Britania e Madhe e Franca do të thërrasin një takim urgjent në Këshill të Sigurimit për situatën humanitare në Gaza
Britania e Madhe dhe Franca kanë thirrur një takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën humanitare në Gaza dhe Britania po shqyrton sanksionimin e dy ministrave izraelitë, tha kryeministri Keir Starmer.
Reuters raporton se kur u pyet për situatën, Starmer tha: “Ne vazhdimisht po bëjmë diskutime për këtë me partnerët tanë. Ekziston një nevojë urgjente – dhe kjo ka qenë kështu për një kohë shumë të gjatë – për më shumë ndihma që duhet të shkojnë në Gaza”.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha në një deklaratë që Izraeli duhet të sigurojë që civilët të mbrohen dhe rrugët të jenë të hapura për të lejuar ndihmat për të shpëtuar jetë dhe se takimi i Kombeve të Bashkuara do të trajtojë këto çështje. Ai tha se Algjeria i ishte bashkuar gjithashtu thirrjes për takimin urgjent, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Starmer tha gjithashtu se Britania po shqyrtonte sanksionimin e ministrit izraelit të financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të sigurisë kombëtare Itamar Ben-Gvir mbi komentet që ata kishin bërë në lidhje me konfliktin.
Sekretari i mëparshëm i jashtëm David Cameron gjithashtu thuhet se po shqyrtonte sanksionimin e dyshes përpara se Partia Konservatore në atë kohë të humbiste zgjedhjet në qershor.
I pyetur nëse qeveria e tij do të sanksiononte Smotrich për komentet se civilët e uritur në Gaza mund të justifikoheshin dhe Ben-Gvir që ka thënë se se autorët e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor ishin heronj, Starmer tha: “Ne po e shikojmë këtë sepse ato janë padyshim komente të neveritshme”.
Izraeli duhet të marrë të gjitha hapat e mundshëm për të shmangur viktimat civile, për të lejuar ndihmën në Gaza në vëllime shumë më të mëdha dhe për t’u siguruar partnerëve humanitarë të OKB-së aftësinë për të vepruar në mënyrë efektive.
Së bashku me Francën, Britania e Madhe do të thërrasë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të adresuar këtë.