A bëri krim Shpend Ahmeti kur hypi në jaht?

A  bëri krim Shpend Ahmeti kur hypi në jaht?

Mesjeta është një periudhë historike kur Evropa e sotme ka qenë e zhytur në varfëri. Edhe pse kemi qenë ekonomikisht më të zhvilluar, as gjendja në anët tona nuk ka qenë shumë më e mirë.

Evropa ka filluar të dalë nga ajo që quhet Mesjetë dhe ka kaluar gradualisht në renesansë në vitet 1500-1600, në fillim kulturalisht e më pastaj edhe ekonomikisht. Ndërsa ne kemi vazhduar të jetojmë në feudalizëm në aspektin ekonomik, social e kulturor edhe për 500 vite të tjera deri në vitin 1945, kur edhe kemi kaluar drejtpërdrejt nga feudalizmi në socializëm.

Socializmi tek ne ka ndryshuar sistemin ekonomik, por jo edhe mentalitetin socio-kulturor. Jo vetëm gjatë socializmit, por edhe pas kalimit në kapitalizëm, elemente të këtij mentaliteti vazhdojnë të mbizotërojne ende tek një pjesë e konsiderueshme e popullatës, madje edhe ndër elita të arsimuara e ndër gazetarë.

Kjo shumë mirë u shpërfaq edhe në rastin lajmit lidhur me qëndrimin e kryetarit të Prishtinës në jahtin e një biznesmeni.

Në feudalizëm pasuria ishte e trashëguar dhe nuk ka pasur gjasa që dikush të bëhet i pasur me punë e gjindshmëri. Pra i pasuri ose e kishte pasurinë e trashëguar ose nuk ishte i pasur fare. Rrjedhimisht, sot në Kosovë, një pjesë e qytetarëve ende e sheh biznesin dhe biznesmenin si diçka të pandershme. Pasi që në mentalitetin e tyre feudal e mesjetar çdo formë tjetër e krijimit të pasurisë përveç në formë të trashëgimit është e papranueshme. Për ta biznesi automatikisht nënkupton dallavere, ndërsa biznesmeni person i cili fiton pasuri të majme duke mashtruar popullin e duke maltretuar punëtorin e gjorë.

Tek ne po ashtu nuk është zhvilluar ende ndjesia e fortë e indvidualizmit dhe suksesit të bazuar në punë e gjindshmëri në raport ndjesinë e pasivitetit që karakterizon feudalizmin dhe kolektivizmin .

Pasi që për këtë mentalitet biznesmeni është dallavererxhi, edhe politikani që shoqërohet me biznesmenin duhet të jetë apriori i korruptuar.

Nuk dua të them se politikani duhet të kaloj kohë domosdo me secilin biznesmen. Janë disa biznese me të cilët (edhe pse supozohet të jenë të ndershëm dhe taksapagues të rregullt) të zgjedhurit e popullit nuk kanë nevojë të kalojnë kohë. Së paku jo detyrimisht.

Këtu mund të marrim si shembull kompanitë e tregtisë me shumicë e pakicë (në këtë kategori hyn edhe kompania ELKOS e zvkryeministrit Ramiz Kelmendi) apo kompanitë e sigurimeve (të veturave sigurimetve shëndetësore etj). Këto biznese nuk kontriboujnë asgjë në zhvillimin ekonomik të vendit pasi që nuk kontribuojnë asgjë në rritjen e pasurisë së vendit.

Ndërsa është një grup tjetër i bizneseve të cilëve politikani jo vetëm që preferohet, por e ka edhe për detyrë t’u shërbej. Këtyre bizneseve, politikani duhet të ju qëndroj gatitu dhe të ju ofroj të gjitha ndihmat e mundshme, përfshirë edhe tokë falash dhe lirim nga taksat. Për shembull në Serbi këtyre bizneseve shteti u ofron tokë dhe pronë falas e po ashtu edhe u dhuron nga 10.000$ si lirim nga tatimi për secilin punëtor që punësojnë.

E kam fjalën për bizneset që merren me prodhim.

Ironia është se në Kosovë këto biznese jo vetëm që nuk kanë asnjë përkrahje të posaçme nga shteti, por edhe akuzohen për kinse shpërdorime të pronave në kuadër të procesit të privatizimit. Prona të cilat në Serbi dhe Maqedoni shteti do t’ua ofronte falas.

Njëra nga këto biznese është Devolli Group që punëson rreth 1,000 punëtorë në mënyrë indirekte dhe të drejtpërdrejtë, dhe në jahtin e të cilit ka qëndruar Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Në këtë kontekst nuk më brengosin aq shumë akuzat ndaj Kryetarit Ahmeti sa ajo për çka akuzohet. I tërë debati është sillur rreth asaj nëse Shpendi ka qenë në jaht apo jo, duke e konsideruar apriori qëndrimin në këtë jaht si faj dhe duke shpallur apriori dhe pa kurfarë fakte njeriun që punëson 1,000 punëtor si kriminel. Në etiken time gazetareske fakti nënkupton ndonjë dokument që në mënyrë eksplicite dokumenton fajësinë, vendim i gjykatës, apo ndonjë video apo audio incizim përmes të cilit dokumentohet fajësia. Deri me tani nuk kam parë asnje nga këto prova në akuzat ndaj Devolli Group.

Me këtë mentalitet, unë mendoj se shkalla e papunësisë nuk është as për së afërmi keq sa do të duhej të ishte, dhe ende nuk e kam të qartë se pse kompanitë prodhuese kosovare nuk e kanë bartur biznesin e tyre në Maqedoni apo edhe në Bullgari ku kushtet për investim i kanë disa herë më të favorshme se në Kosovë.

Personi apo kompania që punëson 1,000 punëtorë në ditët e sotme në Kosovë, nëse nuk ka fakte për ta klasifikuar si kriminel, duhet të trajtohet me respekt të madh, dhe politikani i cili ja dëshiron të mirën këtij vendi e ka për detyrë dhe për obligim t’i shkojë jo vetëm në jaht, por kur do dhe në cilindo vend që kërkon ai biznesmen. Shërbimi ndaj këtij biznesi, për politikanin nuk duhet të jetë çështje e vlerësimit, por obligim dhe detyrë ku shërbimet si falja e tokës, lirime nga tatimet apo ndihma në plasimin e produkteve të tyre nuk duhet të konsiderohet si favor, por si obligim shtetëror.

Prandaj kompanitë si Devolli Group, Rugova, Meka, Pestova, Fluidi, Tre Pharm, Kosova tex, El Nor, Gacaferri e shumë kompani të tjerë meritojnë respekt të madh dhe duhet të trajtohen me respekt, jo vetëm nga shteti, por edhe nga qytetarët. Nëse nuk i trajtojmë kështu, shumë lehtë ka mundësi që t’i bartin investimet e tyre në vendet tjera të rajonit.

Prandaj, është koha e fundit që ta bëjmë kalimin nga feudalizmi në modernizëm e kapitalizëm. Jo vetëm si ekonomi por edhe si mentalitet.

Shpërndaje në: