Benet Beci dhe Luiz Ejlli të ftuar në podcastin e Ramës! Nuk ndalen batutat
Sot në podcastin “Flasim” të ftuarit e kryeministrit Edi Rama janë kryetari i sapozgjedhur i bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe fituesi i reality show “Big Brother Vip Albania 2”, Luiz Ejlli.
Kryeministri Edi Rama: Jam këtu me atë që shkatërroi gjumin e nuk e di sesa familjeve dhe të cilin e takoj për herë të parë, me përjashtim të disa pamjeve sporadike, por jo tek vrima e çelësit ku gjithë të tjerët ju qepen dhe nuk ju ndanë, sot e kam përballë për herë të parë, Luizi juaj. Mirë se erdhe!
Luiz Ejlli: Mirë se ju gjej!
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, tjetri është Beneti, i cili thuhet se e ka ndihmuar Luizi. Kështu thotë Luizi të paktën, por për mua kjo mbetet e gjitha për t’u sqaruar.
Unë nuk kam parë asnjëherë asnjë minutë Big Brother në jetën time.
Luiz Ejlli: Turp të kesh.
Kryeministri Edi Rama: E diskutojmë këtë, por dua që tani që nuk ke as fitore për të korrur, as konkurrentë për të nxjerrë jashtë, kështu që mund të jesh edhe më i sinqertë se zakonisht. A kishe parë Big Brother ndonjëherë përpara se të futeshe në Big Brother?
Luiz Ejlli: Kam parë Grande Fratello kur është bërë për herë të parë në Itali, para shumë vitesh,. Që atëherë nuk e kam parë më. Thjesht kur më bënë ftesën për të hyrë e kam studiuar, kam parë Big Brother-at më të fortë që kanë qenë në Shqipëri plus kam parë dhe në vende të ndryshme të botës ku kanë qenë personazhet më pikante, më të fortë, më interesantë dhe jam munduar që t’i mbledh të gjithë bashkë dhe t’i fus në një, t’i fus tek vetja edhe pse e dija që mund ta mbaja për njëfarë kohë ashtu sepse nuk ke ku shkon pa dalë vetëvetja. Por, qëllimi që kisha dhe e dija se çfarë isha duke lënë dhe nuk e dija se çfarë më priste dhe isha futur “all in” ose për të fituar o s’ka. E dija që ishte e vetmja portë ose dritare për mua për të ardhmen time, duke marrë parasysh që, po e lidh me Benetin, kur isha jashtë si çdo njeri, të gjithë kemi pasur uljet dhe ngritjet tona, unë mbeta me plotë gojën në rrugë të madhe, kam telefonuar njerëz, qoftë biznesmenë, qoftë drejtues mediash, por edhe politikanë që i kisha njohje personale…
Kryeministri Edi Rama: Mua jo…
Luiz Ejlli: Po duke marrë parasysh që gjithmonë jam konsideruar i djathtë, nuk i kisha fare shpresat se mendoja se do thonë “Ky është i djathtë”, por këto do e sqaroj më mbrapa sepse siç e thatë dhe ju, është hera e parë që flasim dhe përballë, por as në telefon e asgjë.
Kryeministri Edi Rama: Kemi folur me diçka tjetër, por do ta sqarojmë më mbrapa.
Luiz Ejlli: Ajo nuk është e folur. Ajo ka qenë periudha kur ju i kishit vendosur qëllim vetes t’i kthenit përgjigje të gjithë shqiptarëve dhe është pak e vështirë. Telefonova zotërinë që kam përballë dhe më tha “Hajde”. Kam shkuar tek KESH-i, në atë kohë Beneti ishte administrator i KESH-it. E takova, më tha me thuaj çfarë problemi ke dhe i thashë që jam pa punë, në rrugë të madhe, kjo është CV-ja ime, këto janë aftësitë e mia. Nëse është e mundur për një vend pune dhe më tha që do shoh kur të bëhet audicioni i parë, ku të jetë, të ftoj të vish dhe uroj ta fitosh.
Për hir të vërtetës, e fitova dhe u futa dhe jam shumë mirënjohës.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë, në kohën e qeverisë së majtë?
Luiz Ejlli: Pse do ta lidhësh gjithmonë?
Kryeministri Edi Rama: The që nuk mora se isha i djathtë, por në punë qenke futur në kohën e qeverisë së djathtë.
Luiz Ejlli: Unë isha në punë edhe në kohën e të djathtës, por mbeta pa punë dhe më futi zotëria në fjalë dhe i jam shumë mirënjohës. Për ata që thonë “Luiz, u bëre i majtë, i djathtë, i mesëm” me këto nuk merrem, nuk merrem me këtë pjesë. Unë nuk jam bukëshkelës, unë vlerësoj individin, vlerësoj njeriun dhe në këtë rast është Beneti.
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka nevojë të na shpjegohesh se nuk je në hetuesi. Doja thjesht të dija episodin si ndodhi meqë gjithë në këtë informacionin që kam marrë nga shërbimet, këtu del që ke thënë që Beneti ishte njeriu që t’u gjend në moment të vështirë.
Luiz Ejlli: Absolutisht që po.
Kryeministri Edi Rama: Benet, Luizi nuk paska parë Big Brother përveç Grande Fratello kur ka qenë i vogël dhe ka studiuar para se të hyrë aty, domethënë është futur në rol dhe çoroditi gjithë dynjanë që kanë kujtuar se ky është ai po në fakt ky është dikush tjetër. Në rastin tënd, ti e kishe parë ndonjëherë në ëndrrën tënde më entuziaste që një ditë mund të ishe kryetari i bashkisë së Shkodrës?
Benet Beci: Jo, nuk e kisha parë në fakt, por është e vërteta është që gjithë kohën, ju e dini, puna që kam bërë unë ka qenë që ne punonim me kryetarët e bashkive që investoheshin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ajo që shikoja se çfarë bënim gjithë kohën ka qenë gjithmonë një refleksion pas saj “Po si i bëhet që të bëhet dhe në Shkodër?”
Kjo është në fakt një ndjesi që çdo njeri e ka, kur ti shikon që po bëhet dhe në gjithë skemat e mendimit tim, kur ne bënim këtë punë nëpër Shqipëri bashkë edhe më parë, ka qenë gjithmonë, “Po mirë, kush është skema dhe si mund të arrijë një ditë që atë që po bëhet gjithkund, të bëhet në Shkodër?” Kurrë nuk e kam menduar me një fitore por gjithë kohën që të gjej mekanizmin, sesi duhet të jetë mekanizmi që Shkodra të bëhet si të tjerat ka qenë gjithmonë mendimi im i dytë pas çdo pune që kemi bërë bashkë edhe kur kemi qenë në çdo vend tjetër.
Kështu që, nuk e di, mendoj se, nuk di si ta shpjegoj gjithë këtë, por është një kohë e gjatë e refleksionit dhe mendimit për të ardhur tek kjo punë pa e menduar se do vinte kështu, por unë mendoj shumë që ishte i domosdoshëm për të ardhmen.
Luiz Ejlli: Unë them se është hera e parë që Shkodra ka zgjedhur me tru, me mend e jo me zemër, kanë votuar me mend. Ka parë Benetin dhe ka parë Shkodrën, ka parë ecurinë e Shkodrës 30 e disa vjet dhe ka thënë “Pse jo, çfarë kemi për të humbur? Jemi në këtë gjendje që jemi sot, pse jo?
Kryeministri Edi Rama: Është shumë interesante të dëgjoj pak për fëmijërinë dhe për mënyrën sesi ti i ke hyrë rrugës së muzikës sepse unë mbaj mend, këtë e mbaj mend, dhe në atë kohë ka qenë një shkëlqim i yti si një djalë i ri që papritur u shfaqe dhe, në mos gabohem, fitove dhe një kompeticion.
Luiz Ejlli: Po, Ethet e së Premtes Mbrëma.
Kryeministri Edi Rama: Nga filloi kjo lidhja me muzikën? Ishte nga familja, ishe vetë, pate një rrethanë?
Luiz Ejlli: Gjyshi im ka kënduar me qemale në atë kohë, qemale ne i themi … dhe ka vdekur kur ka qenë babai im 12 vjeç dhe nuk ia trashëgoi babait dhe ma kaloi mua. Nëna ime punonte në shkollë të muzikës, në shkollën “Preng Jakova”, punonte në kuzhinë mbrapa tek konvikti dhe kam qenë në bark të saj kur rrinte mes instrumenteve, muzikës, kantos. Aty ka mbaruar Shpëtim Saraçi, Markela Kapedani dhe të tjerë. Nëna për të mos më lënë në shtëpi, më merrte me vete në shkollë dhe ka thënë “Ta fus në shkollë muzike”. Që 6 vjeç jam futur aty. Më pas me korin e kishës, në kishë franceskane, me korin e shkollës shkuam në Firence, fituam çmime, u ktheva dhe mbetëm se aq ishte maksimumi që mund të bënim. Hyra në punë kamarier dhe kam qenë në banak, duke larë gota, e mbaj mend shumë mirë, erdhi një shok dhe më tha “Luiz kanë ardhur Ethet”. Çfarë janë ata?
-Shko atje për të kënduar.
-Por jo se më vjen turp.
-Shko, më tha, se ti këndon mirë.
-Shkova, mora pjesë, më pranuan, fitova Ethet, pastaj fitova Festivalin, pastaj shkova në Eurovizion.
Kryeministri Edi Rama: Ajo që ma më ka mbetur në kujtesë është Festivali, ku më pas shkove në Eurovizion.
Luiz Ejlli: Shkova në Eurovizion në 2006 dhe sa u ktheva nga Eurovizioni isha në kulm si të themi, isha në qendër të vëmendjes si këngëtar, i rrymës së muzikës së lehtë, jo komerciale, jo banale dhe aty u dashurova dhe ajo vajzë kishte planet e saj për shkollën dhe edukimin jashtë Shqipërisë dhe isha mes dy zgjedhjeve ose të rrija këtu dhe të vazhdoja karrierën ose të zgjidhja zemrën dhe të shkoja me të. Unë zgjodha zemrën. Nuk jam i penduar absolutisht sepse kanë qenë vite shumë të bukura me të, por fati nuk deshi, nuk eci. Nga sot domethënë vazhdoj, kam një respekt të jashtëzakonshëm si për të, si për familjen e saj, për gjithçka kanë bërë dhe kemi kaluar bashkë, por kur u ktheva e pashë që tregu kishte ndryshuar, gjërat kishin ndryshuar, kishin ecur, evoluar si në çdo vend, ishin futur rrjetet sociale fuqishëm dhe ky digjitalizimi u bë gjithçka shumë shpejt, eci gjithçka shumë shpejt për hir të së vërtetës. Dhe e pashë që isha dorëzuar domethënë tek kjo pjesë dhe aty pastaj, fillova duke i humbur shpresat për gjithçka, edhe për të ndenjur, sepse me vinte inat me veten.
Jo se s’kishte hapësira ndoshta këtu, por se e kisha inatin me veten, se thosha kisha gjithçka dhe sot s’kam asgjë. E për fatin që ndoshta bëra zgjedhjet e gabuara, njerëzit e gabuar dhe isha dorëzuar dhe doja thjesht të ikja se me vinte turp nga vetja, domethënë mos t’i dilja njerëzve para deri sa më erdhi kjo telefonatë për Big-un dhe thashë, të hyj, të mos hyj, pastaj thashë ta provoj se është shansi i fundit.
Dhe para se të hyja, një natë para thashë, po ça mund të humbas, dhe nëqoftëse luaj fort, çfarë do humb? Maksimumi do të më eliminojnë se s’do më vrasin. Dhe luajta si luajta dhe arrita deri në fund. Me gabime, me të gjitha, kuptohet, por ia dola.
Kryeministri Edi Rama: Benet, po ti ça ke bërë në momentin që je dashuruar, domethënë si ka qenë fëmijëria dhe gjithë kjo periudhë se u bë sebep Luizi që të marrim vesh ç’ke bërë ti para se të dashurohesh?
Luiz Ejlli: Beneti e ka marrë me shkuesi.
Kryeministri Edi Rama: Po përpara se të ndodhte shkuesia, ça ke bërë?
Benet Beci: Unë jam njohur që në gjimnaz me..
Kryeministri Edi Rama: Përpara se të njiheshe, domethënë çfarë prirjesh kishe ti? Ti veshë për muzikë s’ke pasur besoj?
Benet Beci: Jo, jo unë isha shumë i dhënë pas shkencave; fizikës, astronomisë, shkencave ekzakte. Në shumë vite në gjimnaz isha personazh i vizatimit teknik edhe siç janë gjimnazet e asaj kohe që janë një shkollë e jashtëzakonshme e asaj kohe. Kam qenë tek ‘’Ismaili’’ e atje për herë të parë mendoj se shfaqëm edhe talenteter do thoja dhe formimin bazë të gjimnazit.
Kryeministri Edi Rama: Po kur ishit përpara në fëmijëri me Shkodrën?
Benet Beci: Ne në fëmijëri kishim lidhje shumë të fortë me Shkodrën. Shtëpia jonë e gjyshit, një shtëpi shkodrane tipike nga ato çardak, me ahër, ajo ishte një muze ndoshta dhe si të them, ndoshta fantazia e parë ose bota e parë e madhe me të cilën unë u njoha dhe që ndoshta ishte shumë më e madhe se në Tiranë, se në Tiranë ne kishim një shtëpi apartament te zakonshëm. Dhe atje shkonim, atje ishin thesaret, domethënë kujtimet e mia mbi ahrin e Shkodrës edhe mbi zbulimet, gjërat e fshehta – që shpeshherë thonë, fëmija mëson përmes asaj që i fsheh sesa përmes asaj që i tregon, – të gjyshit dhe aty i hapnin dhe shikonim, gjenim ndonjëherë ndonjë fotografi të Zogut të fshehur diku ose gjëra të vjetra të dala nga shtëpia, e kështu që ajo ka qenë një kujtim shumë i bukur. Në Shkodër në shkonim shpesh si fëmijë, prindërit kalonin ca kohë, kishte oborr, kishte lule, kishte hapësire dhe gjithmonë ishte një gjë e rregullt, ishte një gjë e saktë e pastë dhe dashuri e madhe. Në Shkodër kishte shumë dashuri. Unë e vija re si fëmijë që na donin shumë në Shkodër.
Kryeministri Edi Rama: Ti domethënë ti pastaj u dashurove, u martove dhe që atëherë pastaj nuk ndryshove?
Bene Beci: Jo nuk ndryshova.
Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi pas një çikë më ndryshe.
Benet Beci: Jo, unë jam që nga gjimnazi..
Kryeministri Edi Rama: Ti je fatlumi që qëlloi që me të parën, mirë. Ka dhe kështu, nuk janë të gjithë me fat aq të madh. Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje, je i lirë të mos e zhvillosh nëse nuk e ndjen sepse ndoshta është shumë emocionale, shumë personale, por më ka bërë përshtypje në këto gjërat që mora vesh për ty, sepse është pak a shumë diçka që në një formë tjetër e kam përjetuar edhe vetë , humbjen e befasishme të babës. Dhe nuk mund të them respekt për çfarë ke bërë në Big Brother sepse ta thashë, nuk e di fare ç’ke bërë në Big Brother, por realisht më preku ajo shprehja që çfarë arrita ia dedikoj babës..
Luis Ejlli: Ka qenë në 24 dhjetor dhe rastisi fiks me datën që kam hyrë në Big Brother, 24 dhjetori. Po ishte i 2020 dhe ka qenë ora me orën tonë këtu, diku ora 10 dhe më merr baba në telefon dhe më thotë, po të marr tani që të uroj Krishtlindjen se më pas do kenë ngarkesë valët se të gjithë urojnë. Jo, – i thashë- nuk quhet, o në 12 o se quaj hiç dhe mbylla telefonin. Mirë, mirë- tha.
Në 11.30 më merr një shok që e kisha në Amerikë dhe e dija që rrinte aty dhe më thotë: Luiz, dhe unë direkt i them hë, si je – mendova se po më uronte për Krishtlindje dhe ai. Ka ndodhur diçka, tha. I ka rënë babait, Luigjit, – se Luigj e ka pasur babi, – i ka rënë infarkt, tha, po më duket se është keq puna se nuk donte të thoshte që është fatale. Në atë moment unë e mbylla dhe mora nënën. Nëna me tha se ku e kisha marrë vesh unë para atyre. Pastaj, më morën dhe më thanë që ka ndërruar jetë. Ishte shumë e vështirë se ishte dhe periudhë pandemie, punë avionësh, udhëtimesh, e kështu dhe vonoi për të ardhur trupi nga SHBA në Shqipëri, por ishte dëshira e tij që të varrosej në Shkodër tek “varret e Rr’majit” që i themi ne, tek varret katolike në Shkodër dhe ashtu e bëra. Erdhi, u bë ceremonia dhe kur kam hyrë domethënë, thoja ishalla po e bëj krenar.
Kryeministri Edi Rama: Është shumë e fortë kjo dhe nuk duket se e kanë thënë mrekullisht, kush e ka thënë, që kur vdes babai, bëhesh burrë, dhe kur vdes nëna, bëhesh fëmijë, por nënën ta kesh me jetë sa më të gjatë uroj. Ndërkohë që ti, fëmijë je, ndërkohë. Ajo që dua të shtoj këtu është më kujtove varrezat e Rr’majit, unë kam qenë aty dhe është një nga kujtimet më të freskëta dhe më të bukua të jetës sime. Kur u hap fjala që ishte akoma rregjimi, dhe u hap fjala që të bënte Dom Simoni meshën e parë, dhe jemi nisur me tren. Kemi shkuar në Shkodër, ishte një ditë shumë e vrenjtur. Tani mua më duket sikur po tregoj një përrallë po nuk ka rëndësi, unë do ta tregoj siç është, sepse e kam kështu në sy.
Luis Ejlli: Unë kam foto atë ditë aty.
Kryeministri Edi Rama: ke qenë aty?
Luis Ejlli: Jam pagëzuar aty.
Kryeministri Edi Rama: Edhe shkojmë atje, ishte një kështu si, gjithë që dukeshin si hije që mblidheshin. Kishte ca rreth e rrotull nga ata me pardesy që ishin të sigurimit atëherë, që dukeshin nga larg që i përkisnin atij rrjeti. Dhe më ka mbetur në sy një moment kur Dom Simoni del aty dhe fillon të flasë dhe hapet një copë në qiell po ishte.. nuk ishte qiell me re, ishte ajo grija totale, dhe hapet një copë atje dhe sikur fillojnë shkërmoqet retë, hapet një copë dhe bie një rreze mbi rrezen dhe unë isha me ata shokët e tjerë dhe u them: Ore, po e shoh vetëm unë apo është reale kjo? Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme, fantastike.
Ndërkohë, Benet ti pjesën e marrëdhënies me babain, si e ke pasur?
Benet Beci: Babai ka qenë, është shkencëtar tipik, vazhdon të jetë ashtu. Ka harxhuar shumë kohë me studime..
Kryeministri Edi Rama: Si e ke pasur marrëdhënien me babain në kohën kur e shihje nga poshtë lart.
Benet Beci: Aty desha të dal. Duke qenë i tillë, ka qenë pak prezent në shtëpi, jo shumë. Ka qenë gjithmonë o në bibliotekë o në dhomën e vet të punës dhe kishte një marrëdhënie me të pakët dhe herë-herë ishte jashtë, ca vjet ka qenë në Paris për doktoraturën në Sorbonë, kështu që nuk ka qenë një marrëdhënie e shpeshtë. Mamaja ka qenë më tepër prezentë. Si gjithmonë, ashtu kam përshtypjen ka qenë familja, por marrëdhënia me babain ka qenë esenciale sepse ne kishim një zakon, të paktën të shtunave e të dielave, po dhe ditë të tjera, mundoheshim të rrinim në tavolinë ku rrinim për drekë, ishin gjithmonë duke diskutuar për problemet e punës. Shumë gjëra kam mësuar në atë kohë nga diskutimet që bënte. Ai ka qenë në Akademinë e Shkencave, ka qenë në institutin e gjuhës. Atëherë diskutoheshin shumë probleme që kanë qenë të gjuhës letrare, të gegërishtes në atë kohë edhe diskutime të luftërave të majtës, të djathtës, diskutime të tilla.
Unë kam marrë një formim, mendoj shumë në ato tavolinat e bukës në familje, ku im atë diskutonte problemet që ai kishte në Akademi, që kishte me shkencën, që kishte me regjimin do të thoja në atë kohë, shqetësimet që kishte, edhe me konkurrencën, me xhelozitë.
Ajo ka qenë një kohë e rëndësishme për mua për të mësuar si fëmijë problemet e shoqërisë në atë kohë.
Kryeministri Edi Rama: Ti familjen e ke në Amerikë?
Luiz Ejlli: Po, kam nënën dhe motrën, është e martuar, ka tre fëmijë.
Kryeministri Edi Rama: Po ti shkon atje?
Luiz Ejlli: Kam shkuar, por nuk është se më ka pëlqyer mënyra e jetesës sesi është.
Kryeministri Edi Rama: E merr vizën domethënë?
Luiz Ejlli: Po e marr. E kam marrë njëherë, tani do ma japin prapë besoj se do kem koncerte. Se nuk jam ‘’non grata’’.
Kryeministri Edi Rama: Larg qoftë!
Luiz Ejlli: Unë do iki për të kënduar. Ndoshta do bëhem dhe unë ‘’non grata’’, ku i dihet?!
Kryeministri Edi Rama: Po ti vazhdon këndon?
Luiz Ejlli: Po. Sot madje do isha në studio. Po i thashë kam diçka pak më të rëndësishme. Çfarë ka më tha, se s’po jap emrin. Çfarë ka më të rëndësishme se kjo është ëndrra jote?! Më beso i thashë, është më e rëndësishme, po s’ta them dot dhe qeshi, e mirë më tha.
Kryeministri Edi Rama: Po nuk ke pasur tundimin që të rrish në Amerikë, asnjëherë?
Luiz Ejlli: Jo, jo. për hir të së vërtetës jo. Thjesht kjo ishte, faza para se të hyja në ‘’Big Brother’’ e kisha ndarë mendjen që thashë, nuk mundem më. Më vinte, prap e them se njeriu, unë mund ta quaj si mesazh që mund ta jap për të gjithë, që për hir të së vërtetës, kur ia dola unë, të gjithë mund t’ia dalin. Qoftë ‘’Big Brother’’, qoftë në shkollë…
Kryeministri Edi Rama: Jo se s’do fusim gjithë dynjanë në “Big Brother”, larg qoftë.
Luiz Ejlli: Po vit për vit këtë punë kanë ato.
Kryeministri Edi Rama: Jo more ti zotëri. Rëndësi ka që njeriu të mos dorëzohet kurrë edhe të provojë dhe atë që mund të duket si e paarritshme, por po nuk provove, është e sigurt, që nuk e arrin, apo jo?
Luiz Ejlli: Po, pa rrezikuar më mirë të themi. Se unë, për hir të së vërtetës, e di që kam rrezikuar shumë me mënyrën se e kam pasur thikë me dy presa që nga fillimi, sa kam hapur gojën, se kisha ndarë mendjen ta nisja ashtu, se ndryshe bërryla kishte dhe aty, nga konkurrentët flas dhe unë nuk isha i favorizuar.
Kryeministri Edi Rama: Nuk më intereson kjo pjesë. Pjesa e asaj që ka të bëjë me zjarrin e brendshëm që ka të bëjë me zjarrin e brendshëm që ke për muzikën dhe për artin më intereson. Tani çfarë sheh ‘next’ në hapin tjetër? Se nuk besoj se do dalësh në pension si fitimtari i ‘’Big Brother”? Nuk ha mendja.
Luiz Ejlli: Çfarë ka lidhje?
Kryeministri Edi Rama: E pra jo, ishalla.
Luiz Ejlli: Unë do vazhdoj ëndrrën që mu ndërpre, e ndërpreva vetë, nuk ma ndërpreu kush, me dëshirën time. Do vazhdoj aty ku e kam lënë. Do bëj këngë sa më shumë. Kam dhe projekte për filma që i kam marrë skenarët, filma, seriale. Një pjesë e tyre do të dalin deri në muajin tetor-nëntor.
Kryeministri Edi Rama: Filma që ti bësh vetë apo që janë bërë?
Luiz Ejlli: Janë bërë. skenarët më janë dhënë dhe unë jam personazh kryesor. Janë komedi. Janë bërë si skenarë, janë gati, thjesht do fillojmë xhirimet.
Kryeministri Edi Rama: Me kë? Apo nuk thuhet?
Luiz Ejlli: Surprizë. Nuk thuhet. Ti me një telefon e merr vesh, por tani s’ke mundësi ta dish.
Kryeministri Edi Rama: Mbas gjithë atyre muajve pa asnjë vend për t’u fshehur, tani të takon të fshihesh gjithë kohës.
Luiz Ejlli: Jo, i fshehur jam. Më beso, kur isha brenda dy gjëra pyesja. Si më shohin jashtë, një, dhe pyetja e dytë sinqerisht i thosha, është ende Rama në pushtet? Nuk e kuptoj pse nuk ma thoshin. I thosha, çfarë ndikon kjo te loja ime, është Rama apo jo, për atë Zot i thosha. Vazhdon Rama në pushtet. Luiz, kujdes mikrofonin, thoshin. Ore, a vazhdon apo jo? Kujdes mikrofonin prapë. Po mirë ma thoni, i thoja.
Kryeministri Edi Rama: Po pse doje ta dije, për shembull.
Luiz Ejlli: Kur kam hyrë në ‘’Big Brother’’ kemi pasur një formular për të plotësuar me disa pyetje. Ndër to ka qenë dhe pyetja kryesore, çfarë do i kërkosh ‘’Vëllait të Madh’’ gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Dhe unë i thashë: Dua një video-call me Edi Ramën, nga brenda. E ke të shkruar dhe sot se e kam firmosur vetë. Futesha në “dhomë të rrëfimit” dhe thoja do e bëjmë atë vido-call me Ramën?
Kryeministri Edi Rama: Më erdhi mua fjala, por i thashë larg qoftë, jo. Nuk dua të ngatërrohem fare me “Big Brother” dhe nuk dua të di kush është ky person se unë të mbaja mend tjetër komplet, nga koha epike e daljes në skenë.
Luiz Ejlli: Po gjë e bukur do ishte.
Kryeministri Edi Rama: Elegant, i gjatë. Tani sikur ke hyrë pak në ujë, mu duke. Me flokët e zeza, ishe…, origjinale i ke të zeza apo jo?
Luiz Ejlli: Gështenjë.
Kryeministri Edi Rama: Nejse, në televizor të shihja unë.
Luiz Ejlli: Po edhe unë herën e fundit që të pashë, para se të hyja, nuk ishe kaq i bardhë.
Kryeministri Edi Rama: Lere unë. Unë kam mbaruar punë me ngjyrën e flokëve.
Luiz Ejlli: Ke mbaruar, po ja shih ku je.
Kryeministri Edi Rama: Ti vazhdon tenton të tregosh që ke flokë duke i bërë me bojë. Ma kishin thënë këtë gjë që do ai një video-call, po thashë mos, edhe unë të futem aty?! Tani një gjë dua të di unë. Kjo martesa, sa dole nga aty, është reale kjo apo është vazhdimi i spektaklit?
Luiz Ejlli: Po pse thua është reale apo vazhdimi? Po pyet për një shok apo për vete? Po pyet për lalin?
Kryeministri Edi Rama: Se thashë larg qoftë tani këtë e ka organizuar lali se do patjetër të martojë Luizin.
Luiz Ejlli: Unë se di si i keni punët me Lalin dhe nuk merrem me atë pjesë.
Kryeministri Edi Rama: Me lalin i kemi shumë mirë, po është reale?
Luiz Ejlli: Reale!
Kryeministri Edi Rama: E mirë, të trashëgohesh atëherë!
Luiz Ejlli: Faleminderit! Më erdhi dhe keq që nuk ishe.
Kryeministri Edi Rama: Të kesh një martesë sa më të lumtur!
Luiz Ejlli: Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Benet, kur ti vendose apo arrite të kesh Luizin në krah, çfarë mendove ti? Është e vetmja gjë që s’ke konsultuar me mua.
Benet Beci: Luizi u krijua si fenomen, në fakt e kam parë në dy anë. U krijua si fenomen që për Shkodrën ishte shumë interesante, për qytetin dhe si menaxher që jam, i shoh në aspektin se çfarë prurjesh mund të ketë. Gjithmonë e kam parë, se ky krijoi një emër të mirë për Shkodrën, krijoi një fizionomi të mirë, një dashuri dhe njëkohësisht nxori në pah disa elementë të Shkodrës që janë të humorit, të pozitivitetit, të energjisë, që në fakt janë ashtu. Në një farë mënyre e kam parë gjithmonë mirë, me idenë që si mundet ky njeri që të jetë një njeri që mund t’i shërbejë Shkodrës. Ky e ka bërë menjëherë atë shërbim për Shkodrën në momentin që ka dalë.
Kryeministri Edi Rama: Po pse ishte shërbimi për Shkodrën duke ardhur me ty dhe jo duke shkuar nga zemra? Se ky zemrën e ka djathtas. Te ty ka ardhur me mendje.
Benet Beci: Ka dhënë një mesazh të jashtëzakonshëm dhe nuk ka të bëjë me mua. Unë kam bërë ndere shumë, se punët kanë qenë ashtu, për të bërë ndere, për të dhënë. Mirëpo, mënyra e mirënjohjes sesi e ka kthyer Luizi, në fakt është një mesazh i jashtëzakonshëm për një nga gjërat më të rëndësishme në parim që është mirënjohja dhe ajo ka pasur shumë vlerë për mua, se jo çdokush e bën atë. Jo çdokush. Në jetë ne ballafaqohemi jashtëzakonisht, bën shumë dhe shpesh herë nuk ta kthen kush. Për mua ka qenë një shenjë që ka një mekanizëm që funksionon në jetë që në një moment të kthehet.
Kryeministri Edi Rama: Ty t’u bashkuan yjet.
Benet Beci: Mu bashkuan dhe yjet dhe kjo është një pjesë e bashkimit të tyre. Po ju bashkua Shkodrës kam përshtypjen për të qenë në këtë vend.
Kryeministri Edi Rama: U bashkuan yjet se mesa duket, unë me thënë të drejtën unë nuk isha optimist që do të ndodhte.
Luiz Ejlli: Që do të ndodhte, kush?
Kryeministri Edi Rama: Që do të ndodhte ky bashkimi i yjeve. S’isha optimist se në mënyrë të përsëritur e kisha kuptuar këtë gjë, që Shkodra vazhdonte mbante një pozicion, siç e quajte ti zemre. Pra, iracional dhe e mundte mendjen me atë që zemra i thoshte, i dukej sikur po bënte një tradhti shumë të madhe dhe e refuzonte edhe kur mendja thoshte, “shiko se mbase është momenti për ta hedhur këta hap”. Pastaj, fillova ta ndjej që gjëja po merrte një lloj rruge dhe duke pasur kaq shumë, eksperiencë se u bënë nuk e di sa fushata, 9 më duket, kam arritur në një pikë dhe bëhet gjithmonë e më shumë e ndjeshme kjo që e ndjej nga atmosfera, e ndjej nga fytyrat e njerëzve, e ndjej nga energjia që krijohet edhe kur ecën në rrugë gjatë një fushatë se si është gjendja aty. Se a ka aty a s’ka fitore. A ka aty mundësi për fitore, a s’ka?! Dhe këtë herë, kur erdha herën e parë, ndjeva diçka ndryshe dhe tek takimi që kemi pasur me gratë, aty mu duk se gjëja kishte filluar të thyhej, gjë që pastaj filluan ta tregonin dhe sondazhet që bënim ne. Po nejse, nuk është kjo.
Luiz Ejlli: Unë nuk e di dhe e them pa ndrojtje, nuk e di a ka ndikuar prezenca ime në krah të Benetit. Unë të shtunën kam qenë në Gjakovë duke kënduar. Deri në pesë e gjysmë kam qenë duke bërë foto dhe i kam hipur makinës e kam ardhur në Shkodër. Kam votuar e kam ikur prapë për në Gjakovë se kisha për të kënduar të dielën në darkë. Unë e thashë, kam bërë detyrën që duhet të bëjë çdo qytetar shqiptar, të hedh votën dhe i kam kthyer nderin Benetit. Tani, a kam ndikuar apo jo nuk më intereson sinqerisht. Nuk e kam bërë as për njerëzit, e kam bërë për Benetit për t’i treguar që nëse është mundësia për t’i kthyer nderin, unë këtu jam, pak rëndësi ka a kam fituar Big Brother, a jam kryeministër, apo jam pa punë. Unë ky Luiz jam, që të kam marr atë ditë në telefon, ky jam edhe sot para teje. Nuk ka të bëjë se çfarë arrita unë sot. Unë ai jam para teje, se nuk e harroj veten si e kam filluar dhe ku jam.
Kryeministri Edi Rama: Boll bërë propagandë për veten se na mbyte.
Luiz Ejlli: Po të bëja propagandë do thoja fitoi Beneti prej meje.
Kryeministri Edi Rama: Jo po e the në një farë mënyrë që nuk e di a fitoi prej meje, por unë e bëra timen. Po jo se nuk ka fituar prej teje, avash. Ta them unë që nuk ka fituar prej teje.
Luiz Ejlli: Po të më kishte mua përballë do flisnim.
Kryeministri Edi Rama: Do ishte në atë situatë me çfarë pashë unë, se të thashë, kur po flisnim që kur deri dhe dikush që unë e kam parë gjithmonë mbi libra edhe sa herë e shoh edhe flet kështu sikur është duke lexuar libër, arriti në pikën që shihte Big Brother-in, atëhere domethënë që situata ishte e tillë që Benetin po e po, po edhe mua po të më kishe dalë përballë do më kishe krijuar probleme.
Luiz Ejlli: Nuk i dihet!
Kryeministri Edi Rama: Po pra, atë po them. Tani, për të shkuar drejt fundit, jemi në kushtet kur ti jeton në Tiranë. Shkon në Shkodër shpesh?
Luiz Ejlli: Minimumi 2 herë në javë.
Kryeministri Edi Rama: Po për çfarë arsye shkon në Shkodër?
Luiz Ejlli: Shkoj vetëm se shkoj tek varri i babës, se shkoj shpesh, se atë vend e quaj shumë të shenjtë. Ka një paqe shpirtërore aty dhe kam pjesë të madhe të shoqërisë në Shkodër e për hir të asaj që kalove, kisha vendosur të bëja një jetë shumë të mbyllur. Nuk po e bëja atë jetën e natës në Tiranë, ato daljet dhe sapo kisha hapësira, ikja në Shkodër. Ikja 2 herë në javë. Tani që kam dalë, nuk po kam kohë as të pi një kafe me nënën, që e kam në Shkodër.
Kryeministri Edi Rama: Pyetjen e kisha për arsye tjetër. Ti e bëre atë që e quajte kthimin e nderit për Benetin. Tani, duke qenë se ti je i lidhur me Shkodrën, shkon në Shkodër e nuk je aty gjithë kohës, gjë që të krijon dhe një farë distance, por je dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe sheh. Çfarë do doje ose çfarë pret nga Beneti, se nderin ia ktheve, nuk mund t’ia kthesh gjithë jetën, u latë. Çfarë pret ti nga Beneti si një votues i tij që pastaj kur të vijë radha përsëri të thuash, e bëri këtë që prisja apo bëri jo aq sa prisja, apo bëri mjaftueshëm. Prandaj do ia jap votën prapë. Çfarë pret ti? Po të pyes si një shkodran që e ka votuar.
Luiz Ejlli: Unë e them haptas. Kërkoj tre gjëra nga Beneti si qytetar shkodran, si populli.
E para, pastrimin e qytetit nga plehrat që bëhen sa më shumë mbushen kazanët, digjen e dihet.
Lagjet e vjetra ose lagjet që janë pak më të thella, janë pa rrugë të shtruara. Bie shi dhe bëhet gropa që s’ke mundësi të kalosh. Flas qytetin, s’ka lidhje se Oboti e ato pjesa këtej. Pra, shtrimin e rrugëve dhe Shirokën, Bunën, thellimin e saj në bashkëpunim me mbështetjen tuaj kuptohet, edhe të jashtëm që janë të gjithë, jam i bindur që të gjithë do thonin po, se jam i bindur që ajo pjesë mund të bëhet shumë më e bukur se Venecia. Ura është bërë, ka atë hapjen, aty mund të vijnë nga Mali i Zi, bëhet një turizëm, vende pune. Të dy kemi qenë në France, në Paris, kemi parë kanalin se si është me ato varkat restorant, me muzikë, pra mund të bëhet në Shkodër, por ajo do thellim, do pastrim dhe jam i bindur që Beneti mund t’i bëjë, jo se po ja kërkon Luizi apo Shkodra, por me aq sa e kam njohur Benetin e di që nuk e zë vendi pa i bërë. Kjo është ajo që kërkoj unë, duke marrë parasysh që nuk jetoj aty aktualisht, por kam qejf ta shoh. Kur të marr vesh që janë bërë këto tre gjëra do të them bravo të qoftë që e bëre për Shkodrën, se unë nuk them do ta bësh për Luizin apo për Benetin. Bëje për Shkodrën e po i bëre këto, për mua ka respektin maksimal dhe i ka hallall të gjitha votat dhe gjithçka.
Kryeministri Edi Rama: Ka hallall një votë, se një votë i ke dhënë. Të tjerët do ta vendosin vetë atë punë.
Benet Beci: Vë re diçka. Në Shkodër disa herë më thonë këtë pjesën që ishalla po i bën plehrat, ishalla po i bën rrugët, që është detyra normale
Kryeministri Edi Rama: Lëri se këto i dimë. Se plehrat po nuk i bëre dhe plehrat do vi do të fus në kazan vetë. Ky pastaj po të dojë le të vejë kapakun. Benet, kam një pyetje shumë serioze, se nuk e kemi bërë këtë muhabet. Sot takohemi për herë të parë pasi u përshëndetëm aty tek selia kur erdhët me Mamicën. Tani ti je bërë kryetari i bashkisë së Shkodrës. Unë shpresoj shumë që ti do jetosh në Shkodër e nuk do jesh si disa kryetarë bashkie në historinë e këtyre viteve që votohen atje, janë nga atje apo kanë një lidhej me atje dhe pastaj e bëjnë Tiranë – atje, e atje – Tiranë çdo ditë.
Benet Beci: Po filluam projektet e mëdha bashkë, aty më ke.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo. Projektet e mëdha i bëj vetë unë.
Benet Beci: Ishte një mënyrë…
Kryeministri Edi Rama: Unë nga kryetari i bashkisë kur bëhet fjalë për projektet e mëdha, dua vetëm mos të më pengojë, të më ndihmojë, të bëjë ato gjërat e thjeshta, por për rrugët e brendshme, duhet mbështetje dhe bashkëpunim me bashkinë dhe unë po nuk erdha të pi një kafe, në shpinë tënde në Shkodër, ku ti do jetosh e po nuk pashë…
Luiz Ejlli: Po më ra këpuca në gropë..
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo, po nuk pashë që ti, me TIMS-in e regjimit, po nuk pashë që ti të premten në darkë nisesh për Tiranë e të dielën në darkë vjen në Shkodër, të jemi shumë të qartë.
Luiz Ejlli: Çunat i ke te Ura e Bahçallëkut.
Kryeministri Edi Rama: Të jemi shumë të qartë, se ma tha Ermali i Vlorës, një çun i shkëlqyer dhe besoj që është zgjedhja e duhur, ishte në punë të vetë në ambasadë dhe bëmë disa anketime, pamë kush mund të jetë figura e re dhe dilte që ishte një njeri që mund të na garantonte dhe mbështetjen e njerëzve, por e di që është djalë shumë korrekt e punëtor. E më tha kur vajtëm, se u takuam që kur ishte kandiduar, u takuam kur shkuam tek takimet e Vlorës e duke folur më tha, “çfarë pret nga unë”? i thashë, të rrish pa gjumë. Nëse ti rri pa gjumë çdo gjë tjetër është ok. Kështu që nga ty unë pres të rrish në Shkodër, Benet. Këtë mos ta diskutojmë sepse pastaj do na hape shumë probleme e larg qoftë se unë një zëvendësues e kam gati.
Luiz Ejlli: Fillojnë mocionet e mosbesimit,
Kryeministri Edi Rama: Jo po kemi dhe zëvendësuesin gati. Kështu që, shumë faleminderit.
Luiz, ishte vërtetë kënaqësi. Edhe një herë uroj të kesh një jetë të lumtur me bashkëvuajtësen.
Benet, uroj që sa më shpejt, jo nesër, por…
Benet Beci: Unë jam tashmë në Shkodër, nuk kam lëvizur. Kështu që do vazhdoj të rri atje.
Kryeministri Edi Rama: Me shtëpi, me faturë dritash, po që konsumon drita aty kur Shkodra fle. Kazan më kazan për të parë pastrimin. Ti jap unë recetat e mia se kështu kanë qenë kazanët si në Shkodër, se janë pjesë e votimit me zemër ato dhe ta them unë si pastrohen, por vetëm të më rrish atje zgjuar.
Benet Beci: Atje jam, nuk do kthehem më nga Shkodra.
Kryeministri Edi Rama: Jo për t’u kthyer do kthehesh ti. Se do ndërrohesh, do bëhesh.
Benet Beci: Jo po aty më ke.
Luiz Ejlli: Prandaj thonin njerëzit kemi ndenjur pa fjetur për Luizin, se unë isha zgjuar. Prandaj kam fituar. Katër muaj e gjysmë nuk kam fjetur. E ke me fakte, nuk na doli koha të flinim thonin. Se rrija deri në 3, flija dy orë, u çoja në 5.
Kryeministri Edi Rama: Tani me ty është ndryshe. Ata do flenë, ti do rrish zgjuar, ne do të mbështesim. Ke kërkuar një gjë Benet dhe e ke marrë, që është shumë e madhe dhe është një gjë aq e madhe sa aq të madh mund të të bëjë ty në sytë e njerëzve në historinë e Shkodrës, aq mund edhe të të shkrihet në dorë si të jetë një copë akulli në shkretëtirën e Saharasë. Faleminderit shumë!
Këta ishin të ftuarit sot dhe besoj që jo për meritën time, kjo do të jetë një ngjarje në historinë e podcastit dhe do të jetë një sezon që do të ndiqet shumë, sepse vazhdon një kuriozitet i caktuar, që unë nuk kam lidhje, por natyrisht regjimi i shfrytëzon të gjitha e të gjithë.