Brexit: Gjithçka që duhet të dini rreth largimit të Britanisë nga BE (IV)
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë nisur bisedimet zyrtare për largim, këtu mund të gjeni një udhëzues të lehtë për të kuptuar çështjen e Brexit – duke filluar nga elementët më bazike pastaj duke ia hedhur një shikim negociatave, e përcjellë nga një përzgjedhje e përgjigjeve në pyetjet që i kemi dërguar në lidhje me Brexit (dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian) dhe BE (Bashkimi Evropian).
Cilat ishin arsyet e atyre që ishin pro që Britania të qëndronte në BE?
Militantët e fushatës për qëndrim thonin se kjo e bën më të lehtë shitjen e gjërave në vendet e tjera të BE’së dhe, sipas tyre, rrjedhja e emigrantëve, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të etur për punë, nxit rritjen ekonomike dhe ndihmon për të paguar shërbimet publike.
Gjithashtu, statusi i Britanisë në botë do të dëmtohej nga Largimi dhe që britanikët janë më të sigurtë si pjesë e klubit të 28 shteteve, në vend se të vazhdonin tutje të vetëm.
A do të vazhdojë BE’ja edhe më tutje të përdorë Gjuhën Angleze?
Sipas gazetares së BBC’së Katya Adler, po do të vazhdojë. Janë edhe 27 shtete anëtare të BE’së në bllok, gjithashtu të tjera që pretendojnë t’i bashkohen në të ardhmen dhe gjuha e përbashkët vazhdon të jetë Gjuha Angleze – “zhgënjyese për Francën”, thotë ajo.
Çka me bizneset?
Bizneset e mëdha – me pak përjashtime – ishin më në favor që Britania të qëndronte në BE sepse ua bën më të lehtë atyre lëvizjen e parave, njerëzve dhe produkteve në gjithë botën.
Duke ditur që Londra ka rol qendror si qendër financiare, ka interes se sa shumë vende pune mund të humbasin duke u shpërndarë në vende tjera të BE’së. Katër nga bankat më të mëdha në ShBA kanë treguar përkushtim të ndihmojnë që Londra të ruajë pozitën. “BBC” merr vesh se HSBC (Shërbimi Financiar Multinacional Britani – Hong Kong) do të shkojë deri në 1000 vende pune në Paris.
Disa eksportues britanikë thonë se kanë rritur porositë dhe kërkesat për shkak të rënies në vlerë të funtës. Të tjerët janë më pak optimistë dhe druhen se produktet e destinuara për tregun evropian ndoshta duhet të prodhohen në BE.
A do të dëmtojë Brexit sigurinë e produktit?
Përgjigjja është ‘ndoshta jo’. Do të varet nëse vendosë ose jo Britania të heqë tutje sdandardet aktuale të sigurisë. Edhe nëse kjo ndodh, ndonjë kompani që prentendon të eksportojë në BE duhet të pajtohet me rregullat e saj të sigurisë, dhe është vështirë të imagjinohet një kompani që do të dëshironte të prodhonte dy lloje të të njejtit produkt.
Nëse një shtetas i Britanisë shkon në Spanjë apo në ndonjë vend tjetër që është anëtar i BE’së, a do të vazhdojë që sigurimi shëndetësor t’ia mbulojë shpenzimet?
David, nga East Sussex, është i shqetësuar rreth asaj se çka do të ndodhë me planet e tij të pensionit. Kjo është një çështje që për të cilën nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë do të ndodhë. Në këtë moment, komuniteti i emigrantëve britanikë në Spanjë ka qasje pa pagesë në spitalet spanjolle dhe trajtimet e tyre paguhen nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS). Pasi të kalojnë në banorë të përhershëm, Spanja paguan për trajtimet e tyre spitalore.
Në disa vende tjera të BE’së si Franca, personat e riatdhesuar që janë të punësuar pritet që të paguajnë të njejtat kosto shëndetësore si vendasit, por sapo të arrijnë moshën e daljes në pension, faturat e tyre mjekësore paguhen nga NHS.
Nëse Britania qëndron në Tregun e Përbashkët, ose në Zonën Ekonomike Evropiane, ajo mund të jetë në gjendje të vazhdojë me marrëveshjet e saj, kjo sipas Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik. Nëse Britania duhet të negociojë marrëveshjet tregtare me shtete të veçanta anëtare, ajo mund të zgjedhë të vazhdojë të paguajë sigurimin shëndetësor të të riatdhesuarve nëpërmjet NHS apo të vendosë që t’ua lë në dorë që ata vet t’i paguajnë shpenzimet e tyre nëse vendosin të jetojnë jashtë shtetit, apo nëse shteti ku jetojnë nuk e bën një gjë të tillë për ta.
Sa para do të kursejë Britania nëpërmjet ndryshimeve në përfitimet e fëmijëve migrantë dhe pagesave të ndihmave sociale?
Një qytetar britanez (Martin, nga një qytet në Anglisë Perëndrimore) dëshironte të dinte se çfarë mund të marrin në kthim taksapaguesit nga kurba e përfitimeve e diskutuar nga David Cameron në Bruksel. Kjo nuk dihet me saktësi. Sipas zyrës për mbledhjen e taksave rreth 20,000 shtetas të BE’së marrin pagesa për fëmijë për 34,000 fëmijë në vendin e tyre të origjinisë me një kosto prej 30 milionë funta.
Çka është “shiriti i kuq” për të cilin po shfaqin pakënaqësi kundërshtarët e BE’së?
Ged, nga Liverpool, beson se ai është një eufemizëm për të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtje të ambientit. Sipas ekspertëve ekonomikë dhe politikë, katër nga pesë rregullat më të kushtueshme të rregullave të BE’së janë të lidhura me punësimin ose me ambientin. Strategjia e BE’së për energji të efiçiente, që ekspertët thonë se kushton 4.7miliardë funta në vit, gjendet në krye të listës. Udhëzuesi për orar të punës (4.2 miliardë funta në vit) – që kufizon orarin javor të punës në 48 orë – dhe udhëzuesi për punëtorë të përkohshëm (2.1 miliardë në vit), që i jep stafit të përkohshëm shumë nga të drejtat e njejta me ata të përhershmit – të cilët gjithashtu janë në listë.
A do të jetë Britania pjesë e Partneritetit Transatlantik për Tregti dhe Investime?
Partneritetit Transatlantik për Tregti dhe Investime (TTIP) – aktualisht nën negociata ndërmjet BE’së dhe SHBA’së, do të krijonte zonën e tregtisë së lirë më të madhën që ka parë ndonjëherë bota.
Ithtarët e TTIP’së, duke përfshirë ish-kryeministrin Cameron, besonin se kjo do t’i bënte importet amerikane më të lira dhe do të nxiste eksportin britanik në ShBA në shumën deri në 10 miliardë funta në vit.
Por shumë nga të majtët, përfshirë liderin Laburist Jeremy Corbyn, druhen se kjo do të zhvendosë më shumë fuqi në korporatat multinacionale, do të minojë shërbimet publike, do të thyejë standardet e ushqimit dhe të kërcënojë të drejtat bazike.
Presidenti Donald Trump nuk është pro kësaj marrëveshje, që nënkupton se tani shihet si e pamundur të ndodhë – por sido që të jetë, kur Britania të lë BE’në, ajo nuk do të jetë pjesë e TTIP dhe duhet të negociojë marrëveshjet e saja tregtare me ShBA’të.
Çfarë impakti do të ketë largimi nga BE’ja në ndikimin e politikave afatgjata të Britanisë në Evropë?
Ekzistojnë dy pikëpamje në atë se çka do të ndodhë në ndikimin duke qenë jashtë BE’së. Sipas të parës, Britania projekton fuqinë dhe ndikimin në botë, duke punuar përmes organizatave të tilla si BE dhe vet kjo do të jetë një forcë e pakët. Sipas të dytës, Britania duke qenë e pangarkuar nga 27 anëtarë të tjerë, mund të vazhdojë përpara dhe të fillojë të përvetësojë një rol më të fortë, të pavarur, dhe me vetëbesim në skenën botërore.
Mendimi im, thotë Norman Smith, është se me gjasë nuk do të ketë shumë ndryshime. Sipas tij, shteti britanik do të vazhdojë të jetë anëtar i organizatave të rëndësishme si Nato dhe Kombet e Bashkuara dhe edhe më tutje do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerë që janë pjesë e BE’së. Për shembull, do të ketë ende lidhje të ngushta me Francën në aspektin e mbrojtjes.
Mbretëria e Bashkuar prapë do të jetë Britania e vjetër, duke vazhduar të ketë ushtri të fuqishme, do të jetë edhe më tutje shtet i pasur dhe fuqi bërthamore, kështu që nuk mendoj se njerëzit papritmas do të mendojnë se Britania është një shtet komplet tjetër.
A është e mundur që shtetet tjera të lënë BE’në dhe nëse po a mund Britania të fillojë një zonë të re të tregtisë së lirë?
Kevin Connolly, thotë se para disa ditësh isha duke e biseduar këtë çështje me një politikan konzervator francez, i cili tha që nëse do të kishte një votim në Francë nesër, siç do të donte Fronti Kombëtar i djathtë, Franca do të votonte për largim nga BE.
Por në përgjithësi nuk sheh shumë perspektivë për një valë baticash kryengritëse që do të përfshinin kontinentin. Kur një shtet si Irlanda pati një zënkë me BE’në rreth taksave, kjo shkaktoi pakënaqësi për politikanët irlandezë, por shumica e liderëve kyçë në Evropë kanë ngritur idenë që BE ka sjellë paqe dhe prosperitet për dekada.
Çka do të ndodhë me kufijtë në Gjibraltar dhe në Irlandën Veriore?
Edhe në këtë pyetje përgjigjet Kevin Connolly, i cili mendon se pyetja se çka do të ndodhë me kufijtë në fjalë pas Brexit është një nga çështjet më të vështira, për edhe vet natyrën e tyre.
Prej vitit 1985, kur Spanja iu bashkua BE’së, ajo është parandaluar për të mbyllur kufirin me Gjibraltarin si një mënyrë për të bërë presion në territorin britanik.
Në fakt, 12,000 qytetarë spanjollë kalojnë çdo ditë në atë territor për të punuar dhe zona e Spanjës rreth Gjibraltarit është një pjesë goxha shumë e zymtë.
Në anën tjetër, spanjollët kanë biseduar hapur rreth kësaj si një mundësi për të rikthyer Gjibraltarin. Jose Manuel Garcia-Margallo, ministri spanjoll për punë të jashtme, tha se vota e Britanisë për largim nga BE’ja ishte “një mundësi historike në më shumë se treqind vjet që të rimarrim Gjibraltarin”.
Situata me kufirin e Irlandës është më komplekse. Për disa nga qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar të cilët jetojnë në Irlandën Veriore, zhdukja totale e pikave të kontrolleve ushtarake në kufij është një nga përkujtuesit më të qartë të fundit të shqetësimeve dhe askush nuk dëshiron që një kufi si ky të kthehet.
Por kur të vijë dita që Irlanda do të jetë në BE dhe Britania jo, kufiri irlandez gjithashtu do të jetë kufiri tokësor i Britanisë me Bashkimin Evropian.
Liderja konzervatore Theresa May ka thënë që ne nuk shohim një kthim në kufij të së kaluarës, por e vërteta është se nëse Britania tërhiqet nga zona e përbashkët doganore, atëherë me sa duket disa nga kontrollet do të jenë të nevojshme në atë kufi.
Dhe nëse Britania dëshiron të ndalojë punëtorët migrantë polakë dhe romunë që të përdorin aeroportin e Dublinit si një derë e pasme në Britaninë e Madhe, atëherë duhet të bëhet diçka edhe në lidhje me këtë./Periskopi/
E përmblodhën Alex Hunt dhe Brian Wheeler, ndërsa e përktheu dhe e përshtati Periskopi