“Bitcoin”-it i bie çmimi “për toke”, s’ka qenë asnjëherë më i ulët në 18 muajt e fundit
Kriptomonedha më e madhe në botë, Bitcoin, ra të hënën në tregtimin aziatik në nivelin më të ulët në 18 muajt e fundit. Rënia u ndikua nga të dhënat shqetësuese për inflacionin në Shtetet e Bashkuara, gjë që shkaktoi pasiguri tek investitorët.
Vlera e Bitcoin ra me 8,9 për qind në 24,903,49 dollarë, që është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020, raportoi “Bloomberg” të hënën.
Edhe kriptovaltat tjera ranë.
Indeksi MVIS, që mat vlerën e 100 kriptomonedhave kryesore, ra me 9.7 për qind.
Analistët thonë se kriptovalutat janë në ballë të politikës monetare të Rezervës Federale, e cila duhet të vendosë këtë javë për një rritje të re të normës së interesit të referencës në mënyrë që “të ftohë” inflacionin e lartë.
Disa madje vlerësojnë se bitcoini mund të bjerë nën 15,000 dollarë për shkak të klimës së krijuar, përkatësisht frikës që ka kapluar tregun.
Tregtarët po vënë baste gjithnjë e më shumë për rritje më agresive të normave të interesit të Rezervës Federale, pasi të premten u njoftua se inflacioni në SHBA arriti në 8.6 për qind në maj, krahasuar me të njëjtin muaj në vitit 2021, që është niveli i tij më i lartë që nga dhjetori i vitit 1981.