BE-ja i del në përkrahje SPAK-ut, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës

BE-ja i del në përkrahje SPAK-ut, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës

Bashkimi Evropian ka përkrahur punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) në Shqipëri, pas kritikave që ka marrë kjo e fundit shkaku i arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian ka thënë se roli i SPAK-ut në Shqipëri ka rëndësi kyçe dhe se reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë elemente kyçe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Veliaj u arrestua të hënën shkaku i akuzave për korrupsion, që përfshijnë të paktën 1.1 milion euro fonde publike. Ai akuzohet se u kishte dhënë para publike bizneseve të cilat në këmbim i jepnin familjes së tij fitime të paligjshme.

Derisa Veliaj doli para gjykatës të mërkurën, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste në pushtet, Edi Rama, tha para deputetëve se “nuk ka prova” ndaj Veliajt dhe e cilësoi dosjen e prokurorisë si “një roman prej 400 faqesh, me shumë personazhe, por pa fakte”.

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë dhe partisë që drejton për të mbështetur drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit nuk ndryshon, por tha se “mungon një palë konstruktive që të jetë garantuese e pavarësisë së drejtësisë”.

Edhe pse zëdhënësi i Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja nuk mund t’i komentojnë proceset gjyqësore që janë në proces e sipër, ai tha se BE-ja po i ndjek së afërmi zhvillimet e fundit.

“Roli specifik i SPAK-ut ,si dhe pavarësia e tij në hetimin dhe procedimin e rasteve të korupsionit në nivel të lartë, të lirë nga çdo përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të panevojshëm, është me rëndësi kyçe për sundimin e ligjit në Shqipëri”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Në muajt e fundit, Shqipëria kishte shënuar një progres domethënës në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në duke hapur kapitujt e parë negociues./rel

Shpërndaje në: