Biden: Jam i sigurt se Trumpi do të përsërisë dhunën nëse humb zgjedhjet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi, se nuk ka besim që do të ketë një transicion paqësor të pushtetit nëse Donald Trumpi humbet zgjedhjet presidenciale në nëntor.
Në intervistën e tij të parë që kur u largua nga gara presidenciale muajin e kaluar, Biden tha se nuk ka besim fare te Trumpi dhe te gjërat që ai thotë.
Komenti i Trumpit në mars se do të ishte “një gjakderdhje për vendin” nëse ai humbet zgjedhjet, teksa po fliste për industrinë e automobilave, shkaktoi një valë kritikash.
Demokratët nxituan të përsërisin mesazhin e tyre se ish-presidenti përbën një kërcënim për demokracinë. Fushata e Bidenit e përdori komentin “banjë gjaku” në një reklamë të postuar në llogaritë e saj në mediat sociale dhe një zëdhënës e akuzoi Trumpin për inkurajim dhe justifikim të dhunës politike.
Sidoqoftë, fushata e Trumpit tha se komenti kishte të bënte veçanërisht me industrinë e automobilave dhe ishte nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit.
“Ata e kuptuan plotësisht se po u referohesha thjesht importeve të lejuara nga Joe Bideni, të cilat po vrasin industrinë e automobilave”, shkroi Trumpi në mediat sociale.
Biden e ka shprehur edhe më parë shqetësimin se ish-rivali i tij nuk do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Gjatë debatit presidencial në CNN në qershor, Trumpi u pyet drejtpërdrejt nëse ai do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve të 2024-s.
“Nëse janë zgjedhje të drejta, të ligjshme dhe të mira, absolutisht ,” u përgjigj ai duke mos vijuar më tej me përgjigjen.