Benny Gantz dorëhiqet nga kabineti i luftës izraelite

Benny Gantz dorëhiqet nga kabineti i luftës izraelite

Anëtari kryesor i kabinetit të luftës izraelite Benny Gantz dha dorëheqjen nga qeveria e emergjencës së Izraelit të dielën.

Ai derisa njoftoi dorëheqjen e tij, kritikoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun.

“Largimi nga qeveria është një vendim kompleks dhe i dhimbshëm”, tha Gantz në një deklaratë televizive.

“Netanyahu na pengon të ecim përpara drejt një fitoreje të vërtetë (në Gaza). Kjo është arsyeja pse ne po largohemi nga qeveria e emergjencës sot – me zemër të rëndë, por me gjithë zemër”, shtoi ai.

Gantz, i cili shihet si rivali kryesor politik i Netanyahut, fillimisht pritej të jepte dorëheqjen të shtunën.

Kjo shënoi afatin e tij të vetë-imponuar për t’u larguar nga qeveria nëse Netanyahu nuk parashtronte një plan të ri për luftën në Gaza dhe të ardhmen e enklavës.

Ai shtyu një konferencë të planifikuar për shtyp pasi dolën raporte për operacionin izraelit për të shpëtuar katër pengje në Gaza qendrore, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv.

Largimi i Gantz i jep një goditje Netanyahut, i cili përballet me presionin ndërkombëtar në rritje për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, protestat masive të përditshme në Izrael dhe presionin e brendshëm politik në rritje.

Shpërndaje në: