Berati i “It’s my Love” është i dënuar nga gjykata, kishte rrahur një vajzë pasi ia mori 230 euro
Kandidati nga Mitrovica i emisionit “It’s my Love”, Berat Xhelili, është i dënuar nga Gjykata Themelore në Drenas pasi kishte rrahur një vajzë dhe ia kishte marrë 230 euro.
Sipas raportimit të Betimit për Drejtësi, Berat Xhelili ishte duke u kthyer nga pushimet në Shqipëri me një vajzë derisa në Komoran kanë ndaluar pas një marrëveshje të atëçasshme.
Aty, sipas aktakuzës, Berat Xhelili e ka rrahur vajzën me grushte dhe ia ka shkulur flokët, pas një fjalosje ku bëhej fjalë për 230 eurot që Berati ia kishte marrë asaj vajze.
Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Berat Xhelili.
Aktgjykimi dënues është shpallur të hënë, nga gjykatësi Shefqet Baleci, pas mbajtjes së seancës fillestare.
I akuzuari Xhelili është dënuar me gjobë në shumë prej 620 euro, në të cilin dënim do të llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 19 korrik 2020 deri më 18 gusht 2020.
Kurse, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Musa Mehaj, i akuzuari është deklaruar fajtor për veprën që i vihet në barrë.
Me pranimin e fajësisë, u pajtuan prokurori Mehaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Berat Peci, duke propozuar që i njëjti akt të merret si rrethanë lehtësuese.
Avokati Peci, si rrethana lehtësuese propozoi që të merret parasysh dhe fakti që i njëjti nuk është ndeshur asnjëherë me ligjin, faktin se e dëmtuara me shënim zyrtar ka tërheq deklaratën e saj dhe e njëjta ka raportin e të mira me të mbrojturin e tij dhe se ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 24 gusht 2020, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Berat Xhelili, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale, lëndim i lehtë trupor, nga neni 185 paragrafi 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, me 19 korrik 2020, rreth orës 10:30, në fshatin Komoran, Komuna e Drenasit, i pandehuri për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme me të dëmtuarën L. M, i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës me qëllim të cenimit të dinjitetit të saj, raporton Betimi për Drejtësi.
Tutje thuhet se ka vepruar në atë mënyrë, që gjatë kthimit me veturë nga pushimet e kaluara Shqipëri, janë fjalosur lidhur me parat të cila i kishte marrë i pandehuri në shumë prej 230 euro të dëmtuarës dhe kur kanë mbërritur në Komoran, i pandehuri ka përdorur forcën fizike ndaj të njëjtës, duke e goditur me grushte në fytyrë e tërhequr për flokësh.
Si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtës i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin, në forme të gërvishtjes në regjionin e fytyrës, shkulje e flokëve përpara dhe lëndim i dy dhëmbëve të sipërm, thuhet në aktakuzë.