Britania e Madhe është çmendur
Gazeta Politico raportoi disa ditë më herët se ministrja e brendshme franceze, Nathalie Loiseau, e kishte quajtur macen e saj “Brexit”. Ajo i kishte thënë Journal du Dimanche se e kishte zgjedhur këtë emër sepse “e zgjonte në mëngjes duke mjaullirë që të dilte jashtë, dhe më pas kur ajo ia çelte derën macja qëndronte në prag, e pavendosur, dhe e këqyrte me ligësi kur ajo e kapte për ta qitë jashtë.”
Nëse nuk mund ta pranoni një shaka, ju nuk duhet të kishit ardhur në Londër deri tash, sepse ka farsë politike çdokund. Në të vërtetë, e gjitha nuk është qesharake. Është tragjike. Ajo që po shohim është vendosmëria e një vendi për të bërë vetëvrasje ekonomike dhe që s’mund as të pajtohet se si ta vras veten. Është një dështim epik i lidershipit politik.
Unë them ta kthejmë monarkinë. Ku ke shkuar, Mbretëresha Elizabeta II, kur një komb i tërë po kthyen sytë kah ju.
Seriozisht, Mbretëria e Bashkuar, ekonomia e pestë më e madhe botërore – një vend elita e së cilës krijoi demokracinë moderne parlamentare, bankimin modern dhe financat, Revolucionin Industrial dhe krejt konceptin e globalizimit – duket e vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian, nga tregu më i madh botëror për lirinë e lëvizjes e të konsumit, kapitalit, shërbimeve e punës pa një plan të mirëmenduar, apo ndoshta, pa plan hiç.
Edhe anëtarët laburistë por edhe ata konservatorë të Parlamentit vazhdojnë të refuzojnë plan pas plani, duke kërkuar një zgjidhje perfekte, një largim pa dhimbje nga BE-ja. Por nuk ka një të tillë, sepse nuk mund të ketë një zgjidhje për budallallëkun.
Krejt zgjedhja e Brexitit ishte paraqitur para publikut më 2016 me një thjeshtësi mashtruese. U shit me një varg rrenash edhe për numrin e madh të përfitimeve por edhe për lehtësinë e zbatueshmërisë, dhe vazhdon të mbështetet nga konservatorët radikalë që dikur brengoseshin për biznesin por që tanimë janë të obsesionuar me rimëkëmbjen e “sovranitetin” të Britanisë mbi çdo konsideratë ekonomike.
Ata duket se nuk po i dëgjojnë aspak njerëzit si Tom Enders, drejtori ekzekutiv i gjigantit aerohapësinor Airbus, që mban 14 mijë punëtorë në MB, dhe me 110 mijë gjithsej. Endersi ka paralajmëruar lidershipin politik këtu që nëse MB-ja thjesht del nga BE-ja në javët e ardhshme, Airbus-i mund të detyrohet të ndërmarr “vendime tepër të mëdha të dëmshme” për operacionet e saj në Britani.
“Ju lutem mos e dëgjoni çmendurinë e njerëzve që e mbështesin Brexitin e që thonë se “shkaku që kemi fabrika të mëdha këtu ne nuk do të largohemi…’ Ata e kanë gabim. Por mos u gaboni, ka shumë vende që do të donin të ndërtonin krahët e një avioni të Airbus.”
Unë kuptoj ankesat e shumë prej atyre që votuan për ta lënë BE-në. Për fillestarët, ata u ndjenë të mbytur nga emigrantët e BE-së [BE-ja duhej ta kishte mbrojtur MB-në nga ajo valë e madhe; ajo ishte budallallëk i Gjermanisë dhe Francës]. Raportohet se janë rreth 300 mijë qytetarë francezë që jetojnë në Londër, që do ta bënte një prej qyteteve më të mëdha franceze në botë. U ndala për një pije me një anëtar të parlamentit në një bar të Dhomës së Përfaqësuesve dje, dhe derisa po uleshim më pëshpëriti se “asnjë njeri që punonte në këtë ndërtesë nuk ishte britanik.”
Po ashtu arrij ta kuptoj dhimbjen e britanikëve për kufizimet e vendosura nga burokratët e pafytyrë të BE-së në Bruksel. Dhe po ashtu kuptoj pakënaqësinë e tyre me elitat e globalizuara urbane, të cilët banorët e zonave rurale të këtushme besojnë se i shohin me përçmim. Dhe e kuptoj shtrydhjen e pagave të klasës së mesme që fajëson, padrejtësisht BE-në dhe emigrantët në të njëjtën mënyrë se si u fajëson presidenti Trump meksikanët. E kuptoj gjithë atë.
Por po ashtu e di se çka do të thotë të jetë lider në shekullin 21. Dhe natyrisht që nuk do të thotë të vendosësh sovranitetin tënd mbi gjithçka, apo të largohesh nga tregu gjigant i BE-së, ku MB-ja dërgon mbi 40 për qind të eksporteve, pa diskutime serioze kombëtare për koston dhe benefitet.
Çka kanë të përbashkët shumica e liderëve efektivë të sotëm? Zgjohen çdo mëngjes dhe e shtrojnë të njëjtën pyetje: “Në çfarë bote po jetoj? Cilat janë trendet më të mëdha të botës? Dhe si t’i edukoj qytetarët e mi për këtë botë dhe si t’i lidh politikat e mia në mënyrë që më shumë njerëz të përfitojnë nga këto trende dhe t’i shmangen të këqijave?”
Në çfarë bote po jetojmë? Për fillestarët, po jetojmë në një botë që po bëhet aq e ndërlidhur – falë digjitalizimit, internetit, broad-bandeve, pajisjeve mobile, dhe transmisioneve të wirelessit që shpejt do të bëhet 5G – që po bëhen të ndërvarur në një masë të paprecedent. Në këtë botë, zhvillimi gjithnjë e më shumë varet nga aftësia e vetes, komuniteti juaj, qyteti juaj, fabrika juaj, shkolla juaj dhe vendi juaj që të lidhen më shumë e më shumë me rrjedhën e dijes dhe investimeve – dhe jo thjesht të mbështeten në rezervat e gjërave.
Përgjatë shekujve, vëren John Hagel, që së fundi bashkëdrejton Qendrën e Deloitte, biznesi është “organizuar rreth stoqeve të dijes si bazë për krijimin e vlerës. Çelësi për krijimin e vlerës ekonomike ishte të arriheshin stoqe të duhura të njohjes, dhe në mënyrë agresive të mbroheshin e më pas në mënyrë eviciente të fragmentohej vlera ekonomike nga to dhe të shpërndahej në treg. Sfida në një botë në ndryshim të shpejtë është se këto stoqe të dijes zhvlerësohen po ashtu në mënyrë të përshpejtuar. Në këtë lloj bote, elementi kyq i vlerës ekonomike ndërrohet nga stoqet te rrjedhat.
“Kompanitë që do të krijojnë vlerën më të madhe në të ardhmen, do të jenë ato që do të gjejnë mënyra për të participuar më shumë efektivisht në rangën e gjerë të rrjedhës diverse të dijeve që mund të freskojnë stoqet e dijen në një masë të përshpejtuar.”
E megjithatë, Britania po udhëhiqet sot nga një parti që kërkon ta çlidh nga bota e lidhur. Nocioni që MB-ja papritmas do të marrë një marrëveshje të tregut të lirë nga Trumpi sapo të largohet nga BE-ja është absurde. Trumpi beson në nacionalizëm kompetitiv, dhe e vetmja arsye që ai është duke promovuar largimin e MB-së nga BE-ja është besimi se Amerika mund të dominojë ekonomitë individuale të BE-së më mirë se kur negociojnë së bashku si një treg i madh i vetëm në botë.
Gjëja e dytë që liderët më të mirë e kuptojnë është se në një botë të akselerimeve të njëkohshme në teknologji dhe globalizim, mbajtja hapur e vendit për sa më shumë rrjedha që është e mundur është me avantazh për dy arsye: Merrni të gjitha sinjalet për ndryshim të parët dhe duhet të përgjigjeni ndaj tyre dhe tërhiqni rrezik-vënësit me IQ të lartë që priren të jenë njerëzit që fillojnë apo avancojnë kompanitë e reja.
Në ShBA, kush është drejtor ekzekutiv i Microsoftit? Satya Nadella. Kush është drejtor ekzekutiv i Google? Sundar Pichai. Kush është drejtor ekzekutiv i Adobe-s? Shantanu Narayen. Kush është drejtor ekzekutiv i Workdays? Aneel Bhusri. Tung Londër? Talenti më i mirë dëshiron të shkojë në sisteme më të hapura – të hapura edhe ndaj emigracionet por edhe tregtisë – kjo sepse bash aty janë mundësitë më të mëdha. Britania do të japë një shenjë të madhe: Largohuni.
Liderët më të mençur po ashtu e kuptojnë se të gjitha problemet e mëdha të sotme janë probleme globale, dhe se duhet të kenë veç zgjidhje globale. Po flas për ndryshimet klimatike, rregullat e tregut, standardet teknologjike dhe parandalimin e ekseseve dhe prishjeve në tregjet financiare. Nëse doni që vendi juaj të ketë se çka të thotë për atë se si të zgjidhen këto probleme – dhe emri i këtij vendi nuk është Amerikë, Rusi, Kinë apo Indi – duhet të jenë pjesë e një koalicioni më të gjerë si Bashkimi Evropian. Anëtarësia e Mbretërisë së Bashkuar në BE i ka dhënë një zë tepër të vogël në çështjet botërore.
Dhe është edhe një gjë të cilën liderët më të mirë e dinë: pak histori. Trumpi është në rregull me botën e nacionalizmave konkurrues evropianë, dhe jo me një Bashkim Evropian të fortë. Ashtu edhe Vladimir Putini. Kështu duket se janë edhe mbështetësit e Brexitit. Sa shpejt që kanë harruar që BE-ja dhe NATO-ja ishin ndërtuar për të parandaluar po nacionalizmin konkurrues që shkatërroi Evropën në shekullin 20 dhe i solli dy luftëra botërore.
Mua më pëlqen Britania. Por kjo nuk është një qeveri e arsyeshme e kompetente britanike me të cilën jam rritur.
Po udhëhiqet nga një anije budallenjsh – blloku i partisë Konservatore që tash është radikal në obsesionin e saj me lënien e Evropës dhe me partinë Laboriste që është bërë marksiste. Nëse njerëzit këtu nuk mund t’i detyrojnë politikanët e tyre që të bëjnë kompromis me njëri tjetrin dhe kompromis me realitetin, do të ketë një thyerje të sistemit politik britanik dhe dhimbje serioze ekonomike. E kjo është e frikshme. /Periskopi, New York Times