“Berliner Zeitung”: Lumir Abdixhiku është shpresa e konservatorëve
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përkrahjen e deputetit gjerman, Peter Beyer dhe politolgut Ulrich Schlie.
Peter Beyer, deputet i CDU-së në Bundestag, ka shprehur mbështetjen e tij për Abdixhikun, duke e cilësuar atë si një politikan serioz dhe të aftë gjatë një prononcimi për mediumin gjerman “Berliner Zeitung.”
“E njoh Lumir Abdixhikun prej shumë vitesh dhe kam bashkëpunuar me sukses me të brenda familjes së Partive Popullore Evropiane (EPP),” deklaron Beyer për Berliner Zeitung.
Ai e vlerëson kreun e LDK-së si një lider me përvojë dhe të sinqertë, i cili kupton rëndësinë e reformave për të ardhmen e vendit.
“Ai dallohet si një lider i ri, por njëkohësisht i përvojë dhe i sinqertë,” shton Beyer. “Ai është një njeri me një vizion realist: ai e kupton që reformat strukturore janë të domosdoshme,” shtoi politikani gjerman i CDU-së.
Një vlerësim të ngjashëm dha edhe profesori gjerman Ulrich Schlie, ekspert në çështjet e sigurisë dhe strategjisë në Universitetin e Bonit.
“Duke marrë parasysh zhvillimet politike në Evropë, e ardhmja e Kosovës ka një rëndësi vendimtare për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor,” thotë profesori i studimeve të sigurisë dhe strategjisë në Universitetin e Bonit.
“Për ta bërë perspektivën evropiane të Kosovës realitet në të ardhmen e afërt, nevojiten politikanë që, si Abdixhiku, i përkushtohen vlerave evropiane,” shton Schlie.