BE: Integrimi i Ukrainës e Ballkanit Perëndimor imperativ gjeopolitik, por “zgjerimi është procedurë me një sërë hapash”

BE: Integrimi i Ukrainës e Ballkanit Perëndimor imperativ gjeopolitik, por “zgjerimi është procedurë me një sërë hapash”

Komisioni Europian sot ka thënë se zgjerimi mbetet një prioritet për bllokun, duke shtuar se ai është një investim gjeopolitik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë kontinentin e Europës.

Këto komente i bëri zëdhënësi për zgjerim i BE-së, Guillaume Mercier, kur u pyet nëse Komisioni do të jetë në gjendje të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës apo të vendeve të Ballkanit pasi situatës së krijuar të raporteve SHBA-BE rreth Ukrainës dhe nëse BE ka një strategji të re për zgjerimin.

Ai tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia e nënvizoi edhe njëherë rëndësinë gjeopolitike të zgjerimit dhe shtoi se ky është një synim të cilin e ka theksuar edhe presidentja e KE-së.

“Zgjerimi është imperativ gjeopolitik dhe ndihmon që të kompletojë Unionin tonë. Kjo është një mundësi, një dritare për momentin për këto vende që t’i bashkohet BE-së. Është e rëndësishme të theksohet se në këtë kornizë, zgjerimi është një procedurë me një sërë hapash dhe këto masa duhet të zbatohen nga vendet e ndryshme që duan të anëtarësohen në BE”.

Ai përmendi instrumentet që ka BE për ta bërë këtë realitet dhe për Ballkanin Perëndimor tha se është Plani i Rritjes.

Mercier u pyet nga një gazetare edhe për qëndrimet kundër zgjerimit të qytetarëve brenda BE-së.

“Kur flasim për njerëz të zakonshëm, ka shumë që janë kundër zgjerimit…Përpara se vendet të pranohen, a do të ketë ndonjë lloj referendumi? A do të konsultohet publiku apo do të diskutohet vetëm në Këshill?”, ishte pyetja e një gazetareje në konferencën e sotme për media të KE.

Mercier në përgjigje përmendi kushtet që duhet të plotësojnë vendet që duan të bashkohen dhe tha se për këtë marrin vendim të gjitha shtetet anëtare.

“Ky është një proces që merr kohë, një numër i madh hapash duhet të përmbushën. Është një vendim që kërkon që shtetet anëtare të marrin një vendim unanim. Komisioni i ndihmon vendet që duan të aderojnë, duke i ndihmuar ata me reforma, si dhe reforma ekonomike”.

Ai përmendi që vendet duhet të mbyllin kapitujt dhe reformat duhet të ndërmerren.

“Dhe kur të përfundojë kjo punë, në këtë fazë, një vendim duhet të merret nga të gjitha vendet anëtare

Ai tha se natyrisht që do të ketë debate në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare.

“Pra, do të ketë debate që shkojnë përtej Brukselit”.

Shpërndaje në: