BE dhe Qeveria e Kosovës me deklarata të ndryshme rreth raportit për Banjskën

BE dhe Qeveria e Kosovës me deklarata të ndryshme rreth raportit për Banjskën

Bashkimi Evropian dje tha se Kosova ende s’e ka ndarë me BE-në raportin përfundimtar për hetimet e Banjskës. Qeveria e Kosovës deklaroi se raportin 48 faqësh për Banjskën e kanë dërguar vitin e kaluar. Milan Radoiciq, organizatori i sulmit terrorist endet e lirë nëpër Serbi. Çka tha dje BE e çka deklaruan nga qeveria për këtë sulm dhe hetimet rreth tij?

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë më 24.09.20223, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një konferencë për media dje, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.

“Kur bëhet fjalë për hetimet, para së gjithash ato duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës, nëse i referoheni incidentit në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. Pra kjo është një gjë që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për të hetuar, për të ofruar dhe për të ndarë raportin final të hetimeve të plota. Kjo ende nuk ka ndodhur dhe ne nuk mund të procedojmë pa i pasur rezultatet e këtyre hetimeve”- ka deklaruar Stano.

Ai theksoi se menjëherë pas sulmit e kanë bërë të qartë qëndrimin e BE-së se çka presin nda të dyja palët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

“Menjëherë pas sulmit, pas disa ditëve, javëve dhe muajve, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se çfarë presim nga të dyja- Kosova dhe Serbia. Dhe, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen për këtë sulm të tmerrshëm nga ana e Serbisë, nuk po flas këtu për shtetin e Serbisë, por nga ana e Serbisë, sërish kjo është, ishte dhe duhet të jetë çështje e hetimeve dhe gjetjet shpresojmë që do të futen në raportin e hetimeve përfundimtare. Kjo nuk është bërë ende apo të paktën kjo nuk është ndarë me ne deri në këtë kohë”- është shprehur Stano.

I menjëhershëm ishte reagimi i Qeverisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i është përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, pasi ky i fundit deklaroi se Kosova ende nuk e ka ndarë me BE-në raportin përfundimtar për hetimet e sulmit terrorist në Banjskë.

Kryeziu tha se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar.

Ai theksoi se nëse Stano e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, sipas Kryeziut, duhet të kërkohet përgjigje nga vetë ai institucion i drejtësisë.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Europian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”- është shprehur Kryeziu.

Kryeziu theksoi se është shqetësuese që nëntë muaj pas sulmit në Banjskë nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Kosovës por as masa nga unioni europian dhe bashkësia ndërkombëtare për Serbinë. Ai vlerëson se Radoiçiq mbetet “i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”.

“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Europian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”- ka nënvizuar Kryeziu

Çka ndodhi dhe si u pasua sulmi në Banjskë?

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar. Pas informatave për shpërthimin, e të shtënat me armë e me mjete tjera ndaj policëve, njësi të tjera reaguese ishin nisur drejtë Banjskës.

Pamje të ndryshme të publikuara nga Policia e Kosovës, tregonin momente të kapura nga kamerat e vendosura në autoblindat e këtij institucioni deri sa grupi terrorist gjuante me armë të ndryshme drejt tyre. Pamjet e luftimeve mes grupit terrorist dhe policisë ishin publikuar më 01.10.2023 ndërsa ora tregonte 4 e tutje të mëngjesit.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike”- thuhet në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiq. Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Shpërndaje në: