Bayerni nuk dorëzohet: Lewandowskin e presim për ndeshjet parasezonale
Sulmuesi polak ka thënë se nuk do të jetë në këto stërvitje
Robert Lewandowski i ka bërë të qarta dëshirat e tij që ai ka për qëllim që të luajë për Barcelonën sezonin e ardhshëm, por Bayern Munich nuk e ka ndërmend të dorëzohet dhe ata presin që ai të jetë me skuadrën për përgatitjet parasezonale.
Polaku i ka thënë shefave të klubit që ai nuk do të kthehet dhe nuk do të jetë me skuadrën bavareze gjatë ndeshjeve parasezonale.
Megjithatë, në mungesë të një marrëveshje me Barcelonën, Bayerni nuk e pranon këtë dhe insiston që ai duhet t’i përmbush detyrat e tij që rrjedhin nga kontrata.
“Lewandowski ka kontratë me ne deri më 2023 dhe ne presim atë më 12 korrik në Sabener Strasse”, ka thënë për Bild, drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic.
E njëjta media gjermane raportoi dje për një takim në Mallorca me drejtorët e klubit dhe Lewandowskit ku ky i fundit shprehi dëshirën për t’u larguar. Mesazhi i klubit ishte i njëjtë dhe ata presin që ai të jetë prezent në stërvitje më 12 korrik.
Lewandowski është i vendosur tashmë që disa javë dhe ai shpreson që dy klubet të arrijnë një marrëveshje. Ai ka thënë se nuk do të kthehte në Bayern, por një ofertë duhet të pranohet fillimisht dhe ky është një problem.
Bayerni kërkon 50 milionë euro, një shifër që Barcelona, pavarësisht sa e dëshiron lojtarin, thjesht nuk ka mundësi ta realizojë.