BE ‘shpullë’ Qeverisë: Jemi të shqetësuar që s’i morët parasysh komentet tona për tri projektligje

BE ‘shpullë’ Qeverisë: Jemi të shqetësuar që s’i morët parasysh komentet tona për tri projektligje

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar në lidhje me tri projektligje që nesër pritet të votohen në lexim të dytë në kuvend.

BE-ja në Kosovë tha se me keqardhje vëren se në Ligjin për Zyrtarët, versionin aktual të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media dhe në projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së, që sipas tyre, synojnë përmirësim e këtyre projektligjeve dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

“Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi”.

“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil”, thuhet në reagimin e BE-së në Kosovë.

Më tej, Zyra e BE-së në Kosovë tha se nëse ndryshime të tilla zbatohen, atëherë rrezikojnë ta minojnë profesionalizmin dhe paanshmërinë e shërbimit civil.

“Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, thuhet në reagim.

Përsa i përket versionit aktual të Projektligjit për KPM-në, Zyra e BE-së tha se ai nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë, sipas tyre, çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.

“Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, thuhet në reagim.

Kurse, në lidhje me projektligjin aktual për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zyra e BE-së tha se shpreh keqardhje që Kosova nuk ka kërkuar një opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias, përkundër faktit se me vendosjen e Komisionit Para-Zgjedhor plotësim-ndryshimet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo prokurorë.

“Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, thuhet tutje në reagim.

Më tej, Zyra e BE-së në Kosovë tha se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së, teksa shtuan se vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit.

“Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në: