Bombardimi i konsullatës shqiptare në Ukrainë, qeveria e Shqipërisë interesohet për provat

Bombardimi i konsullatës shqiptare në Ukrainë, qeveria e Shqipërisë interesohet për provat

Qeveria shqiptare ka nisur përpjekjet të dokumentojë me prova ligjore, shkatërrimin e Konsullatës Shqiptare në Ukrainë nga një sulm i Rusisë.

Mësohet se tashmë ka nisur një korrespondencë mes Ministrisë së Punëve të Jashtëm e Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare dhe asaj të Ukrainës.

Shefi i akuzës shqiptare Olsian Cela disa ditë më parë i ka dërguar homologut të tij ukrainas Andriy Kostin, një kërkesë për tu përditësuar në lidhje me mbledhjen e provave të kërkuara nga pala shqiptare.

Në letrën e parë nga Top Channel Prokurori i Përgjithshëm Olsian Cela thotë:

“Kjo kërkesë vjen në vijim të referimit nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtëme. Kërkojmë informacion mbi ecurinë e procedimit datë 9.11.2022 të rregjistruar në zyrën e Prokurorisë Publike të Rajonit Kharkiv, lidhur me ngjarjen e datës 6 Mars 2022 ku Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë njëkohësisht banesa e Konsullit të Nderit Z. Shahkin Omarov, ka qenë objekt i sulmeve të forcave ruse me pasojë shkatërrimin e tyre”.

Kërkesa e Shqipërisë e para e këtij lloji, vjen pas qëndrimeve të forta pro Ukrainës nga vendi ynë si pjesëmarrës në Këshillin e Sigurimit të OKB, nga ku u prodhua një përplasje e fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit rus në këshill, ku ishte i ftuar të fliste presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky.

Shpërndaje në: