Besfort Zeneli pasi ia ktheu shpinën Kosovës: Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Suedinë

Besfort Zeneli dikur ishte pjesë e Kombëtares U-21 të Kosovës.
Aty qëndroi shkurt dhe më pas e braktisi vendin e prindërve të tij, për të cilin tha se nuk do të luante më.
E tash, mesfushori kosovar thotë se në mendjen e tij gjithmonë ka qëndruar Suedia, aty ku është lindur dhe rritur.
22 vjeçari nuk i ndoqi hapat e vëllait të tij, Arbër Zeneli, i cili qe një kohë të gjatë është pjesë e Dardanëve, shkruan “Gazeta Express”, transmeton Periskopi
Futbollisti i Elfsborgut dje u ftua nga selektori Jon Dahl Tomasson për miqësoret e marsit dhe ai e sheh veten në qiellin e shtatë pasi e realizoi ëndrrën e kamotshme.
“Ishte një lajm shumë pozitiv. Trajneri Tomasson ma shpjegoi situatën dhe se çka po mendonte. Folëm se si e sheh futbollin dhe si më sheh mua. Më tha se më kishin ndjekur prej kohësh dhe se iu pëlqente ajo që e shihnin tek unë. Pastaj më tha se llogariste në mua për ndeshjet e marsit. Ishte paksa tronditëse dhe e papritur për mua, por mbi të gjitha ishte tepër argëtuese. Një ndjenjë shumë e këndshme për mua. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për kombëtaren suedeze”, deklaroi Besfort Zeneli për mediumin suedez “GP”.
Menaxheri i Kombëtares suedeze, Stefan Pettersson ka dhënë indikacione të qartë se Zeneli e ka zgjedhur Suedinë.
Ndryshe nuk do të ishte përzgjedhur në listë. Kemi folur shumë me të dhe për qëndrimin e tij për të luajtur për Suedinë. Nuk ka dyshime dhe nuk ka pasur kurrë më parë tek ai. Nëse do ta përfaqësonte një kombëtare, do të bënte me kënaqësi për Suedinë”, theksoi Pettersson.
Suedia do të luajë me 22 mars me Luksemburgun dhe më 25 mars me Irlandën e Veriut.