Blinken shpjegon pse ShBA beson se GJNP nuk ka juridiksion mbi luftën në Gaza

Blinken shpjegon pse ShBA beson se GJNP nuk ka juridiksion mbi luftën në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar prej kohësh hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për luftën në Gaza, sepse beson se ajo “nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”.

Duke shpjeguar qëndrimin e administratës Biden, Blinken tha se GJNP ishte “krijuar nga shtetet palë të saj si një gjykatë me juridiksion të kufizuar”.

“Këto kufizime janë të rrënjosura në parimet e komplementaritetit, të cilat duket se nuk janë zbatuar këtu mes nxitimit të prokurorit për të kërkuar këto urdhërarreste në vend që t’i lejojnë sistemit ligjor izraelit një mundësi të plotë dhe në kohë për të vazhduar,” tha ai.

Blinken shtoi se prokurori i GJNP-së ka devijuar nga procesi i zakonshëm ligjor duke aplikuar për urdhërarrest, raporton CNN.

“Në situata të tjera, prokurori shtyu hetimet kombëtare dhe punoi me shtetet për t’u dhënë atyre kohë për të hetuar. Prokurori nuk i ofroi të njëjtën mundësi Izraelit, i cili ka hetime në vazhdim për akuzat kundër personelit të tij”, tha Blinken.

Shpërndaje në: