Bordi i RTK-së gënjen haptas, ndryshon tekstin ku u përmendën Periskopi e Nacionale në artikullin që i lidhë ato me Vuçiqin
Radio Televizioni i Kosovës e transmetoi të hënën në edicionin qendror të lajmeve një lajm se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion të tij mediat e Kosovës.
Lajmi doli edhe në web-faqen e televizionit, ku u përmendën dy mediumet, Periskopi dhe Nacionale. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”.
Pasi RTK-ja e shpërndau këtë lajm të rremë, të njëjtin e shpërndanë me shpejtësi eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Bordit të transmetuesit publik të vendit iu desh ta mbante një mbledhje të jashtëzakonshme të martën, pas së cilës gënjeu se “RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur” Periskopin dhe Nacionalen.
“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, u tha në një komunikatë të lëshuar në mbrëmje.
Bordi tha se është shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, të cilin e cilësoi si “lëshim të qartë”. U paralajmëruan formimi i një komisioni “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim”, si dhe “masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.
Ndonëse bordi tha se në mbledhje është shqyrtuar “me seriozitet” publikimi i këtij artikulli, duket se nuk ka qenë kështu.
Si ka mundësi që bordi tha se RTK-ja s’i ka përmendur dy mediumet? RTK-ja në fakt e ka ndryshuar tekstin më pas dhe i ka hequr emrat e Periskopit dhe Nacionales, gjë për të cilën ka “screenshots” që dëshmojnë.
Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini ishte i paqasshëm në telefon për t’iu përgjigjur Gazetës Express për këtë çështje.
Për gënjeshtrën e bordit të RTK-së dëshmon edhe një postim i deputetit të LVV-së, Salih Zyba, ku kishte shkruar për “hulumtimin” e portalit boshnjak, duke thënë se “dy medie të Kosovës iu përmenden emra, Periskopit dhe Nacionales”. Kësaj ia bashkëngjiti edhe dy fotografi të ndara nga teksti i publikuar nga RTK-ja.
Kjo gjë mund të verifikohet lehtësisht teknikisht, por ngurrimi i bordit të RTK-së për të “theksuar” se dy mediumet nuk janë përmendur, e bën më pak të besueshëm synimin e sinqertë për “ndriçimin e përgjegjësisë editoriale” për këtë publikim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka alarmuar se “fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”.
Portali boshnjak publikoi një tjetër shkrim sot, por e zëvendësoi pretendimin për “milionat”.
“Slobodna Bosna” shkruan tash se “mediat kosovare janë nën observimin e njerëzve të Vuçiqit”. Rreshtat për “milionat”, portali boshnjak pranon se i shkroi “sipas burimeve nga Kosova”, ndonëse u thirr në “sekrete të BIA-s”.