Biden: Vetëm ‘Zoti i Plotfuqishëm’ mund të më bindë të largohem nga kandidimi për president

Biden: Vetëm ‘Zoti i Plotfuqishëm’ mund të më bindë të largohem nga kandidimi për president

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë atë që t’i japë fund garës për president pasi dha një intervistë të rrallë në “primetime” në një përpjekje për të qetësuar shqetësimin e demokratëve për kandidaturën e tij.

Duke folur për ABC News, Biden refuzoi gjithashtu të bënte një test njohës dhe t’i bënte rezultatet publike në mënyrë që të siguronte votuesit se ai është i aftë për të shërbyer një mandat tjetër, shkruan bbc.

“Unë kam një test kognitiv çdo ditë. Çdo ditë e kam atë test – gjithçka që bëj [është një test]”, tha ai.

Demokrati e kundërshtoi edhe një herë idenë, e transmetuar nga disa zyrtarë dhe donatorë demokratë, se ai duhet të zëvendësohet me një alternativë më të re pas debatit katastrofik me Donald Trumpin.

 

“Unë nuk mendoj se dikush është më i kualifikuar për të qenë president ose për të fituar këtë garë se unë”, tha 81-vjeçari, duke arsyetuar performancën e dobët të javës së kaluar me lodhjen dhe një “ftohje të keqe”.

Në krahasim me debatin kundër republikanit, Donald Trump, Biden gjatë një tubimi në Madison, Wisconsin, ai ishte më energjik dhe më këmbëngulës.

“Që atëherë, ka pasur shumë spekulime. Çfarë do të bëjë Joe? Këtu është përgjigja ime. Unë jam duke kandiduar dhe do të fitoj përsëri”, pohoi ai, ndërsa mbështetësit në shtetin vendimtar të fushëbetejës brohoritnin emrin e tij.

Fushata e tij po planifikon një rikthim agresiv. Gruaja e tij, Jill Biden, si dhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris, po planifikojnë disa udhëtime në shtetet e luhatura rreth mbështetjes për Bidenin.

Ndryshe, Biden dhe Trump do të përballen edhe në një debat televiziv para zgjedhjeve presidenciale amerikane, të cilat do të zhvillohen më 5 nëntor. /Telegrafi/

Shpërndaje në: