Buja thotë se nuk kishte njohuri për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në mars të ‘98-ës

Buja thotë se nuk kishte njohuri për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në mars të ‘98-ës

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Shukri Buja tha se nuk kishte njohuri për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në mars të 1998-ës.

“Jo, në atë kohë, jo”, tha Buja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai u pyet se a i kujtohet që në deklaratat e tij të mëhershme kishte deklaruar se përreth kësaj kohe ishte njoftuar për Shtabin e Përgjithshëm përmes komunikatave të tyre.

“Mua më kujtohet se nuk është quajt Shtab i Përgjithshëm. Nëse nuk gaboj është quajtur Shtab Qendror në komunikatat e saj publike”, tha Buja.

Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka hasur në ndonjë komunikatë të UÇK-së gjatë kohës sa ai ishte në Zvicër. Tha se kur është vrarë Adem Jashari, ai ka qenë në Zvicër dhe ka qëndruar atje për disa ditë pas kësaj ngjarje.

Pas largimit nga Zvicra, Buja tha se ka shkuar në Shqipëri, ku ka qëndruar për 2-3 ditë, duke shtuar se nuk e di saktë pasi është kohë e gjatë. Me një grup të shokëve, tha se pas Shqipërisë kanë shkuar në Kosovë.

“Dëshmorë janë një pjesë: Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, Abeja- Bekim Berisha”, tha Buja.

Përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua kur u pyet se a ishte Hashim Thaçi ndonjëri prej anëtarëve në këtë grup.

Ndërsa u përgjigj me “Nuk më kujtohet”, kur u pyet nëse në këtë grup ishte edhe Kadri Veseli.

“Në atë kohë kemi hyrë të gjithë si ushtarë”, u përgjigj Buja, kur u pyet se në çfarë cilësie kanë hyrë ai grup në Kosovë.

Më pas, dëshmitarit iu tregua një deklaratë e tij që kishte dhënë më herët, ku kishte thënë se “… në mars të ’98-ës, Hashim Thaçi, unë, 27 burra të tjerë e një grua kemi hyrë në Kosovë nga kufiri në fshatin Vlanë në veri të Shqipërisë. Ne ishim të armatosur dhe në këmbë dhe ishim ushtarë përveç Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që ishin të Shtabit Qendror të UÇK-së në Kosovë”.

“… se në kufi, në Shqipëri kemi qenë shumë njerëz. Në mesin e tyre kanë qenë Azem Syla, Adem Grabovci e shumë të tjerë dhe nuk e di se cilët saktë kemi hyrë në Kosovë”, tha Buja, duke mos iu dëgjuar një pjesë e përgjigjes.

Ndërsa, për pjesën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si pjesëtarë të Shtabit Qendror, u pyet sërish, për çka pati kundërshtime. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi që kundërshtimet e tij t’i bëjë pa praninë e dëshmitarit.

Mishetiq kundërshtoi mënyrën e formulimit të pyetjes nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për çka ky kundërshtim u hodh poshtë.

“Po e potencoj që në atë kohë nuk e kemi ditë për zotin Thaçi e as për Kadri Veselin, e as për anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm kur kemi hy në Kosovë se kush janë. Kanë qenë fshehtësi të thellë. Kemi mujtë me supozu, por nuk e kemi ditë”, tha Buja pasi u pyet sërish nga prokurori James Pace.

I pyetur se a ka presupozuar pozitën e Thaçit dhe Veselit në atë kohë, Buja tha se “ky është ndikim i pasluftës- i deklaratave të pasluftës kur janë dhënë”.

Buja gjithashtu tha se në momentin që kanë hyrë në Kosovë nga Shqipëria, kanë shkuar në Dukagjin.

Dëshmitari u pyet se ai kujtohet që ka pasur ndonjë bisedë me Hashim Thaçin gjatë kohës sa kanë qëndruar në Dukagjin.

“Po kemi pas biseda. Nuk më kujtohet se kam pas ndonjë bisedë të veçantë me Hashim Thaçin, por kemi pas biseda si grup. (Bisedat e grupit ishin) se si do ta kalojmë rrugën se ishte shumë e vështirë. Pastaj, gjatë qëndrimit në Dukagjin kemi diskutu se si do të shkojmë në Drenicë sepse atë kohë e kishim ngarkuar kokën që do të duhej që të shkonim në Drenicë gjithsesi për shkak të luftimeve që kishin ndodhur atje dhe këto kanë qenë më shumë bisedat”, tha Buja.

Ai tha se kur kanë shkuar në Drenicë kanë qëndruar me një fshat të quajtur Ticë.

Kur u pyet për Rexhep Selimin, Buja tha se të gjithë kanë pasur pseudonime, por që nuk i kujtohet saktë ai i Selimit. Megjithatë, ai tha se Rexhep Selimin me emër e mbiemër e kishte njohur pas luftës.

“Iu kanë drejtu me pseudonime të ndryshme. Ka qenë edhe ‘dhjetëshi’ një nga ata. Gjatë luftës është thënë se Rexhep Selimi e ka pas pseudonimin ‘dhjetëshi’ po unë atë kohë kur kam qenë në Ticë dhe në terren, nuk e kam njoftë Rexhep Selimin as me emër e mbiemër, por as si pseudonim nuk më kujtohet si ‘dhjetëshi’”, tha Buja.

Takimi i parë me Selimin, sipas dëshmitarit, ka ndodhur në fund të vitit 1998.

“Për herë të parë më është prezantu si dhjetëshi, por nuk e kam ditë se kush është. Me vonë e kom kuptu se është Rexhep Selimi. Kjo më vonë është diku pas periudhës së dhjetorit të ’98-ës dhe pasluftës që Rexhep Selimi e ka përdorë një pseudonim të tillë”, tha Buja.

Ai theksoi se nuk ka pasur urdhra dhe as udhëzime për të rekrutuar ushtarë në vitin 1998.

“I gjithë organizimi është bërë në baza vullnetare”, tha Buja.

Shukri Buja: Kam pasur disa pseudonime, ‘Sokoli’ dhe ‘Gazetari’

 

Shpërndaje në: