BMW i3 pensionohet në korrik
Në fakt BMW ka ndalur prodhimin e i3 për tregun amerikan që në vitin 2021, që do të thotë se deri në largimin e plotë këtë verë i3 do të jetë në dispozicion vetëm në Evropë dhe në disa shtete aziatike.
Edhe pse vetura ka qenë në shitje për gati një dekadë, kjo lëvizje e prodhuesit gjerman është në kundërshtim me njoftimet e mëparshme se i3 do të mbetet në treg deri në vitin 2024.
Modeli i3 aktualisht prodhohet në Leipzig dhe pas largimit të tij BMW do të punojë në përgatitjen e fabrikës për prodhimin e modelit të gjeneratës së re Mini Countryman, i cili do të fillojë montimin në gjysmën e dytë të këtij viti.
Modeli i3 nuk do të ketë pasardhës të drejtpërdrejtë, por do të zëvendësohet nga crossoveri iX1 tërësisht elektrik, që bazohet në gjeneratën e tretë BMW X1. Ky model fillimisht do të montohet në fabrikën e BMW’së në Regensburg, ndërkaq nga viti 2024 do të zhvendoset në Debrecen të Hungarisë.
BMW i3 u lancua në vitin 2013, dy vjet pasi që u prezantua koncepti i tij. Karoseria është punuar nga fibjet e karbonit dhe ka tri opsione të baterive, me një autonomi lëvizjeje prej 130 deri në 246 km. Një version me autonomi më të madhe (me një motor shtesë benzine që shërbente si gjenerator i energjisë) ofrohej në disa tregje evropiane mes viteve 2014 dhe 2018, por u braktis në ndërkohë.