Brexit: Gjithçka që duhet të dini rreth largimit të Britanisë nga BE (II)
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë nisur bisedimet zyrtare për largim, këtu mund të gjeni një udhëzues të lehtë për të kuptuar çështjen e Brexit – duke filluar nga elementët më bazike pastaj duke ia hedhur një shikim negociatave, e përcjellë nga një përzgjedhje e përgjigjeve në pyetjet që i kemi dërguar në lidhje me Brexit (dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian) dhe BE (Bashkimi Evropian).
Çka është Neni 50?
Neni 50 është një plan për ndonjë vend që dëshiron të dalë nga BE’ja. Ishte krijuar si pjesë e Traktatit të Lisbonës – një marrëveshje e nënshkruar nga të gjitha shtetet e BE’së, e cila u bë ligj në vitin 2009. Para këtij traktati, nuk kishte mekanizëm formal për një vend që lë BE’në.
Është shumë i shkurtër – vetëm pesë paragrafe, që theksojnë se ndonjë anëtar i shteteve të BE’së që vendos të largohet nga BE’ja, duhet të njoftojë Këshillin Evropian dhe të negociojë me BE’në rreth tërheqjes së tij. Pastaj aty thuhet se janë dy vjet në dispozicion për të arritur një marrëveshje – kjo periudhë kohore mund të zgjatet nëse të gjithë pajtohen për këtë, dhe që shteti ekzistues nuk mund të marrë pjesë në diskutimet e brendshme rreth largimit të tij që zhvillohen në BE.
Cila është data kur Britania do ta lë BE-në?
Që Britania të lë BE’në, duhet t’i referohet Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës që ju jep kohë 2 vjet të dyja palëve që të bien dakord rreth kushteve të ndarjes. Theresa May e inicoi këtë proces më 29 Mars, duke nënkuptuar se Mbretëria e Bashkuar ka planifikuar që largimi të bëhet të premten e 29 marsit 2019. Kjo mund të zgjatet nëse të gjitha 28 vendet anëtare të BE’së pajtohen që Britania të largohet nga BE’ja.
Çfarë do të ndodhë me të gjitha ligjet në fuqi të BE’së në Britani?
Konzervatorët po mundohen të sjellin një Ligj Shfuqizimi. Kjo do t’i japë fund vlefshmërisë së ligjit të BE’së në Britani. Ky ligj supozohet të përfshijë të gjithë legjislacionin e BE’së brenda normave të Britanisë në një bllok, pas së cilit qeveria do të vendosë për një periudhë se cilat pjesë të vazhdojë t’i mbajë, t’i ndyshojë apo t’i heqë fare.
Laburistët kanë thënë se s’do ta marrin parasysh atë Ligj Shfuqizues nëse i fitojnë zgjedhjet, por ata i humbën. Tani po kërkojnë një numër ndryshimesh në këtë ligj para se ta mbështesin si të tillë.
Kush do të negociojë largimin e Britanisë nga BE’ja?
Theresa May krijoi një departament qeveritar, të drejtuar nga veterani dhe deputeti konzervator dhe militant i fushatës për Largim nga BE, David Davis, që do të merrte përgjegjësi për Brexit. Ish-sekretari i mbrojtjes, Liam Fox, i cili gjithashtu ishte për largim nga BE’ja, iu dha një punë e re si sekretar i tregtisë ndërkombëtare, dhe Boris Johnson’it, i cili ishte lider i fushatës për Largim, iu dha detyra si sekretar i jashtëm. Këta të tre janë vendosur të luajnë rolet e tyre në negocitata me BE’në dhe të përpiqen për marrëveshje të reja ndërkombëtare, edhe pse fjalën e fundit do ta thotë May si kryeministre.
Sa kohë do t’i marrë Britanisë të lë BE-në?
Duke qenë se ekziston Neni 50, Britania ka dy vjet në dispozicion për tërheqjen e saj. Por, askush nuk e di vërtetë se si do të funksionojë procesi Brexit – Neni 50 ishte krijuar në fund të vitit 2009 dhe nuk është përdorur asnjëherë. Ish-sekretari i jashtëm Philip Hammond, i emëruar si zyrtar i lartë nga Theresa May, ishte që Britania të qëndronte në BE gjatë fushatës së referendumit dhe sipas tij, Britanisë do t’i merrte gjashtë vjet kohë derisa t’i kompletonte negociatat për largim. Kushtet e largimit të Britanisë duhet të miratohen nga 27 parlamentet shtetërore, një proces që do të marrë disa vjet, thoshte Hammond.
Pse zgjat kaq shumë Brexit?
Zhbërja e traktateve dhe marrëveshjeve 43-vjeçare që mbulojnë mijëra çështje të ndryshme kurrë nuk do të ishte një punë që do të shkonte komplet në vijë të drejtë. Për më tepër është e komplikuar nga fakti që nuk është bërë asnjëherë më parë. Marrëveshja tregtare post-Brexit duket të jetë pjesa më e vështirë e negociatave sepse kërkon një miratim unanim të më shumë se 30 shteteve dhe parlamenteve regjionale në gjithë Evropën, disa prej të cilave ndoshta mund të mbajnë referendume.
Fokusi i pritshëm i negociatave ndërmjet Britanisë dhe BE’së
Theresa May e ka bërë të qartë se Britania nuk do të përpiqet të qëndrojë në tregun e përbashkët të BE’së, por kjo strategji tani është vënë në dyshim nga rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, me disa nga deputetët e sa, dhe Partia Laburiste si opozitë e konsoliduar – që mendohet të jenë kundër strategjisë në fjalë.
Laburistët kanë thënë se duan që Britania të mbajë të gjitha benefitet e të qenurit në një treg të përbashkët, edhe pse kjo nuk do të thotë që patjetër të jesh anëtar i BE’së. Duke qëndruar në treg të përbashkët, nënkupton që Britania të jetë nën rrethanat favorizuese të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe që duhet të lejojë emigracionin e pakufizuar në BE, sipas rregullave të lirisë së lëvizjes. Ne gjetëm deteja të tjera rreth prioriteteve të negociatave të Kryeministres May në letrën që zyrtarisht nxiti procesin e largimit nga BE’ja më 29 Mars.
Kryeministrja Theresa Mey shprehet se dëshiron që Britania të arrijë një marrëveshje të re të bashkimit doganor me BE’në. Në këtë union shtetet pajtohen që të mos imponojnë tarifa në mallrat e njëra-tjetrës dhe kanë një tarifë të përbashkët në mallra që vijnë nga jashtë. Aktualisht Britania e Madhe është pjesë e Unionin Doganor, por kjo ia ndalon asaj të lidhë marrëveshje të saja me shtete tjera.
Çka nënkupton Brexit ‘i butë’ dhe ‘i fortë’?
Këto terme po përdoren gjithnjë e më shumë si fokus i debateve për kushtet e largimit të Britanisë nga BE’ja. Nuk ka definicion të saktë të asnjërës, por të dyja iu referohen marrëdhënieve të ngushta të Britanisë me Bashkimin Evropian pas Brexit’it.
Kështu në një ekstrem, Brexit’i “i fortë” mund të përfshinte refuzimin e Britanisë për kompromise në çështje si lëvizja e lirë e njerëzve edhe nëse ndodh largimi nga tregu i përbashkët. Në anën tjetër, Brexit’i “i butë” mund të ndjekë rrugën e njejtë si Norvegjia, e cila është anëtare e tregut të përbashkët, me ç’rast duhet të pranojë lëvizjen e lirë të njerëzve si rezultat i kësaj.
Çfarë bëhet nëse nuk ndodh ndonjë marrëveshje me BE’në?
Kryeministrja May thotë se largimi nga BE pa marrëveshje çfardo qoftë ajo do të ishte më mirë se sa nënshkrimi i një marrëveshje të keqe. Pa një kontratë në tregti, Britania do të duhet të operojë nën rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, që mund të nënkuptojë kontrolle dhe tarifa doganore.
Laburistët thonë se idea e largimit pa një ujdi nuk është opsion dhe kjo do t’i bënte deputetët të thonë fjalën e tyre për marrëveshje përfundimtare të Brexit’it – por ata kanë përjashtuar mundësinë e një referendumi të dytë mbi kushte të kësaj marrëveshjeje.
Disa thonë se largimi nga tregu i përbashkët do të përbënte pak dallim sepse partnerët tregtarë të Britanisë në BE nuk do të donin të fillonin një luftë tregtare. Të tjerë thonë se kjo do të nënkuptonte kosto më të mëdha në blerje dhe shitje të mallrave për bizneset britanike.
Ka pyetje edhe rreth asaj se çka do të ndodhë me pozitën e Britanisë si qendër financiare botërore, pa qasje në tregun e përbashkët, dhe gjithashtu me çështjen e kufirit tokësor mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Është gjithashtu shqetësimi që britanikët që jetojnë në BE mund të humbin të drejtën e banimit dhe qasjen në kujdesin shëndetësor falas.
Çka ndodh me qytetarët e BE’së që jetojnë në Britani?
Të gjitha nacionalitete e BE’së me qëndrim të ligjshëm në Britani për së paku pesë vjet do të mund të aplikojnë për “statusin e qëndrimit” dhe mund të marrin me vete familjen, kjo mund të ndodhë sipas një propozimi 15-faqësh të paraqitur nga Theresa May.
Ajo thotë se dëshiron që t’u japë siguri 3.2 milionë qytetarëve të BE’së që jetojnë në Britani – po ashtu edhe qytetarëve të Zonës Ekonomike Evropiane (EAA) dhe Zvicrës.
Por çdo marrëveshje për statusin e tyre ligjor në të ardhmen duhet të jetë reciprok dhe gjithashtu të japë siguri për 1.2 milionë britanikët që jetojnë në Evropë pasi Britania të lë Bashkimin Evropian – që pritet të bëhet më 29 Mars 2019, thotë ajo.
Michael Barnier, i cili është duke udhëhequr negociatat për Brexit nga ana e BE’së, tha se dëshiron në të njejtin nivel të mbrojtjes që qytetarët aktualisht kanë nën ligjin e BE’së. Gjithashtu ka kërkuar më shumë qartësi nga Qeveria Britanike.
Çka ndodh me qytetarët britanikë që punojnë në vendet e Bashkimit Evropian?
Varet shumë në llojin e marrëveshjes mes Britanisë dhe BE’së. Nëse qeveria vendos të imponojë kufizime të lejes së punës mbi vendet e BE’së, atëherë vendet e tjera duhet të kenë reciprocitet, duke nënkuptuar që britanikët duhet të aplikojnë për viza të punës në vendet respektive.
Çka me shtetasit e BE’së që duan të punojnë në Britani?
Përsëri, varet nëse qeveria britanike vendosë të aplikojë sistemin e lejes së punës, i cili aktualisht zbatohet për qytetarët që nuk janë pjesë e BE’së, duke kufizuar hyrjen për punëtorët e shkathët në profesione ku ka mungesa. Këshilla drejtuar qytetarëve iu bën me dije atyre që të drejtat e tyre nuk kanë ndryshuar ende dhe u kërkohet që t’i kontaktojnë nëse mendojnë se janë diskriminuar.
Çfarë nënkupton rënia e vlerës së funtës për çmimet në dyqane?
Njerëzit që udhëtojnë jashtë Britanisë kanë vënë re pas votimit të Brexit’it funtat e tyre po vlejnë më pak në krahasim me euron ose dollarin. Shpenzimet ditore kanë ndikim dhe kanë një rëndësi në këtë aspekt. Edhe nëse funta rikthen vlerën e saj, ekspertët e parasë presin që ajo të qëndrojë së paku 10% më poshtë për një afat të gjatë se sa që ishte më 23 korrik.
Kjo nënkupton që importimi i të mirave materiale do të kushtojë më shumë – disa rritje çmimesh për ushqim, veshje dhe mallrave shtëpiake, gjë që veçse kanë filluar të shihen dhe çështja ishte ilustruar sidomos nga diskutimi i ashpër ndërmjet përpunuesve të Tesco’s dhe Marmite’s rreth asaj nëse çmimet në dyqane duhet ridefinohen ose jo.
A do të shkurtohet imigracioni?
Kryeministrja Theresa May ka thënë që një nga mesazhet kryesore që ka marrë nga vota për Largim është që populli britanik dëshiron të shohë një reduktim në imigrim. Gjithashtu ka thënë që kjo çështje do të jetë fokus i bisedimeve të Brexit’it dhe se mbetet e përkushtuar të ulë migrimin neto – diferenca ndërmjet numrit që hyjnë dhe dalin në shtet – deri në një nivel “të qëndrueshëm”, që sipas saj do të ishte nën 100,000 persona në vit.
Migrimi neto në Britani ishte vlerësuar të ishte 248,000 në vitin 2016 – një rënie prej 84,000 nga 2015’a. Në numrin total të njerëzve që kishin mësyer Britaninë 264,000 ishin qytetarë jashtë BE’së, 250,000 qytetarë të BE’së dhe 74,000 qytetarë britanikë. Kështu, 117,000 qytetarë të BE’së kishin lënë Britaninë, në një total prej 339,000 emigrantëve./Periskopi/
E përmblodhën Alex Hunt dhe Brian Wheeler, ndërsa e përktheu dhe e përshtati Periskopi