Berisha videomesazh për protestën: Nesër fillojmë mosbindjen civile

Berisha videomesazh për protestën: Nesër fillojmë mosbindjen civile

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një videomesazhi ndërsa ndodhet në arrest shtëpie nën akuzë për dosjen e ish-kompleksit “Partizani”, iu adresua qytetarëve një ditë para protestës kombëtare të thirrur nga PD.

Berisha tha se nesër në Shqipëri, fillon mosbindja civile, pa kthim, deri në vendosjen e qeverisë teknike.

“Kjo mosbindje civile, data 7 tetor, është nisja e kapitullit të fundit, e kësaj historie të zezë 11-vjeçare, të historisë së Shqipërisë, një historie që do të lejë mbrapa shkatërrimet më destruktive, të themeleve ku mbahet Shqipëria dhe shqiptaria. Kjo mosbindje civile, nesër, vjen si përgjigja e vetme, që opozitës së shqiptarëve, shpresës së fundit të Shqipërisë, i ka mbetur ndaj narkoshtetit të Edi Ramës, bazuar në krimin, drogën, vjedhjen dhe dëbimin e shqiptarëve”, tha Berisha.

Sipas tij, nesër është radha e opozitës.

Duke risjellë disa nga momentet kryesore që ka kaluar opozita në 3 vitet e fundit, Berisha tha se kjo protestë nuk vjen si rrufe në qiell të hapur, pasi opozita ka zhvilluar disa protesta kombëtare dhe ka mbajtur fjalime e ka kryer denoncime.

Por, tha ai, përgjigja që morën ishte egërsimi i luftës ndaj opozitës.

“Dhe sot opozita… mbas 3 vitesh paralajmërimi për mosbindje civile. Mbas 7 protestash kombëtare… ku ka përsëritur në dhjetëra fjalime kërkesat e saj, ka marrë vendimin. Vendimin për ti dal zot fatit të Shqipërisë, si shpresa e vetme që u ka mbetur shqiptarëve. Vendimin për të t’iu përgjigjur fushatës së terrorit të Edi Ramës, me sakrificat qytetare fisnike të mosbindjes civile për votën e lirë”, tha Berisha.

Sipas tij, nesër nis paralizimi i narkoshtetit, por vendoset edhe precedent për demokracinë.

Shpërndaje në: