Blofet burracake të Thaçit

Blofet burracake të Thaçit

Shkruan: Fatlum Sadiku

Parodia e Hashim Thaçit me konferencën për shtyp këtë javë ishte krupë në vetë. Qe fare fare e dhimbshme për kosovarin shpresëvrarë të torturohet nga një sipërmarrësi e tillë “pasdrekëshe”. Sapo u paralajmërua se do të ketë konferencë, kolegët që kisha pranë, e që pak a shumë kanë përvoja mikste në plot nga mediat e vendit, e dinin deri edhe se cilave media do t’ua ketë shkuar pytjet dikush nga vetë kabineti i Thaçit. Kush do të mund të pyeste e kush jo. Më shkuan në mendje prindërit e mijë në moshë: për ta konferenca do të ishte lajmi ditor. Sapo u ktheva në shtëpi, ashtu edhe doli të ishte.

Pra që me fillim një blof e dy realitete. Blof në kuptimin e daljes publike për të dënuar diçka për të cilën ka ditur që nga 99-ta, e që për çudi tash i’u kujtuaka, në shërbim të arsyetimeve. Kurse dy realitetet tjera: rikonfirmim i koncentrimit të kapitalit njerëzor e të gjithçkaje në Prishtinë (nuk do ta dija as vetë se kujt i’a shkruaka pytjet kabineti i Thaçit po mos të kaloja kohë në çarshinë politikisht llafazane e krejt konformiste të Prishtinës), e së këndejmi edhe i gazetarit-rob (ndaj shefit, ambasadave a i Hashimit, ka pak rëndësi), përplotësuar nga robëria e një mileti që shikon lajme dhe mendon se levat e një pushteti që kontrollojnë mediat në 3 km vend, e informuakan drejt të përhumburin në Dragash, Mitrovicë, Gjakovë a Vushtrri.

Në fakt Thaçi prej se i’a ka ndier seriozisht erën Speciales, i ka hyrë njëfarë sevdaje të vonuar natashakandiqiste. Po merret me vrasjet e pasluftës, thua se është bërë fet me ato të paraluftës e luftës. I ka aktualizuar përkuljet e çpërkuljet demek si njëfarë Willy Brandti burojas, në një kohë kur nga Serbia reciprociteti i vetëm janë arrestimet e zyrtarëve shtetëror për të cilët Thaçi krenohet se ka arritur t’i ankorojë në veri. Së fundi, Vuçiq e barazoi Nehat Thaçin me Oliver Ivanoviqin, ky i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë..

Askush nuk e mori për ofendim këtë, por dëgjuam kopalla të Edita Tahirit e Enver Hoxhajt se si Kosova po i’a del mbanë. Kjo si ironi e së sotshmes. Kurse ironi e kohës së vrasjeve për të cilat po përkulet sot Thaçi është se kur atëbotë Veton Surroi vrasjet në fjalë i pati krahasur me fashizmin, klika e Thaçit Surroin e pati quajtur “krijese me erë sllavi”. Sot Surroi shkruan libër për “autonominë territoriale të serbëve”, kurse Thaçi flet për kombëtaren e Kosovës.

Por nëse ndokush nga kabineti i tij u përkujdes për shkruarjen e pytjeve gazetarëve të blerë, duket se askujt nuk i ka rënë ndërmend t’a kujtojë Thaçit se në fakt po bën shkarje frojdiane (freudian slip) teksa po vë theksin vetëm tek vrasjet e serbëve paslufte e jo edhe të romëve, kur dihet që ajo pasluftë përbiu edhe jo pak romë (plus që rasti me racizmin ndaj zotërit Paçaku është krejt i freskët). Në fakt të qenit vend i vogël ka arritur të imponojë një ide se “një ditë gjithë kryerësit do të dalin para drejtësisë” (kujtoje vetëm saherë është përsëritur kjo sintagmë në këtë pasluftë).

Ky është një besim idiot, pavarësisht dhimbjeve tona. Është hap i duhur kur mund të kapen kryerësit, sidomos kur territori është më i lokuar, por për t’i kapur e dënuar veç e veç ata që kanë kryer krime, do të duheshin disa jetëra. Prandaj edhe natashakandiqizmi, e si duket tash edhe thaçizmi ta kujtojnë batutën e Russelit me hindusin mes krishterësh (batutë mbi induksionin). I ndodhur mes të krishterësh, hindusi pa se mëngjesi shtrohej në ora 9:00. Edhe ditën e dytë ishte njejtë, edhe të tretën edhe plot ditë radhazi. Prandaj erdhi në përfundimin logjik: “mëngjesi qenka gjithmonë në ora 9:00”. Por hindusi s’dinte për Kreshmën. E kur kjo erdhi, mëngjesi nuk u shtrua në ora 9:00, sepse të krishterët agjëruan, dhe së këndejmi ra edhe përfundimi logjik mbi mëngjesin në ora 9:00. Sfatifaksioni për krimet e kryera gjatë historisë, asnjëherë ska ardhur nga dënime numerike dhe as nuk matet me kapje përgjatë kohës, sepse shoqëria s’është tërësi numrash, por një organizëm që ngërthen edhe shpirt e instikte.

Kujtojeni Sirinë sot. Sa shekuj do duhen për t’i kapur kryerësit atje ? Ose e lëmë anash për një moment ISIS-in e tejmediatizuar: a ka dënim ndërkombëtar për Rusinë që gjuan në spitale me fëmijë? Kush ta dënojë? Konventa e Gjenevës? Bullshit! Prandaj edhe vetë ideja mbi drejtësinë ndaj krimeve të luftës tek ne është etabluar kot. Për të pasur sado pak drejtësi, do të duhej që pas luftës së Kosovës Serbia te merrte të paktën 1/10-tën e dënimeve që ka marrur Gjermania e dy luftërave botërore. Dënime në kuptimin e barrierave në sistemin ndërkombëtar, përfshi dëmshpërblime/reparacione. Përkundrazi kjo s’ngjau asnjëherë.

Duhet ditur se lufta e as hakmarrjet e pasluftës nuk shpjegohen me kategori të arsyes, por me të instiktit. Dhe instikti shqiptar i hakmarrjes në atë pasluftë (madje deri më 2004), nuk mund rë arsyetohet, por të kuptohet. Meqë jam përjetues i drejtpërdrejtë i atyre ditëve guxoj të them se hyjë në rradhët e atyre që e mbajnë në mend goxha mirë atë klimë të atyre ditëve.

Lopë tek jepte shpirt pa kofshë, të cilën i’a i kishin këputur ose forcat serbe në tërheqje ose shqiptarët e sapogdhirë në rënim; prona që ziheshin sa çel e mshelë sytë deri edhe në kacafytje e vrasje për to (pra ndodhte që si shqiptar t’ i kishe mbijetuar luftës, e falënderojë Zotin në qiell për këtë, por të pësoje për pronë meqë zotëriu në tokë s’kishte kulm mbi kokë e po uzurponte); fëmijë që të kumtonin, “i pashë qatje dy t’dekun ”, me peshë fjale që mund të matej barabërësisht me kumtimin se kanë folur me një ushtar të KFOR-it; muaj të tërë të kaluar pa e ditur në i ke familjarët gjallë…

Shkurt fjala KLIMË (PAS)LUFTEJE, e jo garë në sportin e çitjes. Atmosferë e nderë, jo pjesëtarë të armatosur të udhëhequr me joystick. Kaos e shkatërrim, jo normalitet. Hakmarrje në pjesën më të madhe spontane e pa komandë (diku diku duke mbyllur edhe vetë KFOR-i njërin sy, por që kjo s’flitet kurrë), pa planveprim e makineri pas vetes…thjesht një gamë e tërë faktesh pas vetes që do i mund të shërbenin Thaçit të paktën për të mos u kthyer në burracak të dhjerë nga Specialja, hipokrit të vonuar, e për të mos na marrur për idiotë me kujtesë prej pule a peshku.

Ka kohë që pushteti i tij ka banalizuar gjithçka nga lufta çlirimtare, saqë me gjeneratën e re e ke gati të pamundur të flasësh mbi kauzën e drejtë të krahut të luftës në kohën e duhur, ndaj që ksenomania e dëshmuar me serbë e çserbë me atentate e çatentate, duket se është epitomë edhe e zhvleftësimit të idesë çlirimtare, edhe e frikës personale edhe e shqelmave të fundit të pushtetit që nuk e ka largë grahmën e fundit.

Shpërndaje në: