BE-ja i kërkon Kosovës ta shtyjë përpara ligjin për Kishën Ortodokse Serbe
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hipper ka thënë se mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak mbetet ende në fuqi deri në fund të muajit janar.
Në një konferencë për media, Hipper tha se aktualisht po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së pasusesit të tij.
E pyetur për “statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”, zëdhënësja e BE-së tha se ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve këtu, dhe ftoi deputetët që ta mbështesin miratimin e tij në Kuvend.
“Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së, Mirsolav Lajçak mbetet ende në fuqi deri në fund të janarit. Dhe aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij. Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, kërkojmë miratimin e tij në Kosovë. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha Hipper në konferencë për media.
Pika 7 e planit të BE-së konsiderohet më problematikja për Kosovën. Përveç një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në këtë pikë flitet edhe për zyrtarizmin e një statusi të ri të Kishës Ortodokse Serbe.
Në Nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit [27 shkurt 2023], Kurti ka rënë dakord për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Në pjesën e parë të këtij neni thuhet se “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.
Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, thuhet se “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.