mësuar hirësia e tij Kadare.
Në një moment korifeu i letrave tona u quajt edhe Fishtë. Edhe kjo krejt e gërrditshme. Jo pse veprës së Fishtës mund t’i gjesh edhe racizma (‘likurazezë’), jo pse priti bujarisht fashistët, por pse vetë Kadare si një ish aparatxhik i sistemit, e ka sharë me soj e sorrollop vetë Fishtën në të kaluar të tij.
“Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift.
Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë.
Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar. Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh. ” (“Zëri i Popullit – Gazetë e ish Komitetit Qendror të PPSH”, 13 janar 1974, f. 3)
Tani çka? Të gëlltisim përjetë kush ishte Fishta, t’ia mbulojmë se ç’tha për të Kadare për të dhe për hatrin e një imbecili të quajtur Kujtim Shala, të vazhdojmë helmimin me histori të rreme, huti e vetëmashtrim. Unë jo faleminderit!
Dhe siç e thotë Zoti, ajka ngelet për fund. Kush tjetër pos se shkrimtari i popullit. Riosh e entuziast. Me sa duket gëlonte ta thoshte publikisht termin e posamësuar: “valët e neotomanizmit”. Pas pyetjes së rioshit, t’ju them të drejtën nuk i vura vesh përgjigjes së korifeut. Kjo ngase prisja vetëm edhe defilitë e Dushan Batakoviqit e Darko Tanaskoviqit në sallë.
Shoqëritë e palexura shqiptare, assesi ta kapin dot një gjë: letrarët e mëdhenj, jo domosdo janë disidentë diktaturash. Jo domosdo janë konsistentë në qëndrime e flirtime. Jo domosdo njohin historinë. Jo domosdo njohin politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo domosdo njohin civilizimet e kulturat. Jo domosdo njohin poliikat identitare e mendësitë orientimore. Jo domosdo janë pa mëkate. Historitë e nobelistëve janë me jo pak gomërllaqe të nxjerrura nga goja e me veprime të pashenjta.
Nuk ka disa muaj prejkur Orhan Pamuk u ftua dhe shprehi kënaqësinë e pjesëmarrjes në SANU të Beogradit. A e di Pamuk se SANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë) nuk është distancuar asnjeherë nga krimet serbe në Srebrenicë e gjithandej territorit të ish Jugosllavisë? Dyshoj! Ndaj edhe postulimi piemontesk që i bëjmë Kadaresë, vie as më pak e as më shumë se nga kompleksi i inferioritetit dhe deficitarizmi që ndjejmë për aksidenca të prejardhjeve. Kadare as s’ishte disident e as nuk ka aftësitë intelektuale jashtë-letrare që u numruan. Ai është një shkrimtar oborrtar me imagjinatë e stil. Kaq.
Përfund çfarë të shtohet? Pos se edhe “Marche Funebrët” po të mos huqen në vend dhe kohë janë kompozime me vlerë, siç qe i një Shopeni një vend e një kohë, e i cili si porosi para vdekjes la që zemra t’i varroset në vendlindjen e ti – Varshavë kurse trupin aty ku ishte – në Paris. Por a mund të ngjajë që ne në vend të dukjes ta duam vetën në atë masë ? Kjo është pyetja njëmilionëshe.