Brenda repartit “mediatik” të ISIS
E kontaktoj Zyad-in nëpërmjet Alexis Marant, një regjisor dokumentaresh i talentuar parisien. Ndërkohë, e pyes se cili qe motivi që e shtyu të bëhej një militant i ISIS. “Unë u bashkova me repartin mediatik të Shtetit Islamik, pasi më pëlqejnë mediat e komunikimit dhe dhe më pëlqente mënyra se si ata ishin të organizuar.” Qasja e tij ndaj xhihadit, është artistike: ai dëshironte të studionte dhe të manipulonte komunikimin, duke shfrytëzuar mjete dhe teknologji efikase dhe të kushtueshme.
Zyad e njeh mirë media center-in e ISIS-it në Raqqa: “Një qendër gjigande produksioni ndërkombëtar, e kompletuar me pajisje teknologjike të përparuara, të cilat përdoren nga profesionistë të sektorit.” Aty regjistrohen video, prodhohen filma si edhe transmetohet në valë radiofonike. Aty mbërrijnë imazhet e xhiruara gjatë betejave ose ekzekutimeve: dikush është përgjegjës për shqyrtimin e materialit, përzgjedhjen e imazheve dhe montimin. Punë e vërtetë profesionistësh. Duke e ditur se personi me të cilin po bisedoj ka qenë atje për t’u përballur pikërisht me këto gjëra, nuk mund të mos i bëj pyetjen më të pashmangshme: a nuk keni mbetur i shokuar nga ajo çfarë keni parë apo keni filmuar? Gjak, ekzekutime, të shtëna armësh, vrasje: nuk ishit i terrorizuar? Apo keni mbajtur distancën e duhur si të ishin thjesht filma fiction? “Nuk u habita kur pashë ekzekutimet, e as vrasjet,” përgjigjet ai ftohtë. Por, më pas ndjen nevojën për të saktësuar: “Si sirianë, tashmë jemi mësuar me pamjen e gjakut dhe nëse është fjala për vrasje të ushtarëve të regjimit, ne jemi të lumtur, pasi ata kanë vrarë fëmijët tanë dhe në rastin tim, të dy prindërit e mi kanë vdekur në luftë.”
Në qendrën mediatike të ISIS nuk mund të “bashkëpunosh” si këshilltar i jashtëm. Aty duhet të jesh plotësisht i përfshirë në prodhim: askush nuk mund të hyjë në studiot, të cilat ruhen nga një nivel i lartë fshehtësie. Zemra e Kalifatit nuk qëndron brenda një kazerme, e as në puset e naftës. Ajo ndodhet në një qendër mediatike. “Është një studio terrori, e cila në çdo çast mund të kthehet në një studio vdekjeje. Kjo, pasi një imazh mund të përcaktojë fatin e një personi.” Përshembull, nëse të vijnë skenarët e shkruar të dokufilmave të ISIS, do të thotë se vjen e përcaktuar edhe mënyra se si i burgosuri do të vritet, si do të torturohet përpara vdekjes, apo cili do të jetë personi që do t’i marrë jetën…
…Reputacioni i paramilitarëve dhe i terrorizmit kërkon dekada veprimesh simbolike për t’u ndërtuar, por ISIS në fakt mbështetet tek furia e transmetimeve televizive, fuqia e hashtagëve dhe tek mekanizmi i shpërndajres në rrjetet sociale. Marant bën të qartë: “ISIS ka një term për këtë: ‘Xhihad mediatik.’ Kjo tregon edhe rëndësinë e luftës mediatike në strategjinë e tyre globale.” Terroristët e Al Qaeda-s ishin të parët që e ngritën si teori, në mesin e viteve dymijë, duke njohur fuqinë e internetit për të përhapur idetë e tyre pa kurrfarë limiti e as çensure. E thoshte Al Zaëahiri, pasardhësi i Bin Laden: “Xhihadi mediatik është gjysma e betejës.” Ndërsa udhëheqësit e ISIS i kanë tejkaluar caqet, duke ndërtuar një makineri propagandistike shumë më të fuqishme se ajo e Al Qaeda-s…
…Ajo që më intereson për Zyad, është vizioni i tij i qartë për strategjinë mediatike të Shtetit Islamik. Gazetari Ëassim Nasr, ekspert i komunikimit xhihadist, argumenton se lufta në Siri, ndryshe nga ajo në Afganistan, vjen më e afërt e për pasojë, edhe më tërheqëse për mediat perëndimore. “Është një vitrinë, nje teatër me vlera të paçmueshme.” Sipas Zyad, produksionet e ISIS tejkalojnë edhe ato amerikane përsa i përket cilësisë teknologjike: prova për këtë janë kamerat dhe mikrofonat e cilësisë së lartë, të braktisura shpesh nga trupat e Shteti Islamik gjatë arratisjeve të tyre.
Në “Terror Studios,” për herë të parë tregohet se si mes profesionistësh të montazhit dhe të fotografisë, në qendrën mediatike të Raqqa-s, ka edhe mjaft të rinj, të cilët kanë punuar për studiot, duke e parë si një mundësi për të luftuar, duke vënë në veprim aftësitë e tyre, ndonëse në një luftë mediatike. Në një mjegullnajë deliri eksperimental dhe militantizmi, mes ankthit për realizimin e imazheve dhe për të punuar me pajisje, që në vende të tjera shfrytëzohen vetëm për argëtim. Thuajse askush prej tyre nuk është aty për shkak të një zgjedhjeje fetare. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Zyad: “Njëri nga ata ishte mysliman praktikant, por jo ekstremist. Dhe ai shkonte në xhami, por jo rregullisht.” Zyad e sheh gjithë këtë histori, si një hakmarrje të botës islamike ndaj kinematografisë perëndimore. “Ne arabët gjithmonë shfaqemi si të trashë në filmat hollivudianë. Por, çdo veprim ka edhe një kundërpërgjigjie dhe kjo është kundërpërgjigjia e Daesh: tanimë ata janë më të mirë se amerikanët. Në filmat aksion të hollyëood-it ka njerëz të krisur, të cilët vrasin për t’u argëtuar. Me ISIS, ndodh e njëjta gjë. Vetëm se këtu nuk bëhet fjalë për lojë, por për realitetin.”…
…Zyad dëshiron të kthehet për të luftuar në Siri, ndërsa do t’i bashkohet frontit Al Nusra dhe, sërish shkaqet janë mediatike. Fronti Al Nusra, një grup pranë Al Qaeda-s, shfrytëzon vëmendjen mediatike të ushtruar ndaj ISIS dhe për të fituar më tepër respekt nga sirianët, mban vetëm një komunikim lokal. Kështu, ata duan të tregojnë se janë më të interesuar të flasin me sirianët se sa me botën; më shumë në rrugë se sa në rrjet. Ata shihen nga shumë të rinj si “konkretë” përballë pozicionit të ISIS dhe komunikimit të tyre për spektakël. Zyad ndoshta ndien se aty ka hapësirë për një mënyrë të re komunikimi kundër “imperializmit,” siç ai përkufizon gjithçka që nuk i përgjigjet interpretimit të tij për botën…
Si do të përfundojë e gjithë kjo? Kështu përgjigjet regjisori i “Terror Studios.”
“Mendoj se ISIS me shumë gjasë, do të përfundojë i mposhtur në fushëbetejë, si Al Qaeda pas 11 shtatorit, por do të mbetet aktive si organizatë xhihadiste dhe ndoshta do të rikthehet në vende të tjera në të ardhmen, sipas mundësive. Propaganda e tyre do të mbetet e fortë në rrjet, ndonëse sasia e postimeve tashmë ka nisur të bjerë. Mendoj se xhihadizmi në një farë mënyre do të mbetet edhe për një kohë të gjatë, duke patur parasysh se pjesa më e madhe e shkaqeve reale të ekzistencës së tij, as nuk janë adresuar e as nuk iu është gjetur një zgjidhje.