Bëri buzët botox tek floktarja, 30 vjeçarja nga Prishtina e pëson keq: Pjesa e injektuar u mbush me qelb

Bëri buzët botox tek floktarja, 30 vjeçarja nga Prishtina e pëson keq: Pjesa e injektuar u mbush me qelb

Dëshira për të bërë ndryshime estetike në fytyrë, një 30-vjeçareje në Prishtinë i kushtoi me përkeqësime të mëdha shëndetësore.

Laura, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e REL – thotë se para një viti bëri fillimisht injektime me substancën botoks në fytyrë, e pastaj edhe me filler.

Injeksionet e botoksit janë krijuar për t’i relaksuar muskujt e fytyrës, me qëllim të zbutjes së rrudhave. Fillerët mbushin linja në fytyrë ose shtojnë volumin në pjesë të caktuara, si buzët apo faqet.

“Disa ditë pasi kam bërë intervenimin, pjesa e injektuar ka nisur të ënjtet dhe të mbushet me qelb. Më është dashur të shkoj urgjentisht për mjekim në spital, ku kam qëndruar një javë”, thotë Laura.

Ajo tregon se ndërhyrjet në fytyrë i ka bërë në një ordinancë private.

“Personi që ka intervenuar në fytyrën time, nuk ka pasur të bëjë me profesionin e mjekut. Ka qenë floktare. Është marrë me rregullimin e vetullave dhe, pastaj, ka filluar t’i aplikojë edhe këto gjërat e tjera”, sipas Laurës.

Ajo thotë se nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për rreziqet e mundshme dhe se, po të kthehej prapa në kohë, nuk do të bënte ndërhyrje të tilla.

“Kanë kaluar shumë muaj dhe unë ende po merrem me pasojat”, thotë Laura, duke mos dhënë shumë detaje se cili ka qenë saktësisht shkaku i përkeqësimeve të saj shëndetësore.

Shumica e mbushësve të lëkurës përmbajnë një substancë natyrale, të quajtur acid hialuronik, dhe zgjasin nga gjashtë deri në 18 muaj.

Trendi i përdorimit të tyre është në rritje jo vetëm në Kosovë, por gjetiu në botë.
Arsyet, sipas raportimeve të mediave të ndryshme, variojnë nga përpjekjet “për të luftuar plakjen” deri te dëshira për të qenë në hap me personalitetet e rrjeteve sociale.

Kush i bën ndërhyrjet me botoks dhe filler?

“Unë nuk jam doktoreshë… por merrem me botoks dhe filler, pse jo”, thotë për Radion Evropa e Lirë udhëheqësja e një qendre estetike në Prishtinë.

“Unë vij nga një familje doktorësh dhe jam duke e kryer shkollën… Kam praktikë dhe trajnime të bëra në Shqipëri dhe në Kosovë. Kurrë nuk më ka ndodhur ndonjë problem”, thotë ajo duke dashur të mbetet anonime.

Materialin thotë se e blen në Kosovë, ndërsa për çmimet në qendrën e saj tregon se janë të ndryshme – 80 apo 100 euro – varësisht ndërhyrjeve që bëhen.

Moshat që shkojnë në këtë qendër, nuk kontrollohen.

Profesionistët shëndetësorë shprehen të shqetësuar, sepse ndërhyrjet e tilla, sipas tyre, duhet t’i bëjnë vetëm kompetentët si: mjekët e kirurgjisë maksillofaciale, mjekët e kirurgjisë plastike, dermatologët apo oftalmologët.

Drejtoresha e Klinikës Maksillofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mërgime Loxha, thotë se, viteve të fundit, është rritur numri i rasteve të komplikimeve shëndetësore si “rezultat i aplikimeve të produkteve të ndryshme për çështje estetike në fytyrë”.

Alergji, deformim i lokacionit ku është aplikuar botoksi, paralizë, moshapje e syrit dhe hematome janë vetëm disa nga reaksionet që shfaqen.

Loxha thotë se këto ndodhin pasi ndërhyrje estetike në fytyrë bëjnë edhe personat që merren me “trajtimin e flokëve” apo edhe të tjerë që nuk kanë njohuri për komplikimet e mundshme që mund t’i shkaktojë botoksi ose filleri, apo mënyra e injektimit të tyre.

Për më tepër, shton ajo, në treg “ka produkte të ndryshme”, të cilat nuk dihet nëse janë të miratuara nga rregullatorët e barnave.

“Një numër i madh i këtyre trajtimeve aplikohen edhe prej stomatologëve, mjekëve stomatologë të sapodiplomuar. A kanë të drejtë, nuk e di”, thotë Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Blerim Kamberi, thotë se stomatologët e kanë këtë të drejtë.

“Po flas vetëm për regjionin orofacial – konkretisht për buzët. Domethënë, ajo është pjesë e specializimit tonë. Duhet vetëm një kurs që është profesional, që e organizon një kompani e certifikuar me ekspertë të certifikuar… Ndërsa botoksi në ballë apo kudo tjetër nuk i takon stomatologut”, thotë ai.

Shqetësime për sigurinë

Në rrjetet sociale të qendrave të estetikës dhe të institucioneve private arsimore reklamohen vazhdimisht trajnime për ndërhyrje në fytyrë dhe për certifikime nga mjekë vendorë dhe të huaj, por për prapavijën e këtyre të fundit nuk jepen shumë informacione.

Vetë REL-i ka biseduar me një mjeke të përgjithshme që konfirmon se mban trajnime të tilla në një kolegj privat në Prishtinë.

Duke dashur të mbetet anonime dhe të mos ofrojë shumë detaje, ajo thotë se trajnimi për ndërhyrje me botoks dhe filler zgjat vetëm një ditë dhe se personi që e ndjek atë – qoftë mjek apo jo i fushës së mjekësisë – pajiset me diplomë dhe paguan një mijë euro.

Për dermatologen Merita Kotori, e cila punon në QKUK, ky është një fakt shqetësues.

“Një floktar apo një punëtor shumë i thjeshtë ka mundësi ta paguajë një trajnim, të certifikohet dhe të thotë se ka marrë certifikatën për aplikimin e botoksit edhe fillerit… Kjo çështje duhet të ngrihet, sepse komplikimet janë të shumta, të mos them fatale”, thotë Kotori, e cila vetë udhëheq edhe një ordinancë private në Prishtinë, ku, prej shumë vitesh, aplikohen injektimet me botoks dhe filler.

Në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale konfirmojnë për REL-in se botoksi dhe filleri janë pajisje medicinale, importi i të cilave bazohet në Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale.

“Të drejtë importi të produkteve dhe pajisjeve medicinale kanë të gjithë qarkulluesit farmaceutikë të licencuar”, thonë nga kjo agjenci.

Por, në Doganën e Kosovës konfirmojnë po ashtu për REL-in se, në disa raste, kanë kapur sasi botoksësh dhe fillerësh që persona të caktuar kanë tentuar t’i fusin ilegalisht.

Kryetari i Shoqatës së Kirurgëve Plastikë Rekonstruktivë dhe Estetikë të Kosovës, Ylber Zejnullahu, thotë se e gjithë kjo situatë ndodh në mungesë të një rregulloreje që do ta rregullonte çështjen e ndërhyrjeve estetike me botoks e filler.

“Ne ende nuk kemi parë nga Ministria [e Shëndetësisë] gatishmëri që të bëjë një task-forcë – e që ne jemi të gatshëm të ndihmojmë – për të vendosur pikat e një rregulloreje për këtë çështje”, thotë Zejnullahu.

“Nga informatat që na vijnë, këto ndërhyrje bëhen edhe nga njerëz joprofesionistë, domethënë nga njerëz që nuk janë mjekë… E meta e kësaj është se, edhe nëse doni që ata të ndiqen [ligjërisht], nuk ka bazë ligjore”, shton ai.

Rreth dy vjet më parë, udhëheqës të klinikave dhe të shoqatave të kirurgëve plastikë, të dermatologëve dhe të mjekëve maksillofacialë dhe oftalmologë, në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës, kanë kërkuar që në Ligjin për shëndetësi të futet një nen, që do të specifikonte se kush saktësisht duhet të merret me ndërhyrjet me botoks dhe filler.

Sipas kryetarit të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, kjo kërkesë nuk është pranuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Puna në draft-ligj është duke u bërë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, por nuk kemi informata aspak… Sipas informatave që i kemi, gjatë këtyre ditëve apo javëve, draft-ligji do të dërgohet në Kuvend dhe pastaj do të shohim…”, thotë Sejdiu.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk iu përgjigj në mënyrë konkrete pyetjeve të REL-it rreth rregullimit ligjor të kësaj çështjeje.

“Shërbimet për aplikim të botoksit dhe fillerit janë shërbime që më herët nuk kanë qenë të parapara me ligj”, tha Ministria në përgjigjen e saj me shkrim.

“Inspektorati Shëndetësor ka bërë inspektime në institucionet shëndetësore, të cilat i kanë ofruar këto shërbime. Gjatë këtyre inspektimeve, kur është hasur në parregullsi – pra nëse nuk kanë qenë të lajmëruara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim – janë marrë masa bazuar në dispozitat ligjore në fuqi”, tha po ashtu Ministria e Shëndetësisë.

Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandon kundër kryerjes së këtyre procedurave në sallone flokësh ose thonjsh, për të siguruar rezultatet më të mira dhe gjithashtu për të mbrojtur shëndetin.

“Po ndodhin shëmtime, shëmtime dhe shëmtime dhe askush nuk mban përgjegjësi. Është mirë për ata që vendosin për këto intervenime, ta dinë se ku duhet të adresohen e ku të lajmërohen”, përfundon Sejdiu nga Oda e Mjekëve e Kosovës./REL/

Shpërndaje në:
TË NGJASHME
Infektologu: Hera e parë që “lija e majmunëve” paraqitet në Kosovë

Infektologu Hamdi Ramadani, thotë se Lija e Majmunëve është një sëmundje infektive që buron nga…

Vendimet që mori Qeveria e Kurtit në mbledhjen e fundit për këtë vit

 Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti ka zhvilluar sot mbledhjen…

Aeroporti “Adem Jashari” regjistroi katër milionë pasagjerë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” sot i ka regjistruar katër milionë pasagjerë, përfshirë këtu…

Vrasja e Liridona Ademajt: Gjykata ua vazhdon paraburgimin Naim Murselit dhe dy të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën…

Krenar Xhaferi publikon pamje të hapësirës për komunitetin e artistëve në Ulpianë

Drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi ka publikuar pamje nga projekti…

Milionat e Erion Veliajt, politikani që ushqente me supë të varfërit

Si rrallëherë, Erjon Veliaj nuk pati fuqi ta kontrollojë veten para kamerave të televizioneve që…

Kajtazi tallet me Kurtin, poston fotografi të kryeministri me sy mbyll: “Kesh tu u çorru, Martin”

Gazetari Vehbi Kajtazi është tallur me kryeministrin Albin Kurti. Ai ka postuar një fotografi të…