Beteja ligjore për Arkitektin e kurdisur të Kryeqytetit

Beteja ligjore për Arkitektin e kurdisur të Kryeqytetit

Kur morën refuzimin e parë nga Gjykata e Tenderëve, edhe pse kishin faktuar dhjetëra ankesa në favor të tyre, konsorciumi i operatorëve “Gjeokonsult&CO” nuk u dorëzua.

Ata provuan të përdornin edhe kartën e fundit, e cila një herë nuk iu ndezi.

Tashmë ishin në fazën e fundit dhe fituesi i tenderit 12 milionësh dihej: ishte pikërisht konsorciumi i krijuar mes “Anarch” dhe “Ardi Ç”, që për çudi edhe emrin e kishte të njëjtë si tenderi që e fituan “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.

Ky konsorcium mori mundin të ankohej përsëri në Gjykatën e Tenderëve dhe ankesa erdhi vetëm pak ditë pasi kjo gjykatë hodhi poshtë të gjitha faktet që ata dërguan për gjykim, megjithëse kësaj here atje dërguan fakte në numër më të pakët.

Sipas operatorit ekonomik, kompania fituese “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ishte e pashpjegueshme që në fillim pasi nuk kishte dorëzuar propozimin financiar sipas formularit të përcaktuar nga autoriteti kontraktues.

Ata pretendonin se kompania fituese kishte ndryshuar formatin duke fshirë kolonën e poentimit në %.

Madje, sipas tyre, propozimi financiar i fituesit të tenderit dorëzoi një ofertë jo të përgjegjshme dhe të parregullt, për çka thanë se operatori ekonomik “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” KA SHKELUR LIGJET DHE RREGULLORET E VENDOSURA DHE TË PËRCATUARA NGA KRPP, gjë për të cilën komisioni i vlerësimit të ofertave duhet të kërkonte diskualifikimin e menjëhershëm.

Ky operator pati edhe një ankesë tjetër kundër fituesit, duke aluduar se fituesi ishte më i shtrenjtë se ta:

“Më datën 31.05.2023 na dërgohet në email dhe publikohet në sistem e-prokurimi Njoftimi mbi vendimin e AK i datës 30.05.2023. Në këtë njoftim njihemi me një vlerë të re oferte për GOE Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit e poentuar prej 78,152.38 € dhe se çmimi prej 394,984.55€ i lexuar, shënuar dhe firmosur nga palët në Procesverbalin e Hapjes së Tenderit kishte qenë çmimi njësi, në kundërshtim me pikën 27.14 të Rregullores 001/2022”.

Duke marrë për bazë faktet që kishte bashkangjitur në ankesën e 16 qershorit ky konzercium që vinte nga Shqipëria e që ishte në përbërje të “Geokonasalt &co” dhe “Instant.al”, përveç që kundërshtonin fituesin, theksonin edhe faktin se Kuvendi i Komunës se Prishtinës kishte hapur një procedurë tenderuese me fitues të paracaktuar.

“Ka fshirë kolonën e poentimit në formatin e aplikimit të ofertës financiare në kundërshtim me pikën 44 të Rregullores 001/2022, për të konfuzuar dhe jo saktësuar ofertën e tyre financiare, duke e bërë ofertën të pa përgjegjshme dhe të parregullt. Çmimi i poentuar i dhënë nga Operatori Ekonomik Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, i lexuar dhe konfirmuar me firmosje në Proces Verbalin e hapjes së tenderit, është 394,984.55€, dhe si i tillë është çmimi më i lartë i ofruar për këtë procedurë, duke klasifikuar këtë OE si radhë të dytë. Çmimi i dhënë në Formularin e Tenderit nuk mund të ndryshohet, dhe është vetëm vlera që duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit financiar të ofertës”.

Nga AK janë bërë llogaritjet e tyre në mënyrë të ndryshme nga ato të shprehura në formularin e ofertës, me çmime të cilat nuk rezultojnë askund në ofertën e dorëzuar nga OE Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit.

Sipas tyre, është shkelur LIGJI dhe Rregulloret e Prokurimit Publik nga ana e AK.

Por, pa kaluar dhjetë ditë pas ankesës, Gjykata e Tenderit ua dha shuplakën e fundit.

Më 26 qershor 2023, Organi Shqyrtues mori një vendim të dytë dhe nuk angazhoi fare ekspertë shqyrtues, pasi vlerësoi se ankuesi nuk e kishte statusin e palës së interesit.

Në këtë vendim të 26 qershorit, që mban nënshkrimin e Vedat Poterqoit si Kryetar i Panelit Shqyrtues, i cili është i njëjti që kishte marrë edhe vendimin e dytë, tha se autoriteti kyç është bazuar në tri fakte, të cilat ishin kontestuar nga operatorët: çmimi më i lirë, operatori i përgjegjshëm dhe fakti që, sipas tyre, nuk kishte aplikuar ndonjë ndryshim material në dosjen e tenderit.

Shpërndaje në: