Bien pretendimet e Greqisë, Fredi Belerit i jepet leja për t’u betuar si eurodeputet

Bien pretendimet e Greqisë, Fredi Belerit i jepet leja për t’u betuar si eurodeputet

Rrëzohen pretendimet dhe aludimet e Greqisë se qeveria shqiptare do të bllokojë betimin e Fredi Belerit e si pasojë do t’i digjet mandati si eurodeputet.

Burime nga drejtoria e burgjeve i konfirmuan Top Channel se është miratuar leja që ai të udhëtojë e të bëjë betimin pasi nuk ka ndonjë pengesë ligjore tashmë që ka marrë një dënim të formës së prerë.

Pritet që Beleri të udhëtojë drejt Strasburgut të hënën.

Ky është një rast i paprecedentë kur një i dënuar me formë të prerë do t’i duhet të lërë qelinë nga një burg shqiptar, e të udhëtojë jashtë vendit.

Do të jetë komisioni i lejeve në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve ai i cili do të vendosë për modalitetet e sigurisë të udhëtimit.

Nëse do të shoqërohet Beleri nga punonjës të policisë së burgjeve shqiptare apo do të jetë policia e Strasburgut ajo e cila do ta presë në aeroport e përsëri do ta çojë në aeroport për kthim në Shqipëri, kjo nuk është vendosur ende.

Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, Fredi Beleri ishte në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë Demokracia e Re.

Si çdo eurodeputet tjetër, nga data 16 korrik deri në 19 korrik, Beleri duhet të jetë fizikisht në Bruksel për të kryer betimin.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Shqipëri vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jordgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën. /tch/

Shpërndaje në: