Buja: Kurti s’besoi në shpalljen e pavarësisë, por dëshiron të jetë kryeministër i Kosovës

Buja: Kurti s’besoi në shpalljen e pavarësisë, por dëshiron të jetë kryeministër i Kosovës

Ramë Buja, deputet i Kuvendit në legjislaturën kur u shpall pavarësia e Kosovës, ka deklaruar se është e çuditshme se si lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, synon të jetë kryeministër kur s’besoi në shtetësinë.

Për edicionin special në KTV, Buja ka deklaruar se Kurti s’ka besuar as në konferencën e Rambouillet, s’e ka besuar planin e Martti Ahtisaarit e as s’i ka njohur simbolet e Kosovës.

Për planin e Ahtisaarit, Buja tha se ishte më e mira për kohën.

“Nuk kishte mundësi më të mira. Ajo e hapi portën për të realizuar atë që do të bënim, shpalljen e pavarësisë. Por, kishte arra që na hidhnin mbi supe, por lihej dera gjysmë për ta hapur ne vetë dhe shpalljen më 17 shkurt…E ka kundërshtuar Rambouillen. E ka kundërshtuar Ahtisaarin. S’ka besuar në shpalljen e pavarësisë, s’i ka respektuar simbolet e këto…megjithatë pranon me dëshirë të jetë kryeministër i kësaj republike. Le të jetë ai që bën të mirën për këtë vend, e të gjitha i ka të falura. Por, është e dyshimtë çka u bë në katër vjet”, ka thënë Buja.

Buja ka thënë se gjatë qeverisjes së Kurtit, është ofenduar miqësia me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se Kurti “asnjëherë s’e ka parë Shtëpinë e Bardhë”.

“Kush ka pasur sy e vesh ka mundur ta shohë se është mohuar miqësia me SHBA-në dhe me thënien se sekretari i Shtetit, Blinken është naiv, e mosshkuarja në Shtëpinë e Bardhë…Kjo ka munguar e më vjen keq shumë se kjo po ndodh. Kryeministri ynë s’e ka parë kurrë Shtëpinë e Bardhë. Këto janë të rënda”, ka deklaruar tutje Buja.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Kosova është më e rrezikuar me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tijj, Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit “ia kanë lënë shumë të zeza Kosovës”.

“Asociacioni i pranuar në Bruksel është një asociacion që ka të drejtë ekzekutive, ka autonomitet. Kjo nesër, kushdo që është kryeministër, do ta ketë në tavolinë. Është e rëndë për Kosovën, dikush mund të thotë se kufiri është te Ibri. Kjo është gjë shumë e rëndë për Kosovën e çmimi është tepër i lartë dhe i rëndë. Këto negociata janë pa peshë e pa logjikë. Ka pasur mundësi në mënyrë simpatike ta bëjë Asociacionin siç e kemi asociacionin e komunave shqiptare”, është shprehur ai.

Shpërndaje në: