Bosnja është në prag të luftës, na duhet ndihma e Evropës
Në skenën hapëse të filmit që fitoi Oscar nga Danis Tanoviq të titulluar “Toka e Askujt” [No Man’s Land], që bënte fjalë për luftën e Bosnjes prej 1992 deri më 1995, një ushtar i armatës boshnjake po lexonte gazetën në një llogore. I brengosur, ai thërret: “Këqyreni çfarë muti po bën vaki në Ruandë.”
Kjo skenë, thuhet se bazohet në një anekdotë të vërtetë, e që i argëtoi shikuesit.
Edhe nëse keni qeshur edhe nëse nuk keni qeshur, atë fjali mund ta lexonit në dy forma. E para, si testament të aftësisë së boshnjakëve për të ndjerë fatkeqësinë e të tjerëve, bile edhe mes rrethanave të tyre të tmerrshme. Leximi i dytë është më pak i mirë: a duhej që ushtari i paemër të ishte aq i pandjeshëm ndaj situatës së tij tepër dëshpëruese, vdekjes dhe shkatërrimit që definoi ditët e para të pavarësisë së vendit të tij, aq sa gjenocidi në Ruandë t’i dukej më i madh?
Më 1992 në Sarajevë, unë e festova ditëlindjen time të tetë, veç disa javë para se t’ia niste batërdia. Prindërit ma bënë një aheng, të pavëmendshëm ndaj faktit që në lindje të Bosnjes dhe në luginën e Drinas – kufiri natyror mes republikave socialiste të Bosnjes dhe Serbisë – myslimanët boshnjakë, apo boshnjakët, po spastroheshin etnikisht nga forcat nacionaliste serbe.
Në fillim të atij dimri, as tmerret e betejës së Vukovarit në shtetin fqinj të Kroacisë nuk i kishin ndalur familjet sarajevase që t’i çonin fëmijët e tyre në skijim. “Nuk mund të ndodh këtu, nuk mund të na ndodhin ato gjëra neve,” – u bë mantra e përditshme. Më kujtohet se si, në ahengun tim të ditëlindjes, babai i njërit prej shokëve të mi, një kolonel i Armatës Popullore të Jugosllavisë, i mori prindërit e mi mënjanë dhe iu kallëzoi për rrezikun e pashmangshëm që na kanosej. Prindërit me qetësi i dëgjuan fjalët e tij paralajmëruese. Më vonë gjatë asaj mbrëmjeje, ata qeshën me të si të ishte i hallakatur nga mendtë. “Lufta është e pamundur këtu,” kishin menduar, të bindur në faktin se karakteristika e Bosnjes, pluralizmi, do të ishte hiri ynë shpëtues. Veç kësaj, ne jetonim në Rrugën e Vëllazërim-Bashkimit.
Ashiqare, ata e kishin gabim. Udhëtimi ynë dy-javor për të vizituar dajën tim “derisa gjërat të qetësoheshin dalëngadalë” u kthye në një odiseadë katër-vjeçare prej refugjati, ndërsa babai im kishte mbetur në shtëpi. Në ndërkohë, Sarajeva jonë ishte rrethuar. Snajperistët serbë të Bosnjes nuk bënin dallim mes ushtarëve dhe fëmijëve që luanin në rrugë. Më në jug, qyteti i Mostarit kishte përjetuar të njëjtin fat. Banja Lluka, qyteti i dytë më i madh i vendit, sistematikisht po spastrohej nga jo-serbët dhe të gjitha xhamitë po shkatërroheshin, përfshirë Ferhadijan, një vend kulturor nën trashëgiminë e Unescos. Vendi ishte dëshmitar i kampeve të torturës, përdorimit të dhunës si mjet lufte, ekzekutimeve masive të të burgosurve, përfshirë fëmijët, orgjive të dhunës që kulmuan me gjenocidin në Srebrenicë, ku mijëra vetë u vranë për vetëm dhjetë ditë. Dhe mesazhi nga bota dukej se ishte që duhej ta duronim gjithë atë që po ndodhte të vetëm – vëllazërim-bashkimin dhe jetën që po na nëmej.
Familja ime u ribashkua më 1996. Banesa jonë ishte shkatërruar, dhe babai im i kishte shpëtuar për pak vdekjes pasi një bombë ia kishte shqyer barkun fare në fund të luftës. Si shumë të tjerë, ai mbeti i paralizuar. Sipas matjeve të bëra, mes 400 mijë dhe 1,7 milionë boshnjakë vuajtën çrregullimin e PTSD-së (Post Traumatic Stress Disorder]. Nëse kishin fat që të shpëtonin.
Një prej kujtimeve më të gjalla që kam nga kthimi ynë ishte të shihja varrezën e qytetit për herë të parë në gati katër vjet. Ishte një det shtyllash të mermerta të shpërndara gjithandej kodrave, secili monument i tragjedisë së dikujt. Me 130 mijë të vdekur dhe 2,2 milionë refugjatë, askush nuk mbeti i paprekur nga konflikti. Por njerëzit u fokusuan në rindërtim – të shtëpive të tyre, të jetëve e të vendit të tyre. Vazo me lule mund të shiheshin në çdo ballkon e në çdo prag-dritare në ato ditë. Bosnja mori pjesë në Olimpiadë dhe në Eurovizion.
E megjithatë në vendin ku paqja u vendos që të parandaloheshin tmerret e mëtejme dhe ku lufta nuk kishte fitues të qartë, nuk kishte kurrfarë fundi të lumtur. Një aparat i rëndë shtetëror me 14 nivele të qeverisjes dhe pa strategji të qartë pajtimi i hapi derë lojërave të rrezikshme etno-nacionaliste dhe korrupsionit endemik. Privatizimi i kompanive të shtetit ishte i përcjellur me nepotizëm, klientelizëm dhe keqpërdorim të tmerrshëm. Papunësia mes të rinjve është rritur në pesë vitet e fundit, duke e arritur pikun në 57,5%.
Gati 25 vjet pas fundit të luftës, qytetarët boshnjakë po e pësojnë keq, me 23% prej tyre që vlerësohet se jetojnë poshtë kufirit të varfërisë së skajshme. Kjo ka çuar në një eksod të ri masiv. Vetëm në vitin 2016, u vlerësua se 80 mijë boshnjakë kishin marrë leje pune në vendet e BE-së. Së fundi, qindra e mijëra njerëz po e braktisin Bosnjen për çdo vit. Dhe ata nuk do të kthehen. Nacionalizmi toksik është edhe më tej prezent. Retorike secesioniste po shpërndahet sërish nga entiteti i Republika Srpskas [RS] prej serbëve të Bosnjes, lideri i të cilëve gjithnjë e më shumë po ngulmon që shpërbërja e Bosnjes është e pashmangshme.
Serbia fqinje, e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiqi, vazhdon të zgjerojë arsenalin e saj ushtarak, ndërsa përpjekjet e RS-së për të formuar një polici ushtarake kanë alarmuar shumë njerëz, përfshirë këshillin e sigurimit të OKB-së. Qeveria kroate u ngatërrua në një skandal pasi shërbimet e saj të inteligjencës raportohet se kanë provuar të armatosin grupe të vogla islamike në Bosnje, në mënyrë që të evidenconin pretendimet e paevidencuara se Bosnja ishte “vatra e terrorizmit në Evropë”. Historia po rishkruhet po ashtu. Në Kroaci ka një trend brengosës kundrejt fshirjes së historisë famëkeqe të ustashëve pro-nazistë gjatë Luftës së II Botërore. Ndërkohë, qeveria e RS-së po e manipulon të vërtetën rreth gjenocidit në Srebrenicë. Shumë nga ky revizionizëm politik po përkrahet nga aktorë të jashtëm e të dashakëqij, përfshirë Rusinë. Përgjigjja evropiane e butë nuk po bën asgjë.
Për ata që besojnë ende në një Bosnje të vetme e të unifikuar, ditët e atij naiviteti gabimtar moti kanë mbaruar. Pas përjetimeve të rënda të luftës së fundit, boshnjakët janë të vetëdijshëm se ky projekt multi-kulturor e multi-etnik është nën rrezik serioz. Më shumë se kurrë, neve na vyen ndihma e Evropës. Nëse Evropa e lejon Bosnjen të bie viktimë e forcave etno-nacionaliste, do ta vulos kështu fatin e saj, dhe fatin tonë. /Periskopi përktheu nga The Guardian