Botohet libri “Lufta e fshehtë e Serbisë: Propaganda dhe falsifikimi i historisë”
Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” sapo ka nxjerrë nga shtypi librin “Lufta e fshehtë e Serbisë: Propaganda dhe falsifikimi i historisë” të autorit amerikan Philip Cohen.
Një pjesë e tërë e historisë serbe mungon. Dhe në mes të luftës së fundit jugosllave – gjakderdhja më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – politikanët serbë, propagandistët dhe historianët revizionistë kanë bërë një përpjekje cinike për të zëvendësuar pjesën e humbur duke e rishkruar historinë e Holokaustit. Sipas tyre, serbët nuk ishin bashkëpunëtorë të nazistëve në gjenocid, por thjesht viktima të të njëjtave mizori që u ndodhën hebrenjve. Po ashtu, sipas tyre, aspiratat serbe për një Serbi të Madhe nuk nxiten nga një urrejtje vrastare, nacionaliste, por më tepër nxiten nga dëshira e viktimës për të pretenduar një atdhe të sigurt, një Tokë të Premtuar Serbe. Kështu është justifikuar gjakderdhja në luftën në Kroaci dhe në Bosnjë.
Philip J. Cohen argumenton se ekzistenca e një fushate të tillë propagandistike, që buron nga Beogradi, filloi në ditët më të hershme të epokës së pas Luftës së Dytë Botërore dhe, që atëherë, është pasqyruar në mediat botërore, si dhe në komentet popullore dhe analiza shkencore. Më e habitshme është se kjo fushatë ka qenë gjerësisht e suksesshme, veçanërisht në Izrael.
Në përpjekje jo vetëm për të vendosur, por edhe për të shpjeguar të dhënat serbe gjatë pushtimit nazist, autori e kthen lexuesin e tij në Serbinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, për të zbuluar themelet e një sistemi politik dhe shoqëror që ishte ndërtuar pjesërisht mbi paragjykimet etnike dhe glorifikimin e dhunës. Prandaj, ngritja e fashizmit serb në vitet 1930 ishte e pashmangshme – e paracaktuar nga politika e pushtetit dhe rrëmbimit të tokës.
I destinuar për t’u konsideruar si një kontribut i rëndësishëm në këtë fushë, studimi i kujdesshëm i autorit Cohen për rolin serb në Luftën e Dytë Botërore do të ndryshojë në mënyrë dramatike se si studiuesit, politikëbërësit dhe publiku i gjerë e shohin gjakderdhjen në ish-Jugosllavi.
Ky libër jep fakte dhe prova të qarta objektive, të bazuara në dokumente historike, se pan-serbizmi dhe politika imperialiste serbe janë shkaqet kryesore të luftës në ish-Jugosllavi, për më tepër një kancer në Ballkan dhe Serbinë e sotme.
Ky lexim duhet të jetë i qasshëm për çdo shqiptar, boshnjak, kroat dhe hebre. Ai zbulon antisemitizmin e tërbuar prej shekujsh të Serbisë dhe rolin e saj të drejtpërdrejtë në Holokaust; synimin e saj fashist për zgjerimin territorial përmes gjenocidit dhe spastrimit etnik të kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve,për krijimin e Serbisë së Madhe; dhe revizionizmin e tij cinik dhe shkatërrues historik për ta portretizuar veten si viktimë, ndërkohë që minimizon ose largon vëmendjen nga mizoritë e tij të tmerrshme. Ky libër është një vepër shkencore, afërsisht dyzet për qind e së cilës përbëhet nga një dokumentacion i përpiktë. Dr. Cohen i ka bërë një shërbim botës duke nxjerrë në dritë fytyrën e vërtetë të Serbisë, e cila nuk ka ndryshuar asnjë grimë.
Librin “Lufta e fshehtë e Serbisë” mund ta gjeni në libraritë Dukagjini dhe Artini, si dhe mund ta porositni në faqen e shtëpisë botuese “Jakup Ceraja” në facebook. Libri është përkthyer në shqip nga Arsim Buxhovi dhe kushton 15 euro.