BE i thotë Muskut: Në Evropë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona

BE i thotë Muskut: Në Evropë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona

Elon Musk sot ka kompletuar blerjen e rrjetit social gjigant, Twitter.

Musk shpesh ka përmendur se Twitter duhet të jetë vend ku lejohet çdo fjalë, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i ketë, qofshin ato edhe gjuhë e urrejtjes apo e llojit tjetër.

Megjithatë, Komisioneri për tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian, Thierry Breton, e paralajmëroi që tani njeriun më të pasur në botë, se Twitter duhet t’i përmbahet rregullave të familjes së madhe evropiane.

Duke iu referuar cicërimës së Musk, i cili tha se “zogu është liruar”, Breton shkroi: “Në Evropë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona në BE”.

Ai përdori hashtagun DSA – një referencë për Aktin e Shërbimeve Digjitale, një nga dy paketat e reja të legjislacionit të BE-së të krijuara për të shtrënguar rregullimin e mediave sociale.

BE njihet për politikën e saj të ashpër ndaj kompanive gjigante teknologjike, ku shpesh ka ndodhur që kompanitë si Apple dhe Meta të jenë gjobitur më qindra miliona euro për shkeljet eventuale të rregulloreve, njofton Klankosova.tv.

Pronari i META-s, Mark Zuckerberg, më herët këtë vit u ankua se blloku i BE-së po shkakton humbje të mëdha për kompaninë, pasi nuk lejon transferimin e të dhënave të përdoruesve për në SHBA, çka i pamundëson kompanive në Shtetet e Bashkuara që të targetojnë përdoruesit evropianë për shfaqjen e reklamave.

BE po ashtu së fundmi ka hartuar ligjin që detyron kompanitë e telefonave që prej vjeshtës së vitit 2024 të kenë portin karikues USB-C, duke goditur rëndë kompaninë Apple, e cila përdorë portin e veçantë, Lightning.

Shpërndaje në: