Boshllëku i ideve në qeverinë me qindra zëvendësministra e këshilltarë

Boshllëku i ideve në qeverinë me qindra zëvendësministra e këshilltarë

Ditëve të fundit, opinioni publik sërish reagoi me të drejtë, megjithëse në mënyrë të çorganizuar për numrin e madh të ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve në Qeverinë Haradinaj. Kosova ka qeveri shumë të madhe – sa i përket numrit njerëzve të përfshirë me funksione politike në të. Kjo e rëndon buxhetin e vogël të Kosovës, përmes rrogave, mëditjeve dhe benefiteve tjera. E në anën tjetër, nga qeverisjet poashtu të mëdha të kaluara u dëshmua se madhësia fizike e qeverisë nuk përkthehet në punë të efektshme.

Ky pushtet makrofizik, veç tjerash, e bën të qartë se Qeveria Haradinaj nuk ka vizion dhe ide të qarta për të ndryshuar dinamikat zhvillimore në vend, dhe për t’i funksionalizuar mekanizmat jo-aq-funksionale të shtetit. Boshllëkun e ideve dhe strategjive politike, duket se edhe kjo qeveri tenton ta mbulojë me trupa njerëzish.

Një qeveri e cila do të kishte plan të mirëmenduar qeverisës, në një vend kaq të vogël si Kosova, do të ishte e natyrshme t’i dukej pengesë për implementimin e atij plani, numri aq i madh i vartësve. Një qeveri me plan, nuk do të kishte nevojë për aq shumë këshilldhënës, e zëvendësues ministrash – të cilët do të duhej të funksionalizoheshin pikërisht në fushën e ideve.

Por, pse ndodh kjo?

Kjo diktohet, para së gjithash, nga mënyra sesi funksionojnë partitë politike të përfshira në koalicionin qeveritar. Asnjëra prej tyre, nuk është e profilizuar politikisht – dhe natyrshëm nuk gjen përligjje për të ekzistuar si e tillë. Të trija partitë e koalicionit parazgjedhor u ngjizën në rrethanat e pas-luftës, në kohën kur nuk kishte një vetëdije të qartë mbi zhvillimin ekonomik, për çështjet politike e për të ardhmen e vendit. Poashtu, në atë vakt, UNMIK-u administronte me Kosovën dhe qeveria e Kosovës – e kësisoj e gjithë skena politike dhe skema partiake – gjalloi në kushtet e improvizimit dhe simulimit.

Një praktikë e tillë simuluese shihet edhe sot. PDK-ja thotë se është parti e qendrës së djathtë, ashtu si AAK-ja. Ndërkohë që Nisma, kushedi pse, megjithëse derivat i PDK-së ‘së qendrës së djathtë’ u deklarua si parti ‘e qendrës së majtë’. Duke qenë në thelb të papërcaktuara, këto parti u konformuan me vlerat dhe mendësinë e shoqërisë – duke u bërë agjente të kërkesave të tyre për punësim [me shpërfillje kriteresh] e për korrupsion. Numri kaq i madh i këshilltarëve dhe ministrave e zëvendësve të tyre, e dëfton pikërisht funksionin që e morën këto parti, si agjensione punësimi [veçse në një shtresë më të lartë kësaj here]. E ndërlidhur me qeverinë makrofizike, është dhe hapja e universiteteve nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, pavarësisht mungesës evidente të kuadrit të kualifikuar madje edhe për Universitetin e Prishtinës. Edhe çështja e kolegjeve universitare private i ka shërbyer këtij punësimi dhe korruptimi të shtresave të larta në shoqërinë tonë. Pikërisht këto shtresa të larta që marrin poste politike e publike, kanë në dorë mundësinë për punësimin e më të varfërve – por duke pasë ndërlidhje me partitë në fjalë. Kjo skemë dhe kjo mënyrë pushteti, i mban në jetë partitë politike në koalicion. Dhe brenda kësaj skeme, ndodhen edhe këta qindra këshilltarë në qeverinë e madhe Haradinaj.

Qeverisjet makrofizike janë absurde në vende të vogla si Kosova. Por, absurditeti është normalitet dhe zakonshmëri kur bëhet nga parti politike që nuk kanë diskurs politik, dhe plan të përcaktuar zhvillimor. Më e rëndomta gjë që mund të ndodh nga një pushtetim i tillë nuk është një gjë seriozisht e rëndomtë, por një absurditet tjetër. Siç ishte ta zëmë, veprimi i kryeministrit për t’i pastruar xhamat e qeverisë që u gjuajtën nga protestuesit e Vetëvendosjes që kërkonin drejtësi për Astrit Deharin. Vetë Haradinaj ishte i përfshirë në protesta tjera të VV-së sa ishte në opozitë, e ku u dëmtuan ndërtesat e institucioneve të shtetit. Vetë partiakët e tij hodhën gaz lotsjellës në kuvend, dhe miratues i këtyre akteve ishte vetë kryeministri aktual.

Shpërndaje në: