Bëri debutimin në Superligë me fanellën e Prishtinës, Donart Llabjani: Përgjegjësi e madhe të luash për klubin më të trofeshëm kosovar
Skuadra e Prishtinës u mposht në javën e 31-të në Superligën e Kosovës, por për talentin Donart Llabjani ishte një ndeshje që e kishte ëndërruar që prej se filloi me sportin e futbollit. Pra debutimin me fanellën e klubit kryeqytetas.
“Është kënaqësi, nder por dhe përgjegjësi të djersitësh fanellën e ekipit më të trofeshëm kosovar”, ka theksuar Llabjani për Indeksonline.
Djaloshi 19-vjeçar që luan si mesfushor e kishte nisur karrierën me ekipin e Dinamos së Ferizajt për të vazhduar me ekipet U17 dhe U19 të Prishtinës.
Me ekipin U21 ka pasur më së shumti minutazh në fushën e blertë, duke shënuar gjashtë herë dhe asistuar pesë herë.
“Pa dyshim se pas një pune të gjatë dhe të frytshme që kam pasur me grupmoshat e reja, stërvitjeve me ekipin e parë dhe qëndrimit në bankën rezervë, dje më është dhënë rasti nga trajneri dhe stafi i klubit që të debutoj”, ka thënë ai.
“Për mua ishte diçka impresionuese dhe do jetë mbreslënëse që arrita të jepja kontributin tim në një ndeshje shumë të rëndësishme kampionale, sidomos ndaj ekipit që synon titullin e kampionit, siç është Llapi”, vazhdoi tutje futbollisti i Prishtinës
Llabjani shpreson se do të ketë më shumë mundësi për ta treguar veten para trajnerit dhe stafit teknik të Prishtinës. Llabjani është ftuar edhe nga ekipi U20 i Kombëtares së Kosovës dhe shihet si e ardhmja e futbollit vendor.
Talenti i Prishtinës, Donart Llabjani 🔥🔥 pic.twitter.com/AY3bGAlH26
— LIG Sport (@lig_sport) April 29, 2024