Behrami në listë të PDK-së me numrin 75: Motivi i parë për të kandiduar është Hashim Thaçi, i dyti Bedri Hamza
Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, do të jetë pjesë e listës së PDK-së në garën për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ai në një postim në facebook, ka deklaruar se motivi i parë për të kandiduar janë krerët e UÇK-së të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Postimi i plotë:
Miq të dashur,
Në dy dekadat e fundit, në çdo pozitë që kam mbajtur jam munduar të punoj me përkushtim, pasion, nder dhe vetëmohim. Edhe në periudhat më të vështira të jetës sime, nuk e kam humbur pozitivitetin, nuk e kam humbur shpresën.
Në jetë asgjë nuk e kam marrë të gatshme. Gjithmonë kam ndjekur rrugën e vështirë. Kandidimi im për deputet është vazhdim i kësaj rruge, i kësaj përpjekje!
Kurrë në jetë nuk kam hyrë në një sfidë me kaq shumë vullnet, me kaq shumë forcë, me kaq shumë vetëbesim. Dhe, për këtë kam dy motive.
Motivi i parë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë ata që po mbahen në Hagë.
Motivi i dytë: Bedri Hamza!
Në katër vjetët e fundit jemi përballë me përndjekje, persekutim, tentim për ndërrim të historisë nga Gjykata Speciale. Jemi përballë me dështime dhe keqqeverisje.
Për të dyjat e kam ngritur zërin. Do ta ngris edhe në të ardhmen, kudo që do të jem. Prandaj, kërkoj mbështetjen e secilit prej juve!
Mbani në mend numrin 75. Ky është numri im në listën e PDK-së.
Të gjitha betejat i kam filluar nga fundi. Të gjithave u kam dalë në krye.
Numrin do ua kujtoj e votën do ua kërkoj më shpesh në ditët e ardhshme.
Sot vetëm po iu tregoj që ai Artan Behrami, numër 75 në listën e PDK-së, jam unë! 😆