“Britma” e italianëve nuk dëgjohet në Ligën e Kampionëve
Tri humbje për tri skuadrat italiane, të përfshira në ndeshjet e para të turit 1/16 finale të Champions League. Tri “KO” të ndryshëm, të cilët kanë pak a shumë mundësi për t’u rikuperuar në ndeshjet e kthimit, por gjithsesi ishin tri ndeshje, ku gjyqtarët ishin protagonistë.
Penalizimet kanë nisur një javë më parë, Porto-Juve: në fund të ndeshjes, 2-1 për luzitanianët, gjyqtari Del Çero Grande nuk e vlerëson kontaktin në zonë midis Zaidu dhe Kristiano Ronaldos si një penallti. Numri 7 i Juventusit proteston kot, Pirlo pas ndeshjes u shpreh: “Më duket se ishte një penallti e qartë, arbitri tha që ndeshja kishte mbaruar dhe nuk kishte nevojë për të rishikuar episodin në VAR”.
Lacio gjithashtu ndjehet e penalizuar, çka pasqyrohet në fjalët e Inzagit pas ndeshjes 1-4 në shtëpi kundër Bayern Mynihut: “Ajo që mund të them, është se ndoshta kishte edhe një penallti në favorin tonë”. Trajneri i referohet minutës së 18-të, kur këmba e djathtë e Boateng pengon të majtën e Milinkoviç-Saviç në zonë, por që ishte asgjë për gjyqtarin izraelit Grinfeld.
Në ndeshjen e djeshme, për Atalantën ndryshoi gjithçka pas 17 minutash, kur Freuler rrëzoi Mendin, para se të hynte në zonën e penalltisë. Gjyqtari gjerman Stieler nuk ngurron të nxjerrë kartonin e kuq dhe e le skuadrën bergamaske me 10 lojtarë në fushë. Zemërimi i trajnerit Gasperini nuk mungoi: “Gjyqtari nuk e dalloi një përplasje nga një faull i qëllimshëm”.
Ajo që të bën përshtypje është fakti, se në të tri rastet, gjyqtarët nuk u thirrën nga dhoma VAR-it për të shqyrtuar veprimet e kontestuara. Kjo edhe pse në Champions League përdorimi i teknologjisë është më pak i shpeshtë sesa ajo që jemi mësuar me Serie A. Ky është problemi.