Bërnabiq: Është tërhequr nga agjenda kërkesa e Kosovës për t’u bërë mysafire speciale në KiE

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi të mërkurën se kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “është hequr nga rendi i ditës”.
Kërkesa e Kosovës ka qenë në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili po mbahet sot në Paris.
Bërnabiq, gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, tha se për këtë e ka njoftuar shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bilana Pantiq.
“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Bërnabiq.
Prezent në takimin e sotëm janë edhe Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi, anëtarë të delegacionit të Kosovës pranë Këshillit të Evropës. Radio Evropa e Lirë është duke bërë përpjekje t’i kontaktojë ata për një koment.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Asambleja Parlamentare mund t’i japë statusin e mysafirit të vecantë parlamentareve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por të cilat kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të ulën në Asamblenë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.