BLERIME TË ZBRAZUR

BLERIME TË ZBRAZUR

Filozofia nuk është histori e diplomacisë apo e partnerëve. Dhe kur zbulove se je bërë këshilltar vetëm prej emrit filozof, nise ta zbrazësh emrin e filozofit nga pesha etike e premtimit për mendim. Pas kësaj zbrazjeje, me ç’shpresë mund të shkoje përpara të rinjve e t’u thoshe se mendimi ka fat në këto troje dhe se Veseli, Thaçi, Grabovci e me rradhë janë rastësi? Studentët e kanë kuptuar tashmë që banaliteti është fataliteti i këtyre trojeve, qëkurse dhe filozofi këshillon ata që nuk e durojnë dot mendimin dhe dërgojnë Ramiz Lladrovcin në Universitet.

Blerim,
nuk di si të të drejtohem me një cilësim më të zhvilluar se kaq. Sepse, dy njerëz takohen në thellësinë e koncepteve që krijojnë ose komunikojnë dhe jo në zbrazjen e tyre nga lënda. Duhet të pranoj se i ke kushtuar kohë një përgjigjeje e cila në titull mban emrin tim, për aq sa e kam të përbashkët me të gjithë Elvisët e kësaj bote. Por besoj që më adresohesh mua. Për sa i takon pjesës tjetër, nuk e njoh veten. Po trajtoj shkurt disa përcaktime që më vijnë prej tekstit tënd:

“Duke qenë filozof i masave ai (pra unë) nuk mund të jetë krejtësisht imun ndaj gjuhës së tyre”. Të them të drejtën nuk të kuptoj fare këtu, sepse po qe për gjuhë masash, nëse ekziston një e tillë, mjaft të dëgjosh Veselin.

“Filoaktivist” e ke si shenjues të pjesëmarrjes sime nga jeta teorike (filozofike) në jetën praktike (politike), apo do të thuash se jam një aktivist në bazë të një filie, ndjenje? Natyrisht që nuk jam si aktivistët që njeh ti, klientelistët.

“Duhet të vish në Prekaz, i dashur Elvis, për ta ndier peshën e lirisë”. Ja një shembull tmerrësisht i pamenduar. Prekazin asnjë reflektim nuk mund ta arrijë në dinjitet.
Në lidhje me këtë fakt, bën mirë ta diskutosh problemin me Baton Haxhiun, sepse ai e kishte shumë problem që unë kisha qenë atje. Për mua Prekazi nuk është pesha e lirisë, por e turpit dhe e varreve. Mund të kishe shkruar disi më gjatë për këtë peshë të lirisë, por për ty liria është një koncept i zbrazët, pikërisht atje ku liria u mbrojt nga vëllazëria. Dhe siç e thua ti, jo nga punishtja e koncepteve, por nga real-politika e Veselit, “raporti në mes të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë nuk është raport harmonie dhe koherence”.

Eh pra. Varret e Prekazit dshmojnë thelbësisht të kundërtën: vëllazëri në liri. Ndërsa për ty e sipas teje, konstatimi se liria dhe vëllazëria nuk është raport harmonie, është kaq i thellë sa e meriton të hapë tekstin tënd. Ndaj është e domosdoshme punishtja e koncepteve, që të mos biem në të gjithë kundërthëniet e mundshme. E tradhtove rëndë Prekazin.

Ndaj ai vend është ende pesha e turpit dhe e varreve për cilindo që guxon me e vizitu. Aty liria u mbrojt nga vëllazëria. Ndaj unë nuk e kam quajtur simbol, por shenjë. Ma fal të vetmin citim. Ai vjen nga Zourabichvili, por është një trajtim i drejtpërdrejtë i Deleuze-it: “Një gjë nuk ka kuptim në vetvete, por vetëm në funksion të një force që e përfshin… Statusi i saj është me qenë shenjë, që shpie në një gjë tjetër nga vetja – te forca që shpall ose shpreh… Kuptimi nuk shfaqet veçse në marrëdhënien e gjësë me forcën, për të cilën është fenomen”. Aty ku ti barazon peshën e sakrificës me peshën e lirisë unë shoh vetëm varre dhe turp. Nga trimat që prehen aty, nën dhé, nga gratë dhe fëmijët që u dhanë trupin e gjakun për lëndë lirisë, ne njohim vetëm legjendën. Asgjë më shumë nga forca e trupave që shtrihen nën atë lëndinë. Ne jemi vonë përballë tyre.

Po! Për mua Prekazi është shenja e një relacioni vllazëror me lirinë, të cilin format shtetërore të mëpasshme e korruptuan. Ndaj sugjerim: mos i zbraz fjalët nga kuptimi, sepse do t’i përdorësh ti vetë pak më pas dhe do të tradhëtosh mendimin, veten. Varret e Prekazit janë shenja se kanë ekzistuar njerëz që nuk e tradhëtuan veten deri në çastet e fundit. Një gjuhë që e pretendojmë si konsensus, pikërisht sepse ia kemi zbrazur fjalët nga sensi, nuk është më gjuhë, por korruptim i premtimit për me mendu.
Blerim, problemi i atij që merret me filozofi është t’i gjejë vend mendimit në rendin e banalitetit, për me u prekë banaliteti dhe jo mendimi. Unë ta kuptoj pozicionin. Ti je profesor i filozofisë për të rinjtë në mendim dhe këshilltar për të vjetrit që nuk kanë shpresë në mendim. Nuk besoj se ke guxuar ndonjëherë t’i thuash ndonjë citim filozofi, apo t’i rekomandosh faqe e tituj filozofikë Veselit, sepse ti e di që banaliteti në këtë rast mund të të përgjigjet shkurt dhe qartë: “Deri këtu erdha sepse jam ky që jam, e jo sepse ndoqa këshillat e tua të certifikuara me diplomë”. Dhe ti e di fort mirë që nuk mund të jesh këshilltar i Veselëve, sepse filozofia nuk të ka shpjeguar ndonjëherë se si bëhen pazaret, ajo të ka treguar vetëm se si degjeneron politika në biznes dhe pushteti në shues të ekzistencës. Filozofia nuk është histori e diplomacisë apo e partnerëve. Dhe kur zbulove se je bërë këshilltar vetëm prej emrit filozof, nise ta zbrazësh emrin e filozofit nga pesha etike e premtimit për mendim. Pas kësaj zbrazjeje, me ç’shpresë mund të shkoje përpara të rinjve e t’u thoshe se mendimi ka fat në këto troje dhe se Veseli, Thaçi, Grabovci e me rradhë janë rastësi?

Studentët e kanë kuptuar tashmë që banaliteti është fataliteti i këtyre trojeve, qëkurse dhe filozofi këshillon ata që nuk e durojnë dot mendimin dhe dërgojnë Ramiz Lladrovcin në Universitet.

“Brenga kryesore në reagimin tënd është mbrojtja e popullit”. Ja një konstatim tjetër të cilin ti e përplotëson me një vëzhgim shumë dashamirës: “Do duhej të ndaleshe pak në kompleksitetin e konceptit popull”. Dhe sapo unë ndihem keq sepse nuk paskam reflektuar shumë në lexime shkencash politike mbi përkufizimet ontologjike ose funksionale të nocionit të popullit, në reflektime civile dhe administrative të këtij nocioni, pikërisht pra sapo unë kam shpresën se ti do të më tregosh, nga pozitat e kolegut, autonominë e filozofisë përtej realpolitikës, ti braktis veten për një citim krejt jashtë konteksti të Ernesto Laclau-t. Populli si “një shënjues i zbrazët diskursiv”. Pra, sipas teje kompleksiteti i konceptit popull, që unë nuk e njoh, qëndron në të qenit shenjues i zbrazët diskursiv. Të them se harrove se ç’deklarove 10 rreshta më sipër, nuk më duket e drejtë. Do të shmangia për pasojë kompleksitetin e shtysave të tua në reflektim. Do thosha se është më tepër një rendje tek akuzat e po atij lloji komunikimi që ti e akuzon “lumpenproletariati digjital”. Shkarazi po të vë në dukje se për ty proletariati ekziston vetëm për me mund me akuzu dikë, ka lëndë vetëm kur duam të shajmë dikë si proletar, por nëse duam për shembull të flasim për konceptin e proletarit, ky do të ishte sigurisht një term i zbrazët. Sepse masat, populli dhe proletari janë moduse njerëzore që janë kaq lëndë sa, nga pozitat e cinizmit tënd, nuk kanevojë për emër.

Edhe popullin madje e përdorim nëse duam të akuzojmë dikë për populist, po jo sepse populli ekziston në të vërtetë. Dhe këtu, veç pa dashjen tënde, ti ke të drejtë. Konceptet ekzistojnë pikërisht sepse duam të ngjallim të dukshmen në rendin e gjërave që i fsheh. Nëse VV dhe unë jemi populistë sepse duam të ngjallim aftësitë virtuale dhe virtuoze të një populli, atëherë ne e mbajmë me nder akuzën e të qenit populist. Pak rëndësi ka që ti e barazon virtualin me fiktiv, pak rëndësi ka që për ty natyra e banalitetit është me qenë konkret. Pikërisht pse është konkret, sado banal, i duhet shërbyer. I duhet dhënë jetë konkretes, vdekatares së njeriut, përkundër virtualitetit të mendimit që kërkon aktualizim të përjetshëm – kujto varret e Prekazit, ku ti ndjen lirinë dhe unë turpin.
Te ty, Blerim, nuk fiton profesori i filozofisë, por këshilltari i Veselit. Emri më i zbrazur për ty në fakt është koncepti filozofi. Kisha renditur të paktën 32 gabime dhe ngatërrime në tekstin tënd. Dhe kur u ula të shkruaj kisha ndër mend t’i merrja të tërë në analizë. Por, po ta bëjë një gjë të tillë i marrë kohën përkthimit që po bëj aktualisht. Nuk është sekret. Po përkthej versionin e Republikës së Platonit të shkruar nga Alain Badiou – maoistit, siç e njeh ti. Duke qenë maoist ti i kursen vetes kohën e leximit, ashtu siç mund të thuash për Heidegger-in se është nazist, për Marx-in se është themelues i diktaturave të proletariatit, që në fakt i vunë në jetë njerëz të cilët i zbraznin konceptet nga marrëdhënia liri-mendim. Nietzschen nuk e lexojmë se e pëlqente Hitleri. Por në fakt të gjithë këta nuk i lexon ti, sepse në ndarjen e fortë mes vetmisë në punishten e koncepteve dhe banalitetit në zyrat e Veselit, ti ke parë që ka fituar e dyta. Kështu që, ai që e bën të mundshëm korruptimin, është ai që hap fjalën se i ka dhënë ndonjë këshillë filozofike Veselit. Korruptimin në akt e merr përsipër Veseli. Atij i lipset vetëm korruptimi i emrit filozof. Por meqë ti e ke zbrazur këtë emër tashmë, mund të tallet Veseli me ty në çdo ditë të jetës së tij prej pushteti anti-mendim.

Korruptimi yt e kthen më së pari Prekazin në peshë të varreve të bardhë, dhe jo në shije të lirisë. Këtë veti ka korruptimi, nuk lejon më as gjuhë dhe as vete, as mendim e as subjekt.

Të premtoj se do të të përgjigjem sa herë që ta marrësh përsipër të më adresohesh, edhe pse do të më duhet të gjejë kohë tjetër për përkthimin e një vepre shumë të vlefshme për studentët si puna ime, e jo për studentët e këshilltarëve si puna jote.

Shpërndaje në: