Bllokimi i prodhimit vendor të energjisë: Papërgjegjshmëri, vjedhje apo tradhti?
Shkruan: Adri Nurellari
Në dhjetor të vitit 2020, pas më shumë se tre vitesh zvarritjesh burokratike, gjigandi francez Akuo Energy arriti të marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria Hoti për ndërtimin e një parku energjie me erë në Qyqavicë. Megjithatë, ky status u anulua pas ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti, menjëherë pas rotacionit politik, duke rikthyer procedurën në pikën zero. Ky vendim, me shumë gjasë, shtyu kompaninë të tërhiqej nga projekti, i cili përfshinte një investim prej 120 milionë eurosh dhe një kapacitet prodhimi prej 100 megavatësh nga energjia e erës. Në vend të kësaj, Akuo Energy zgjodhi të investojë në Maqedoninë e Veriut, ku aktualisht po realizon një park energjie diellore me kapacitet prej 400 megavatësh dhe një investim prej 270 milionë eurosh.
Një vit pas anulimit të projektit të mullinjve me erë Qyqavica, qeveria Kurti refuzoi një tjetër projekt madhor, këtë herë të ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Millennium Challenge Corporation (MCC). Projekti përfshinte një grant prej 200 milionë dollarësh për ndërtimin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë, që do të lidhte Kosovën me rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror përmes TAP-it (Gazsjellësi Trans-Adriatik). Gjithashtu, projekti parashikonte ndërtimin e një termocentrali me gaz, me një kapacitet prej 250 Më, që do të diversifikonte burimet energjetike dhe do të përmirësonte ndjeshëm furnizimin me energji në Kosovë.
Lidhja me gaz do të kishte krijuar një alternativë të re për prodhimin e energjisë elektrike dhe do të siguronte lëndë të parë për industrinë kimike, duke hapur perspektiva për zhvillim industrial dhe rritje ekonomike. Për më tepër, përdorimi i gazit për ngrohje dhe gatim do të ishte shumë më i lirë dhe më pak ndotës krahasuar me opsionet aktuale. Ky zhvillim do të zvogëlonte ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në amvisëri, duke sjellë një kursim të madh për qytetarët dhe një lehtësim të ndjeshëm të presionit mbi rrjetin energjetik.
Dy rastet e sipërpërmendura tregojnë qartë se qeveria Kurti nuk i anuloi projektet e energjisë në Kosovë për shkak se ato nuk ishin të gjelbra apo të pastërta, siç u pretendua me anullimin e projektit tjetër energjitik, atë të thëngjillit Kosova e Re që do të siguronte 500 megavaorë. 3 vendimet e tilla për bllokimin e prodhimit vendas të rrymës elektrike, ngrejnë pyetje serioze mbi arsyet e anulimit. Kjo situatë mund të ketë disa shpjegime, varësisht nga këndvështrimi.
Në rastin më të mirë, nëse duam ta shfaqësojmë qeverinë, mund të themi se këto veprime janë kryer pa prapamendim negativ apo motive dashakeqe, por thjesht si rezultat i mungesës së aftësisë, papërgjegjshmërisë, mungesës së kompetencës apo përvojës. Një vendimmarrje e tillë, për shkak të paaftësisë, mund të ketë sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe sigurinë energjetike të Kosovës, por pa qëllime të këqija pas tyre.
Megjithatë, mund të hamendësojmë gjithashtu që këto vendime janë marrë për arsye korruptive, duke shfrytëzuar një mundësi për përfitime personale apo grupore. Praktika e tregtimit të energjisë elektrike, ku energjia shitet me çmim më të ulët se tregu ndërkombëtar dhe blihet me çmim më të lartë, krijon hapësira për përfitime të majme. Ky fenomen është dëshmuar edhe në raste të tjera në rajon, siç është afera energjetike në Prishtinë.
Në një skenar më të keq, dhe larg qoftë të jetë kështu, mund të sugjerojmë se këto vendime lidhen me motive që prekin sigurinë kombëtare. Mund të jetë sabotuar qëllimisht prodhimi energjetik i Kosovës për ta bërë vendin më të brishtë dhe të varur nga importet, sidomos ato nga Serbia. Një skenar i tillë bëhet edhe më shqetësues duke marrë parasysh raportimet për një pagesë të madhe të transferuar nga GEN-I i Beogradit në favor të njërit prej individëve kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj.
Justifikimi i parë se këto vendime janë pasojë e naivitetit është gjithashtu i vështirë për t’u pranuar, duke pasur parasysh që kryeministri Albin Kurti të vetmin kualifikim formal e ka në inxhinieri elektrike, çka supozohet t’i japë njohuri mbi mbi rëndësinë strategjike të burimeve energjetike. Për më tepër, aferat e dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, Nagip Krasniqi dhe Martin Berishaj, ngjallin dyshime të mëdha. I pari përballet me akuza për abuzime në shit-blerjen e energjisë, ndërsa i dyti për transfertat e dyshimta financiare nga GEN-I, një nga tregtarët më të fuqishëm energjetikë në rajon.
Fakti që këta individë, me lidhje të ngushta me kryeministrin, janë duke u përballur me akuza e bën edhe më të vështirë për t’u besuar se këto vendime kanë qenë të pafajshme apo pa motive të fshehura. Kjo tendencë bllokuese ndaj prodhimit vendas, ngre dyshime serioze për integritetin e procesit vendimmarrës dhe motivet reale që qëndrojnë pas anulimit të këtyre projekteve jetike. Në këtë kontekst, një hetim i pavarur dhe i thelluar është i domosdoshëm për të zbardhur jo vetëm motivet, por edhe çdo lidhje potenciale të këtyre vendimeve me praktika të dëmshme për interesin publik, të cilat kanë rënduar mbi qytetarët, ekonominë e Kosovës dhe sigurinë energjetike të vendit.