BE-ja gjobit rëndë Facebookun, shkeli këto rregulla
Kompania “Meta” është gjobitur me 798 milionë euro për shkeljen e ligjit të konkurrencës nëpërmjet “Facebook Marketplace” brenda rrjetit social.
Komisioni Evropian deklaroi se Meta ka krijuar kushte tregtie të padrejta për shërbimet alternative të shpalljeve të klasifikuara, duke vështirësuar konkurrencën e tyre. Për këtë arsye, Komisioni ka vendosur gjobën ndaj Meta-s dhe ka urdhëruar kompaninë të ndalojë imponimin e këtyre kushteve ndaj shërbimeve të tjera.
Meta ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit dhe ka njoftuar se do të apelojë vendimin. Shefja e antitrustit në BE, Margrethe Vestager, akuzoi Facebook-un se ka penguar shërbimet e tjera online të shpalljeve të klasifikuara për të favorizuar shërbimin e tij, Facebook Marketplace.
“Meta duhet të ndalojë këtë sjellje,” tha Vestager, duke shtuar se BE-ja i kërkon kompanisë të mos përsërisë më këtë shkelje.
Meta, nga ana e saj, deklaroi se Komisioni nuk ka ofruar asnjë provë për dëme ndaj konkurrencës apo konsumatorëve. “Ky vendim injoron realitetet e tregut dhe do të mbrojë vetëm tregjet ekzistuese nga konkurrenca,” u shpreh kompania.
Hetimi që çoi në gjobë
Ky vendim erdhi pas një hetimi të hapur nga Komisioni Evropian në vitin 2021, pasi rivalët e Meta-s u ankuan se Facebook Marketplace i jepte një avantazh të padrejtë kompanisë.
Ky nuk është rasti i parë që Meta përballet me gjoba në BE. Në vitin 2017, kompania u gjobit me 110 milionë euro për mosdhënien e informacionit të saktë kur bleu WhatsApp. Po ashtu, Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë ka vendosur më shumë se 1 miliard euro gjoba ndaj Meta-s për trajtimin e gabuar të të dhënave të përdoruesve gjatë transferimit mes Evropës dhe SHBA-së.
Një presion global mbi gjigantët e teknologjisë
Ky vendim vjen ndërsa rregullatorët në mbarë botën po marrin masa më të ashpra ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë. Në SHBA, qeveria po shqyrton mundësinë e ndarjes së Google në një përpjekje për të forcuar konkurrencën.