BE: Nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin vetëm ata që përhapin narrativë përçarës

BE: Nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin vetëm ata që përhapin narrativë përçarës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë të enjten se e njeh plotësisht rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme dhe të saktë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Përkushtimi i Radios Evropa e Lirë për të vërtetën dhe raportimin e pavarur, është thelbësor në rajonet me situatë komplekse politike, për fuqizim të komuniteteve dhe forcim të vlerave demokratike. Nga ndalja e punës së saj do të përfitonin vetëm ata që përhapin narrativë përçarës, duke anuar më tej balancën në favor të dezinformimit”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna lachana.

Më 14 mars, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.

Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare, që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Transmetuesi për Kubën (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Pak orë pas vendimit të Trumpit, zyrtarë të USAGM-it i kanë ndërprerë punën Zërit të Amerikës dhe Transmetuesit për Kubën, ndërsa kanë ndërprerë grantet për Radion Evropa e Lirë dhe agjencitë tjera.

Radio Evropa e Lirë e ka paditur USAGM-in më 18 mars, si dhe zyrtarët e agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.

Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.

Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat pro-demokracisë.

Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.

“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, ka thënë Ambasada gjermane në Prishtinë.

Një ditë më parë, organizata me nam nga shumë vende të botës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë shprehur mbështetjen për lirinë e fjalës dhe mediave, dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i mbrojë gazetarët dhe punëtorët tjerë të punësuar nga USAGM-i, meqë shumë prej tyre përballen me rreziqe personale për shkak të raportimit nga dhe për regjime shumë shtypëse.

“Për më shumë se 80 vjet, entitetet e USAGM-it, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë (REL) kanë luajtur rol vital në shtirjen tek audiencat që jetojnë nën qeveri shtypëse dhe fuqizojnë shprehjen e lirë në disa prej ambienteve më të rrezikshme për raportim. Eliminimi i këtyre organizatave është goditje e madhe për lirinë e mediave dhe dhuratë për autokratët në botë”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-i nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale. /REL/Periskopi/

Shpërndaje në: