Beleri largohet nga burgu për t’u betuar si eurodeputet
Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e kësaj të hëne ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me dy vite burg, për t’u betuar si eurodeputet.Pak ditë më parë Beleri i bëri kërkesë për leje pesë ditore Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Evropian, shkruan abxnews.al, transmeton Klankosova.tv.
Drejtoria e Burgjeve ka lejuar Belerin të betohet si eurodeputet, ndërsa mëngjesin e sotëm ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga bashkëshortja dhe makina e ambasadës greke.
Beleri nuk është prononcuar për mediat vendase, por ka bërë me dije se do të flasë për to në aeroport. Ajo që u vu re jashtë burgut, ishte prezenca e mediave greke, të cilat Beleri i falënderoi që e kishin mbështetur.
“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri për mediat greke.Bleri do të udhëtojë nga Tirana në Athinë, e më pas drejt Strasburgut, ku më 16 korrik do të bëjë betimin si eurodeputet. Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të 20 korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.