Boksierja Cindy Ngamba – atletja e parë e ekipit të refugjatëve që fiton medalje në Olimpiadën e Parisit
Boksierja kamerunase Cindy Ngamba të dielën u bë atletja e parë në Ekipin Olimpik të Refugjatëve që fitoi një medalje në Lojërat e Parisit, duke ofruar shpresë për një ekip të krijuar për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes së refugjatëve në të gjithë botën.
Fitorja e Ngamba vjen pas një përballjeje të ashpër me boksieren franceze Davina Michel në çerekfinalet e peshave të mesme për femra.
Fitorja do të thotë se ajo të paktën ka shënuar një medalje të bronztë ndërsa kalon në gjysmëfinale, shkruan AP.
Ngamba ishte një bartëse e flamurit për 37 atletët që përbënin ekipin më të madh olimpik të refugjatëve që kur lindi ideja përpara Lojërave Verore në Rio de Zhaneiro në 2016.
Ngamba, një anëtare e komunitetit LGBTQ+, u transferua në Mbretërinë e Bashkuar në moshën 11-vjeçare dhe tha se asaj iu dha statusi i refugjatit në vitin 2021, sepse në Kamerun mund të ishte burgosur për homoseksualizëm.
Ajo ka thënë se boksi ka qenë ikja e saj nga kaosi dhe e ka ngritur në skenën ndërkombëtare. Ndërsa disa nga atletët e ekipit kanë fituar tashmë medalje olimpike për vendet e tyre në Lojërat e kaluara, Ngamba është parë si shansi më i mirë i ekipit për medalje në Paris.
Ekipi i refugjatëve ka pasur njëfarë profili në Lojërat e Parisit, duke qenë ndër delegacionet e para olimpike që lundruan përgjatë lumit Seine në ceremonitë e hapjes javën e kaluar, shkruan AP.